Tiranë -Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi ka përshëndetur sot angazhimin e opozitë për të miratuar së bashku në Kuvend ligjin për reformën në Prokurori. "Angazhimet tona për reformat e mëdha kanë pasur një rol të madh në marrjen e ftesës së anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, në prill të këtij viti"- theksoi Patozi, ndërsa ka vlerësuar se "përfundimi i reformës zgjedhore dhe avancimi i reformës në drejtësi me ligje të tjera, janë gjeste të qarta të maturimit të klasës politike".



Kreu u grupit kuvendor të PD-së, e ka vlerësuar këtë vullnet të përbashkët të opozitës dhe mazhorancës, si një garanci për qytetarët shqiptarë dhe partnerët ndërkombëtarë se "kundërshtitë dhe debati i natyrshëm mes opozitës dhe mazhorancës nuk do të pengojnë proceset kryesore të zhvillimit të vendit".



Patozi, duke folur për miratimin e Kodin Elektoral, theksoi se me miratimin e këtij Kodi, "i hapin rrugën reformës zgjedhore, që është elementi më i rëndësishëm për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri".Ai shprehu vlerësimin maksimal për Komisionin e Reformës Zgjedhore, i cili arriti të miratojë dy ditë më parë ndryshimet e nevojshme, duke bërë gati për seancë Kodin Elektoral, pas kthimit të tij në Kuvend nga Presidenti i Republikës.



"Pas kësaj nuk ka më asnjë pengesë për të finalizuar reformën zgjedhore. Për të arritur deri këtu nuk ka qenë e lehtë, por është dashur kontributi dhe përkushtimi i shumicës së aktorëve politikë në parlament", tha Patozi.