Në Tiranë Profesori Edmond Tupja i është bashkuar protestës para Ministrisë së Arsimit. Ai ka mbajtur një fjalë me mikrofon para studentëve. Protestuesit thërrasin: Duam të drejtat tona!  Qindra studentë kanë rrethuar ministrinë prej orës 10:00 dhe bëjnë thirrje : Bashkohuni me ne!


“Të drejtat tona janë bazike dhe minimale. Ministria e Arsimit nuk ka rrugë të mesme vetëm të plotësojë kërkesat. Nuk ka rrugë tjetër” tha një protestues përpara mediave.


Ndërkohë në Shkodër pedagogu Arben Prendi i Fakultetit të Shkencave Shoqërore i bëri thirrje studentëve të mos tërhiqen.


“Vijoni të protestoni deri në momentin kur ju të keni nënshkruar plotësimin e kërkesave në të kundërt do të bini pre e një mashtrimi. Janë dhe të tjerë pedagogë që ju mbështesin edhe pse sot nuk janë këtu. Vijoni të protestoni!.


Pedagogët në Shkodër kanë dalë në shesh krah studentëve dhe u kërkojnë atyre që të mos besojnë premtimet boshe. Ata thonë se  solidarizohen me të gjitha kërkesat e studentëve të tyre.


Pedagogu i letërsisë Arben Prendi në Universitetin e Shkodrës i bashkohet protestës së studenteve dhe i kërkon që të mos tërhiqen e madje të shtojnë kërkesat e tyre. Pedagogu Prendi sugjeroi që të hiqet mesatarja 7 për regjistrimet e reja sepse rrezikojnë të mbyllen degë të ndryshme si dhe kërkesat e tyre ti marrim vetëm me shkrim. Sipas tij nuk është e vërtetë se tarifat janë vendosur nga universitetet siç pretendon ministria.


7 dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)