Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, e ka cilësuar absurd vendimin e opozitës për të mos ardhur në Kuvend. "Opozita nuk vjen në Kuvend për hatër të qeverisë, por për hatër të zgjedhësve të vet. Një nga kushtet është që të mblidhet një komision parlamentar ku të marrë pjesë edhe OSBE. Edhe sikur ta dëshironim këtë, ajo nuk mund të marrë pjesë në Kuvend. Kërkesa tjetër e opozitës është që të kthehen të shkarkuarit për shkak të zgjedhjeve, ndërkohë që PS harron se ç‘bëri tre vjet më parë", tha Patozi. Kreu i grupit kuvendor e cilësoi absurd vendimin e opozitës, duke kërkuar nga ajo që të marrë pjesë në Kuvendin e Shqipërisë, pasi duhet të përfaqësojë zgjedhësit e vet.



Partia Demokratike paralajmëron se nuk do të pranojë asnjë nga kushtet e socialistëve para se të bëhen pjesë e Kuvendit. Numri një i grupit parlamentar, Patozi, sqaroi se kushtet e socialistëve janë vetëm pjesë e debatit të saj të brendshëm dhe PD nuk ka pse merret me to. "Unë besoj se kushtet e vendosura nga opozita nuk janë pjesë e debatit të këtij Parlamenti, por një debati të brendshëm, që do marrin fund pasi të mbyllet dilema e kryetarit", tha Patozi. Kryetari i grupit e cilësoi gjithçka si funksion të debatit të brendshëm të Partisë Socialiste dhe për këtë nuk ka arsye pse Partia Demokratike të bëhet pjesë e këtij debati.



"Kushtet janë absurditetet, siç kërkohet komisioni parlamentar me OSBE, që është jo vetëm nonsens, por edhe gafë politike. Nuk ka argument, janë zgjedhjet më të mira që kanë prodhuar një parlament dinjitoz. Është shumë shpejt për të shpallur vendimet e PD-së për kërkesat e opozitës, por ajo që mund të them sot është se kushtet vendosur Parlamentit janë probleme të brendshme të PS-së", tha Patozi.



Megjithatë, ai tha se mazhoranca do të jetë gjithmonë e gatshme të bashkëpunojë me opozitën. Lidhur me betimin e bërë dje nga deputetët e tij të Kuvendit, Patozi tha se dita e martë ishte një ditë solemne, sepse ishte dita e konstituimit të Parlamentit të ri, dalë nga zgjedhjet më të mira. "Shpreh keqardhjen që një pjesë e përfaqësuesve të popullit nuk u betuan si deputetë. Dhe kjo i takon PS-së kryesisht, por besoj se vendimi i tyre do jetë i përkohshëm, ashtu si debati i brendshëm", tha ai.