SELANIK- Qytetarët shqiptarë do të mund të aplikojnë për pasaporta biometrike edhe në Greqi. Një zyrë aplikimi u hap para një jave në Athinë, ndërsa sot u pasua nga një tjetër në Selanik, sipas njoftimit të ministrisë së Brendshme shqiptare.

Sipas njoftimit të ministrisë aplikimi mund të bëhet në Selanik prej datës së sotme 28.03.2011, pranë Ambasadës së Shqipërisë, zyrës konsullore, në Athinë. Që në momentet e para dhjetë qytetarë shqiptarë aplikuan për pasaporta biometrike

Zv.ministri i Brendshëm Z. Ferdinand Poni përuroi fillimin e këtij shërbimi të posaçëm që u ofrohet qytetarëve shqiptarë që jetojnë e punojnë në Greqi.
“Të gjithë shtetasit shqiptarë që jetojnë në Greqi mund të pajisen me dokumentat biometrike Karta Identiteti dhe Pasaporta Biometrike pranë Ambasadës së Republikës së Shqiperisë në Athinë dhe Konsullatës së Shqipërisë në Selanik. Procesi i aplikimit është i njëjtë me atë që bëhet edhe në zyrat në Shqipëri”,- thuhet në njoftimin e ministrisë së Brendshme.

Ky shërbim do të ofrohet së shpejti edhe në Romë e Milano.
(m.a/BalkanWeb)