Forcat e NATO-s, foto arkiv


Pentagoni po forcon kontrollin dhe praninë ushtarake amerikane në Ballkan, shkruan portali amerikan OPENEWS.


Në një analizë të publikuar, shqyrtohet dhe analizohet prania amerikane në rajonin e Ballkanit, por edhe në tërë botën.


Aty theksohet se SHBA-të, po rrisin praninë dhe stërvitjet ushtarake në Ballkan.


Autori i analizës, Rik Rozof, shkruan se para, gjatë dhe pas samitit të 25 të NATO-s që u mbajt në Çikago, Pentagoni ka vazhduar me zgjerimin e pranisë ushtarake në ish-vendet e Jugosllavisë dhe në vendet tjera ballkanike.


Në këtë linjë përmendet, ndërtimi i kampit amerikan Bondsteel në Kosovë dhe tri baza ajrore në Bullgari dhe Rumani, sidomos pas vendosjes së NATO-s gjatë luftërave jo vetëm në Ballkan, por edhe në Afganistan dhe Irak.


Në këtë analizë, përshkruhet edhe pranimi i anëtarëve të rinj në NATO nga viti 2004. Aty përmendet, Kroacia dhe Shqipëria, ndërsa, nënvizohet se Maqedonia mund të bëhej anëtare e barabartë në vitin 2008, por, kjo nuk ndodhi për shkak të kontestit të zvarritur të emrit me Greqinë. Megjithatë, këtu përmendet stërvitja komanduese dhe e terrenit e NATO-s, që u mbajt prej 22 deri më 29 maj në Maqedoni me 2200 ushtarë nga 25 vende përfshirë edhe SHBA-së.


Sipas portalit amerikan OPENEWS, para samitit të NATO-s një numër i madh i diplomatëve dhe analistëve kanë apeluar për nevojën e një liderizmi më të madh të Amerikës në mënyrë që NATO-ja, të funksionojë më mirë dhe të mos përballet me pasiguri në të ardhmen. /OPENEWS/


Përgatiti: E.L