Sipas projektit fitues, banorët e Paskuqanit do zbresin drejt Tiranës me autobusë hidrogjeni, mu në një shesh që është projektuar për koncerte të këngëtarëve të mëdhenj. Kështu thotë studioja fituese….


 


Nëse nuk ke çfarë shet në realitet, shit ëndrra. Madje ëndrra nga ato më pabesueshmet, se kështu i mban njerëzit në ajër. Kështu ka ndodhur me Lulzim Bashën, i cili pasi e bëri Sheshin Skënderbej sikur të kishte futur duart Xhelal Mziu, ka filluar të shesë ëndrra për Paskuqanin. Sot ai ka shpallur fituesin e projektit të zgjatimit të bulevardit drejt Paskuqanit. Lum tironasit qe te kan,te lumt,bravo, i shkruan Gafur Gazidede Lulzim Bashës në Facebook, mu poshtë lajmit për shpalljen e fituesit për zgjerimin e bulevardit. Luil te lumte jen si sknderbeu na rofshe, shprehet entuziast Muhamet Rakipi.


Nuk kanë faj. Studioja angleze, përveçse paska gjetur një lumë që do e bëjë Tiranën si Venecia, do u çojë në Paskuqan banorëve autobusë me hidrogjen. Po, po. Kështu thuhet në ndryshimet që i bëri projektit studio Grimshaw, e cila duhej të ishte shpallur fituese para dy muajsh, por helbete, konkursi u bë pak si shpejt atëherë.


Zgjatje e linjave të ndërtimit duke krijuar më shumë hapësirë për banim. Kryesisht ndërtesa të strukturuara. Gjerësia e bulevardit mbetet 60 metra. Krijimin e energjisë nëpërmjet përpunimit të mbetjeve. Autobus me hidrogjen që ngjitet në kodrën e Paskuqanit.


Ndryshime në administrimin e transportit, veç linjave të tramvajit, shtohen linja të tjera që mund të lidhin aeroportin me qytetin. Parashikohet ndërtimi i një zone sportive për ta vendosur Tiranën në hartën e vendeve të njohura sportive sot apo krijimin e ngjarjeve kulturore, muzikore që gjenerojnë para, duke lejuar edhe koncerte të këngëtarëve të mëdhenj, një katalizator për të gjithë zonën, këto janë ndryshimet që parashikon Grimshaw.


Tani banorët e Paskuqanit do jenë më të lumturit. Do zbresin me hidrogjen drejt e në Tiranë, mu në koncert. Apo siç e ka zakon Doktori që bën koncerte njëherë në muaj.