Pak para nisjes së mbledhjes së Këshillit të Sigurisë në Presidencë u betua ministri i ri i Drejtësisë Petrit Vasili.


Presidenti Bujar Nishani pati rastin të takonte dhe zv/kryeministrin Niko Peleshi të cilin e mikpriti në këtë ceremoni, por ia mbylli derën për mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare që do të mbahej tek salla ngjitur.


Burime konfirmuan për Shqiptarja.com se Nishani e ka përqafuar Peleshin dhe i ka kërkuar ndjesë për refuzimin që i bëri kërkesës së tij për të marrë pjesë në mbledhje ne emër të kryeministrit Edi Rama, që aktualisht ndodhet në Kosovë.


Burime për Shqiptarja.com thonë se, Nishani madje i ka thënë Peleshit  se ky veprim nuk ka të bëjë aspak me të.


Ma bëj hallall. Mos ma merr për keq, po nuk e kisha me ty.


Peleshi i ka buzëqeshur dhe është larguar nga Presidenca rreth orës 11:20 për ti shpëtuar urdhërit të ndalimit ndaj tij që niste në orën 12:00, moment kur dhe nisi mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare për të shumëkërkuarin Kelmend Balili, ish-zyrtar i lartë i Transporteve i akuzuar nga drejtësia greke për trafik droge.