Autori i Lajmit: Nga Preç Zogaj






Pas ambasadorit të OSBE-së, Boch, kanë folur ambasadori i Gjermanisë, Bochart dhe ambasadori i Spanjës, Montobio. Spanja ka kryesimin e radhës të Bashkimit Europian. Gjermania është Gjermani. OSBE është shtëpia më e madhe e demokracisë në botë me shtrirje nga Alaska në Siberi.

Të gjithë kanë paralajmëruar, më prerë se herët e tjera, se Shqipëria po rrezikon shumë me krizën e saj të pazgjidhur. Në të njëjtën ditë grupi i Aleancës së Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Europian ka lëshuar një deklaratë, në të cilën kërkon hetimin e plotë të zgjedhjeve të 28 qershorit nëpërmjet hapjes së kutive të votimit. Komisioneri për zgjerimin, Stefan Fule, pritet të thotë fjalën e tij.

Nuk përjashtohet një rezolutë tjetër nga Strasburgu apo Brukseli. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që kanë folur deri tani kryesisht përmes OSBE-së, mund të prononcohen drejtpërsëdrejti për ngërçin e stërzgjatur dhe kalbëzimin e proceseve demokratike në tokën e një vendi mik dhe shumë të dashur për ta, siç është Shqipëria.

Është i jashtëzakonshëm gjithë ky interesim. Kemi arsye të shpresojmë dhe të besojmë. Çdo gjë mund të na tradhtojë, por hapja demokratike e vendit nuk tradhton. Hapja është pasuria dhe mrekullia që kemi në këto momente të vështira.

Vite më parë, në kohën e krizës së madhe të naftës, francezët patën krijuar një shprehje që u bë refreni i ringritjes së tyre: "Ne nuk kemi naftë, por kemi ide? Në përqasje me këtë shprehje, mund të themi se ne nuk kemi politikë, por kemi hapjen. Europa dhe SHBA nuk do ta braktisin Shqipërinë dhe popullin shqiptar.

E pamë me ndryshimet e ligjit për Shërbimin Informativ Shtetëror. Gjithë ai ngulmim i Tiranës zyrtare për të kaluar një ligj sipas orekseve shqiptare, me ato mbledhjet e mbyllura e të fshehta të Komisionit të Ligjeve, përfundoi atje ku duhej të përfundonte, në zyrat e NATO-s, falë ngulmimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Po e shohim edhe në qëndrimin ndaj vendimit të shumicës parlamentare për ngritjen e komisionit hetimor pa opozitën.

Ky vendim jo vetëm i ka lënë të pakënaqur, por ka krijuar edhe irritim te partnerët tanë euro-amerikanë. Seanca e datës 19 mars është ilustrimi më kuptimplotë i pohimit të mësipërm.

Në të vërtetë, kjo shaka e stërzgjatur për ti bërë bisht zgjidhjes së krizës nuk lë kohë për plane të tjera. Sot të gjithë miqtë dhe partnerët tanë kërkojnë zgjidhje. Që do të thotë se zgjidhja nuk është dhënë. Që do të thotë se zgjidhja e dhënë nuk vlen.

Që do të thotë se ndërkombëtarët, ndërsa nuk e kanë për mbarë të shprehen publikisht se cila palë, qeveria apo opozita kanë të drejtë në opsionet që kryqëzojnë në tryeza, kanë gjetur një mënyrë tjetër për tu shprehur. Të shprehen për zgjidhjen që nuk vlen. Tani mund ta kuptojë kushdo për kë bien kambanat. Kambanat bien për atë që i bien zgjidhjet e dhëna!



Ky lajm është publikuar: 26/03/2010