Mbi 400 naftëtarë të Ndërmarrjes së Prodhimit të Naftës në Patos kanë protestuar paraditen e së premtes. Shkak i protestës që çoi në përleshjen e tyre me policinë ishte publikimi i listës me emrat e punëtorëve të prekur nga reforma. Protesta e 400 naftëtarëve ka nisur qysh në orën 07:00 të mëngjesit për të vijuar përgjatë gjithë ditës. Pas përpjekjeve të tyre për të marrë takim me drejtorin e ndërmarrjes, Ylli Shanaj, naftëtarët janë ulur në aksin kombëtar Fier-Ballsh dhe kanë bllokuar qarkullimin rrugor, duke krijuar kaos për më shumë se 2 orë.



Si fillim, pranë vendit të protestës kanë shkuar uniformat blu të rajonit të Policisë Patos. Ata janë munduar që të ngrenë naftëtarët protestues nga asfalti i rrugës ku qëndronin. Por, në pamundësi për të përballuar numrin e lartë të protestuesve, Policia e Patosit ka kërkuar ndihmën e Komisariatit të Fierit. Mes uniformave blu dhe protestuesve janë shënuar përleshje. Policia ka dashur të shmangë tentativat për vetëflijim nga ana e naftëtarëve, të cilët kërcënonin dhe hidheshin nën rrotat e automjeteve që kalonin. Prania e disa uniformave blu me jelek antiplumb dhe me shkopinj gome ka bërë që situata të degjenerojë dhe protestuesit të alarmohen. Është dashur ndërhyrja e drejtorit të Policisë së Qarkut Fier, Arjan Bozhaj, që të largoheshin uniformat blu me shkopinj gome.



Publikimi i emrave të 417 naftëtarëve në Ndërmarrjen e Prodhimit Patos, që varet nga "Albpetrol", është kryer pasditen e së enjtes, ndërsa shumë prej tyre kishin përfunduar orarin e punës. Mëngjesin e djeshëm ata nuk janë lënë të hyjnë në mjediset e punës dhe i janë drejtuar Drejtorisë së Ndërmarrjes për të protestuar. Sipas naftëtarëve, mësohet se një javë më parë janë njoftuar për daljen në reformë, por çuditërisht lista përfundimtare nuk ka qenë ajo që ishte vendosur një javë më parë.



"E shitën kompaninë ARMO sa shitet një futbollist i kategorisë së dytë në botë", kanë thënë naftëtarët. Ata kanë akuzuar jo vetëm drejtorin e Ndërmarrjes së Prodhimit Patos, por edhe atë të "Albpetrolit" si persona që po ndyjnë reformën. Gjithashtu, naftëtarët kanë treguar se mjaft punonjës që nuk kanë ardhur asnjëherë në punë e marrin pagën dhe ata që kanë me dhjetëra vjet në naftë, hidhen në mes të katër rrugëve, si shkak i pseudoreformës.



Ata kanë treguar të alarmuar se listat janë bërë mbi baza politike. Një javë më parë ishin punonjësit e Kombinatit të Përpunimit të Thellë të Naftës ata që protestuan në të njëjtën formë dhe nuk njohën listën e publikuar me emrat e naftëtarëve të shkurtuar. Protesta e tyre treditore bëri të rikthehen për rishikim listat.