TIRANE - Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi dje të dërgonte sërish në Zvicër letërporosinë për njoftimin e Kreshnik Spahiut, anëtarit të “Hakmarrjes” i akuzuar për pengmarrjen e tregtarit rom Halit Nazifi në kryeqytet, gjashtë vjet më parë. Kjo çështje ka nisur të shqyrtohet nga Krimet e Rënda, por prej tre vitesh nuk është bërë e mundur të zhvillohet asnjë seancë gjyqësore, për shkak të mosnjoftimit të të pandehurit, i cili ka fituar azil politik në Zvicër, prej tre vitesh. Dje, Kolegji Penal pesë-anëtarësh vendosi të dërgonte sërish në këtë shtet një letërporosi, bashkëngjitur edhe materialet në ngarkim të të pandehurit Spahiu. Ngjarja për të cilën akuzohet Spahiu dhe është dënuar me 12 vjet burg i pandehuri tjetër i “Hakmarrjes” Gentian Caka, ka ndodhur në Allias, më 22 qershor të vitit 2002, kur persona të panjohur që u prezantuan si policë e rrëmbyen 35- vjeçarin Nazifi dhe i kërkuan familjes një milion euro për lirimin e tij. Dy vjet më vonë prokuroria akuzoi të implikuar në këtë ngjarje Sahiun dhe Cakën.                                       fa.ma.