Antonio Cassano ka dhënë një intervistë të gjatë për Vanity fair, ku natyrisht që tema ku është ndalur më gjatë, ka qenë transferimi i Cristiano Ronaldos te Juventusi.


Barezi ka shprehur bindjen se Ronaldo do të përjetojë një periudhë mjaft pozitive në Itali, ku do të shënojë të paktën 30 gola në sezon.


Jam i bindur që do të bëjë shumë mirë, pasi po flasim për një futbollist të madh, me një fizik të jashtëzakonshëm, dhe me këtë nivel që ka Seria A aktualisht, mund të shënojë 30-40 gola. Për më tepër, do punojë me Allegrin, një trajner që di të vendosë në fushë lojtarët si ai, deklaroi Cassano.


Ish fantazisti italian nuk ngurroi të shprehë edhe pishmanet e karrierës së tij, ndërsa pranoi se nëse do kishte pasur kokën e Ronaldos, do të ishte ende duke luajtur në nivele të larta dhe do kishte fituar shumë më tepër.


Kam qenë pjesë e Realit të galaktikëve që në moshën 23-vjeçare, por nuk kam qenë asnjë herë serioz me punën që bëja. Po të kisha kokën e Ronaldos, ose të kisha pranë bashkëshorten që kam tani dhe fëmijët e mi, do të kisha punuar shumë më tepër dhe do të kisha bërë një karrierë shumë të ndritur. Ronaldo punon me një seriozitet të jashtëzakonshëm në çdo seancë stërvitore dhe unë këtë gjë e urreja kur luaja futboll, deklaroi Cassano.


18 korrik 2018 (gazeta-Shqip.com)