Anton Pashku dhe vepra e tij në një kohë nuk ka qenë aq shumë i studiuar, ndërsa kohëve të fundit është bërë objekt mjaft i lezetshëm për tu studiuar nga studiuesit e rinj. Dikur e patën quajtur hermetik dhe kësisoj nuk përshtatej fort me shkollën letrare të asaj kohe. Tani ai konsiderohet simbolist dhe një prej shkrimtarëve të parë modernistë.



Vepra e tij, më konkretisht tregimet e tij janë bërë objekt studimi i studiueses Vjollca Dibra, e cila, në amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare, e promovoi librin e saj me titull Mozaiku i jetës model i artit (Poetika e tregimeve të Anton Pashkut), i botuar nga shtëpia botuese Anton Pashku. Për këtë libër referuan studiuesit Nysret Krasniqi dhe Kujtim Shala, ndërsa i pranishëm ishte edhe Isa Mustafa, kandidat i LDK-së për një mandat të dytë në pozitën e kryetarit të Kuvendit Komunal të Prishtinës.



Bashkë me të ishte edhe pothuajse i tërë ekipi i bashkëpunëtorëve të tij. Kjo gjë i habiti paksa ata të pranishëm që nuk kishin ardhur në mënyrë të organizuar, e që praninë e tij e shihnin ma shumë si pjesë të fushatës elektorale. Përndryshe, sikur të mos kishte qenë fushatë elektorale, nuk do ti shihte kush politikanët në një promovim libri, aq më pak kur bëhet fjalë për një libër që merret me letërsinë e që flet për një autor jokonformist. Dyshimet u shuan pas leximit të një biografie të shkurtë të autores nga ana e poetit Adem Gashi, i cili është edhe redaktor i këtij libri.



Midis tjerash, ai tregoi se autorja ka magjistruar për letërsi. Askush nuk bëri zë. Pastaj tregoi se ajo ka paraqitur disertacionin e doktoratës në Universitetin e Shkupit dhe prapë askush nuk duartrokiti. Por kur tha se autorja është edhe kandidate e LDK-së për deputete në Asamblenë Komunale të Prishtinës atëherë shpërtheu një duartrokitje frenetike. Gashi ua shpjegoi të pranishmëve edhe një detaj. Mungesën e zërimit në amfiteatër ai tha se nuk duhet ta konsiderojmë si kabotazh të ndonjë partie tjetër, pasi që, siç u shpreh ai, edhe drejtori i bibliotekës vjen nga radhët e kësaj partie.



Megjithatë, pa marrë parasysh orientimet politike në këtë kohë fushate, libri i saj u vlerësua nga referuesit.



Nysret Krasniqi, kritik letrar dhe njohës i veprës së Anton Pashkut, tha se letërsia shqipe e Kosovës tashmë ka arritur ti krijojë veprat moderne, por edhe studiuesit modernë të saj. Në kuadër të kësaj traditë, sipas tij, padyshim se hyn edhe vepra e Anton Pashkut e në kuadër të saj edhe zhanri i tregimit. Shumë studiues të letërsisë në Kosovë edhe jashtë saj, Pashkun e lexuan nga prizma të ndryshëm: disa i thanë hermetik, disa shkuan deri aty sa bënë analiza të autorit e thanë se Pashku ka hyrë në guacën e vet nga ku nuk mund ta shikojë siç duhet botën, pastaj shumë të tjerë i dhanë nominime të shumta si njeri i prozës simboliste, moderniste, postmoderniste etj., por në të shumtën duke mos u ndalur aq sa duhet në vetë tekstin fiksional të këtij autori, tha Krasniqi.



Ndërkaq, duke folur për librin Mozaiku i jetës, model i artit dhe për autoren e tij, Krasniqi tha Dibra për ta ambientuar lexuesin, në fillim jep teorinë e tregimit, për të saktësuar se Anton Pashku është para së gjithash tregimtar. Dhe të jesh tregimtar, sipas Krasniqit, do të thotë të lidhesh në rrjetin e rrëfimeve që prekin kohë dhe hapësira të ndryshme e të largëta, të cilat e prekin jetën dhe letërsinë. Kështu që, në raport me letërsinë e tij, Dibra më shumë hulumton në intertekstualitetin letrar sesa në ndonjë vështrim strikt skematik që nuk do ti shkonte letërsisë së autorit, u shpreh Krasniqi.



Në anën tjetër, Kujtim M. Shala, i cili nuk qe i pranishëm por kumtesa e tij u lexua nga Flamur Maloku, ka shkruar se Vjollca Dibra i lexon tregimet e Anton Pashkut dhe jeton poezinë e prozës. Ai tha se ajo nis të kërkojë poetikën e tregimeve dhe përfundon te estetika e tyre. Këto konstatime nismëtare, sipas Shalës, e zbulojnë autoren që kërkon poezinë, si një esencë, te të gjitha formave letrare.



Ajo i lexon tregimet duke i parë si manifestim estetik të jetës. Vjollca Dibra e nis dhe e mbyll kërkimin duke e ditur që shkrimtari i njohur Anton Pashku në esencë është tregimtar, ka shkruar, në kumtesën e tij, Kujtim Shala.



Ndërsa i pari i Prishtinës u shpreh se me këtë vepër po begatohet jeta kulturore e Prishtinës dhe e Kosovës. Ai tha se i gëzohet pranisë së saj dhe ardhjes së saj në Kuvend sepse, sipas tij, Kuvendi Komunal ka nevojë të ketë vlera të tilla.