Guardiola një ditë do të rikthehet te Barcelona. Kjo është deklarata e vetë trajnerit katalan, i cili dëshiron të stërvitë edhe një herë ekipin B të Barçës përpara se të mbyllë karrierën e tij. 47-vjeçari u bë tranjer i ekipit B në vitin 2007, përpara se të merrte drejtimin e ekipit të parë një vit më vonë, pas largimit të Frank Rijkaard.


Me blaugranat Guardiola fitoi gjithçka, duke përfshirë tre kampionate të La Ligas, dy Champions League e dy Botërore klubesh. Nga viti 2013 deri në vitin 2016, ai drejtoi Bayernin e Mynihut, ku fitoi 3 Bundesliga radhazi, e që prej 2 vitesh është tranjer i Manchester City-t, me të cilin fitoi Premier League në sezonin e shkuar, duke grumbulluar gjithsej 100 pikë.


Me klubin anglez, trajneri katalana ka një kontratë deri në vitin 2021, të cilën me shumë mundësi do ta rinovojë. Ai ka përjashtuar një rikthim si tranjer tek ekipi i parë i Barcelonës, por mediat spanjolle kanë aluduar shpesh se në të ardhmen, ai mund të bëhet drejtor sportiv i skuadrës.


Guardiola e ka nisur mirë sezonin e ri me Manchester Cityn, duke marrë 10 nga 12 pikë në 4 ndeshjet e para, pa harruar fitoren në Community Shield kundër Chelsea.


13 shtator 2018 (gazeta-Shqip.com)