Qytetarët nuk do të përballen më me procedura të tejzgjatura për pajisjen me patenta dhe leje qarkullimi për automjetet që drejtojnë apo posedojnë. Garancia është dhënë nga ministri i Transportit, Edmond Haxhinasto, i cili theksoi se qeveria po synon të eleminojë burokracitë.

Ai zhvilloi dje një inspektim në Drejtorinë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor Tiranë. Në prani edhe të funksionarëve dhe punonjësve të kësaj drejtorie, Haxhinasto pa nga afër shërbimin që i ofrohet qytetarëve ku dhe theksoi se janë bërë përmirësime të dukshme në këtë drejtim.  

Ka një përmirësim të dukshëm të punës në këtë institucion por ka vend edhe për ndërhyrje të mëtejshme. Këto ndërhyrje kanë filluar të bëhen që me ndryshimin dhe përmirësimin e kuadrit ligjor, janë disa masa të cilat ndodhen aktualisht në Parlament për t’u miratuar në kuadër të ndryshimeve të Kodit Rrugor, tha ai.

Gjithashtu disa hallka të tjera në proçesin e shërbimeve që ofrohen këtu mund të thjeshtohen, madje edhe të eliminohen fare pasi ka vend për ta përmirësuar shumë shërbimin si cilësi, për të shkurtuar kohën e këtij shërbimi.
 
Transparenca
Këtu ka patur një progres të madh edhe për transparencën e shërbimit, megjithatë unë i bëj thirrje të gjithë qytetarëve që marrin shërbime, në raste të papërgjegjshmërisë nga individë të caktuar për korrupsion apo për kërkesa të paligjshme për shërbimet që ofrohen, ata janë të lutur që të bëjnë apelimet sipas proçedurave ligjore apo duke paraqitur shqetësimin e tyre në numrin që kemi paraqitur në web sit-in e Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës.

Kjo bëhet me qëllim që ne të adresojmë dhe të trajtojmë në mënyrë të menjëhershme të gjithë shqetësimet që kanë qytetarët për cilësinë e shërbimeve që iu ofrohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor apo degët e kësaj drejtorie si në Tiranë edhe në rrethet e tjera të Shqipërisë, u shpreh Haxhinasto.


Shkrimi u publikua sot(25.09.2014) në gazetën Shqiptarja.com(print)
 


Ndiqni Shqiptarja.com në
Facebook dhe në
Twitter