Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi sot të shkarkojë nga detyra prokuroren Antoneta Sevdari, e cila është edhe anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.


Sevdari ia kishte dalë të kalonte me sukses shkallën e parë të vettingut, pasi KPK e cilësoi të pastër në tre komponentët e vlerësimit.


Por ajo nuk do të mundet të ushtrojë më detyrën e saj pas vendimit të KPA, që iu përgjigj kërkesës për rihapjen e hetimit për Sevdarin, bërë nga Komisioneri Publik.


Nga hetimi i thelluar në dy kritere ishte pasuria e bashkëshortit të prokurores që ndikoi në verdiktin final të KPA. Në seancën e fundit drejtuesi i trupit gjykues të KPA-së bëri të ditur se për prokuroren është bërë një denoncim i ri në datën 5 shkurt nga një shtetas i quajtur Aleksandër Marku.


Pavarësisht kundërshtive të subjektit të rivlerësimit Sevdari ndaj konkluzioneve përfundimare të paraqitura nga Komisioneri Publik, pasi i konsideronte të pabazuara në ligj dhe në faktet e provuara gjatë hetimit administrativ të KPK-së, ajo u shkarkua këtë të enjte.


Nga ky organ i ri i Reformës në Drejtësi ka ende pikëpyetje mbi fatet e tri anëtarëve të tjerë, Gentian Osmani, Kostaq Beluri dhe Arben Dollapi, pasi edhe ndaj tyre ka ankimime në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit nga Komisioneri Publik.