07-01-2013 / Nga Sadri Ramabaja

Inicimi i ndryshimit dramatik të paradigmës së kësaj politike është diçka jetike për të sotmen dhe të ardhmen e Republikës. Arsyet për t`filluar kësaj ndërmarrje janë të thella dhe me interes jetik. Dhe ky ndryshim nuk mund të fillojë pa një analizë të mirëfilltë të fenomenit, respektivisht pa e dekoduar si duhet instrumentalizimin e qytetarit nga kjo dihotomi e patologjisë politike. Lufta bizare mes klaneve politike, formacioneve kuazipolitike, shpërfaqja publike e despotizmit patetik partiak, disi e ngjashme me autoritarizmin ultra të djathtë hungarez, e mbi të gjitha vazhdimi i luftës speciale me mjete primitive, siç janë veprimet e kreut të qeverisë dhe parapolitikës që e solli atë në pushtet kundruall VV, ishin disa nga fenomenet që shënuan kalendarin politik të Republikës sonë vitin që lamë pas. Për perëndimorët, në mesin e tyre edhe një lagje miqsh tanë, këto fenomene nuk janë të panjohura, meqë ata i kanë studiuar duke u marrë për kohë të gjatë me të ashtuquajturat teori të konspiracionit që po ringjallen si fenomen politik gjithandej në ish hemisferën e dominimit rus, si hije, respektivisht mbetje të trashëgimisë toksike të KGB-së dhe UDB-së. Në shikim të parë duket se këto fenomene, nga klasa e re politike ose nuk janë marrë me seriozitetin që do të duhej ose, çka është edhe më keq, janë nënçmuar. Por, nëse ato venerohen me kujdesin e duhur, shihet se po reflektojnë kudo: në jetën ekonomike (përmes neokolonializmit tipik), në atë politike, arsimore e shoqërore... Prandaj mund të konkludojmë se patologjia politike që po jetojmë, është një lloj trashëgimie e mendësisë jugosllave e shartuar me autoritarizmin feudal shqiptar. Filozofja Hannah Arend ka përshkruar më së miri forcat goditëse dhe mekanizmat e diktaturës që mund të mbesin si hije në thellësi të historisë dhe ndërdijes njerëzore. Diktatura, e para së gjithash ajo që karakterizohet si totalitarizëm, që dëshiron ta vë nën kontroll çfarëdo lëvizje të mundshme të individit a shoqërisë, gjithë jetën, i izolon në tërësi subjektet me vetëdije politike. Çfarëdo bashkëpunimi, qoftë ai edhe spontan, që e bën cilado bashkësi normale, për pushtetarët duket e dyshimtë. Familja dhe rrethi shoqëror, pjesëmarrja, respektivisht aderimi në farë klubi të mundshëm, themelimi i çfarëdo ndërmarrjeje të mundshme etj., janë veprime që ndjellin dyshim te pushtetarët, meqë ato në vetvete paraqesin mundësi për pavarësi shoqërore dhe ekonomike. Në vend të kësaj, shteti provon që individit t` i parashtroj dhe imponoj regjinë e veprimit me gjithë skenarin e mundshëm, t` ia imponoj edhe objektin e veprimit, ideologjinë, sistemin politik, respektivisht njëtrajtshmërinë partiake dhe organizative etj. tok me paranojën për përcjellje të pashmangshme dhe ndëshkimin e mundshëm. Dhe kështu t` i zëvendësoj lidhjet e njerëzve, motivet për veprim, me vartësinë e imponueshme dhe të pranueshme të së tërës nga sistemi politik, konkludon Arend. Largimi i pushtuesit serb dhe mundësia që kishin qytetarët të shijojnë për herë të parë në historinë e tyre lirinë në kuptimin e saj të mirëfilltë, pavarësisht se shënon kthesën historike, për shkak të ndërvarësisë dhe kontrollit që do të bartet tek mekanizmat ndërkombëtar që po instaloheshin shpejt e shpejt në Kosovë, do të lërë vragë në ndërdijen politike. Pesha e rëndë e robërisë dhe diktaturës, por edhe mashtrimi fiktiv që i ishte bërë qytetarëve me kuazi pluripartizmin e viteve `90-ta, kishte lënë gjithashtu gjurmë të thella, duke krijuar zona të mendësisë dhe vetëdijes inegzistente politike, respektivisht duke i imponuar ikjen nga politika si e vetmja rrugë për mbijetesë. Për rrjedhojë mes qytetarëve, si hije e ftohtë e diktaturës dhe e shekullit të pushtimit serb, kishte mbetur indiferenca politike dhe mosbesimi. Fituesit e historisë nuk do të pushonin së fituari, do të thoshte njëri nga themeluesit e mendimit filozofik hebre, Valter Benjamin. Ndërkaq keqpërdorimi i historisë vazhdon edhe sot në forma e trajta të ndryshme. Madje jo rrallë, jemi dëshmitarë se ajo pretendohet të përdoret si “shkop për goditje”, siç do të thoshte Veli Brandi, tek tërhiqte vërejtjen jo vetëm kundërshtarëve të tij politik, kur veneronte se ka predisponim të keqpërdoret historia, madje në shkallë të arrogancës moralizuese.
Ngulfatja e lirisë/Epoka e ndërgjegjësimit ndërpersonal dhe e zgjimit politik që do të duhej të vinte bashkë me lirinë, shih për kët, po vazhdonte të ngulfatej. Ushtrimi i demokracisë si nevojë dhe domosdoshmëri qytetare që do të duhej të pasohej përmes aktivizmit qytetar, le që ishte mbytur nga diktatura dhe nga imituesit e demokracisë në vitet `90-ta, por po ngulfatej edhe nga strukturat e instaluara të Bashkësisë Ndërkombëtare. Shto krejt kësaj ambientin social të kontaminuar që kishte lënë prapa pushtuesi përmes gjithë asaj merimange agjenturash, që i kishin dhënë legjitimitet veprimit oportun dhe keqpërdorimit të pushtetit, atëherë merret me mend se sa terren të vështirë kishte dhe ka veprimi i shëndosh politik, ngritja në këmbë të shëndosha e çfarëdo subjekti politik që do të hidhte themelet e Republikës së dinjitetshme e prosperuese, si garanci e vetme e rikthimit tonë në familjen evropiane, prej ku ishim shkëputur që nga epoka e parapushtimit osman. Në këtë ambient politik që vazhdon të jetë i kontaminuar edhe sot në masë tejet të ndjeshme, kundërshtarët, në vend se të shihen si oponent politik, kundrohen thjeshtë si armiq! Akuzat e ulëta e skandaloze të kryeministrit ndaj liderit të VV nuk shpjegohen ndryshe pos si produkt i pastër i patologjisë politike. Por, as edhe histerizmi politik i liderit të LDK ndaj njërit prej themeluesve të Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës dhe ndaj autorit të këtij shkrimi, si i vetmi zë opozitar që kishte guximin politik e qytetar t`i kundërvihej këtij histerizmi në Kuvendin e Prishtinës, po ashtu nuk ka si kundrohet ndryshe, pos si nënprodukt i patologjisë politike që burim ka mentalitetin jugosllav. Dhe nëse cilësia dalluese e patologjisë politike është pikërisht lufta pa kompromis për pushtet dhe ndikim, që shndërrohet në qëllim më vete jo vetëm i individit, por edhe i organizatës, atëherë produkt i kësaj patologjie politike është edhe mënyra e trajtimit të shtetit nga kjo klasë pushtetarësh sundues. Shteti na shndërrohet nga një mekanizëm që do të duhej ta zgjeronte hapësirën e lirisë për qytetarët, në një qëllim më vete për një kategori, që për objektiv tashmë kanë vetëm mbetjen ose ardhjen në pushtet për t’u pasuruar. Ndërkaq paaftësia e shpërfaqur për çfarëdo kompromisi politik dhe gjakimi e makutëria për jetë të shfrenuar, këtë klasë sunduesish e lidh shpejt në çengelat e korrupsionit dhe krimit, që janë gjithashtu konsekuenca të mentalitetit të trashëguar dhe politogjisë politike. Kjo garniturë sunduesish tashmë e pasuruar edhe me përvojën e manipulimit në emër të demokracisë, duke shitur madje edhe robërinë për liri (të kujtojmë se strukturën paralele që e kishte toleruar Millosheviqi në fushën e arsimit dhe atë sociale, me paturpësi e quante shtet, duke iu drejtuar oponentëve me atë të famshmen sentencë se ‘shteti nuk ka brirë” edhe atëherë u kur ligjin dhe rendin e bënte polici serb), ose pala tjetër që tashmë është identifikuar në opinion si struktura parapolitike me akronimin SHIK, e kamufluar me petkun e luftëtarit të devotshëm, që nuk e kishte pasur të vështirë ta ushtroj puçin fillimisht brenda LPK-së dhe më pas edhe brenda UÇK-së, duke pritur që ta përmbyllë këtë cikël puçesh në kuvendin e PDK-së, duke futur kështu në dorë mekanizmin që pa pengesa ua mundëson shndërrimin e Republikës në aset personal, shëmbëllim pushtetit pa mbarim të carëve rus. Ky pretendim (i shndërrimit të Republikës në aset personal) vërehet sidomos në gamën lobuese të politikave neoliberale në fushën e ekonomisë dhe përkthimin e tyre në ligje në Kuvendin e Republikës. Në Kosovë si kudo në Evroopë nuk ka nevojë të jesh socialdemokrat e ta kuptosh se shitja e resorëve kryesor të ekonomisë kosovare (KEKut dhe Trepçës) subjekteve private, fillimisht do të mund të sillte pak para në buxhetin e mangët të Republikës, por ky veprim do t’ia merrte mundësinë shtetit që të hartojë dhe ushtrojë politikat në fushën minerare dhe atë të energjetikës. Shih për këtë inicimi i ndryshimit dramatik të paradigmës së kësaj politike është diçka jetike për të sotmen dhe të ardhmen e Republikës. Arsyet për t`filluar kësaj ndërmarrje janë të thella dhe me interes madhor. Dhe ky ndryshim nuk mund të fillojë pa një analizë të mirëfilltë të fenomenit, respektivisht pa e dekoduar si duhet instrumentalizimin e qytetarit nga kjo dihotomi e patologjisë politike. Ky ndryshim do të thotë njëkohësisht edhe fillimi i fundit të polarizimit herë-herë të skajshëm politik që shënoi viti 2012. Ky hap i shprehur qartë edhe në diskursin publik politik, do të shënonte fillimin e mendimit racional që i paraprinë aktit politik. Ai do të fillonte atëherë kur vet ekzistencën e partive politike dhe sistemin e demokracisë reale, do ta akseptojmë në tërësinë dhe thellësinë e saj, si shprehje e interesit të qytetarëve.
Marrë nga Kosovapress

...