Strategjia për zhvillimin e pyjeve dhe kullotave ka si qëllim sigurimin e menaxhimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm e shumëfunksional të burimeve pyjore dhe kullosore, në përputhje me politikat qeveritare të synuara në këtë sektor. Për të bërë një vlerësim të ekosistemit pyjor, në radhë të parë duhet të analizojmë përparësitë dhe kërcënimet që na kanosen, të cilat do të ndikojnë në marrjen e vendimeve.
Por, se çfarë burimesh natyrore kanë pyjet e Shqipërisë, çfarë afrojnë këto burime, përse këto burime janë atraktive për njerëzit, çfarë mangësish ka, cilat rreziqe e kërcënojnë këtë ekosistem dhe çfarë mendojmë se duhet përmirësuar për eliminimin e këtij rreziku, do të shprehemi më poshtë.
Nga pikëpamja menaxhimit të ekosistemit dhe shërbimit pyjor, mendoj se duhet të merren masa të menjëhershme për një menaxhim të sigurt dhe të qëndrueshëm të pyjeve, ku deri tani lënë mjaft për të dëshiruar.
Duke filluar nga ligjet, VKM-të apo udhëzimet për pyjet dhe shërbimin pyjor është shumë e rëndësishme dhe e nevojshme që të bëhen ndryshime të menjëhershme si dhe të miratohen akte nënligjore në funksion të ligjeve.
Në vitin 2005 kemi miratimin e një ligji për pyjet dhe shërbimin pyjor, të ndryshuar në disa nene me tri ligje të tjera, por që edhe sot e kësaj dite ky ligj nuk zbatohet.
Hartimi i ligjit të ri të pyjeve është si sintezë e ndryshimeve të krijuara pas decentralizimit të pronësisë shtetërore, duke theksuar të drejtën e kontrollit nga shërbimi pyjor mbi të gjitha kategoritë e pronësisë mbi pyjet dhe kullotat.
Duke filluar nga organizimi i shërbimit pyjor, programet e zhvillimit apo mbarështimin e fondit pyjor kullosor, për fat të keq asnjëra nga këto nuk është zbatuar.
Duhej të hartoheshin politika të mbarështimit pyjor për ruajtjen, zhvillimin e fondit pyjor kombëtar, për sigurimin e kushteve për përdorimin dhe shfrytëzimin e tij edhe për qëllime publike, në përputhje me ndryshimet e gjendjes shoqërore e ekonomike të vendit dhe me ndryshimin e kushteve të mbarështimit pyjor.
Nuk është bërë asnjë plan mbarështimi për pyjet dhe kullotat pas vitit 1985, e kjo është katastrofike. Ekosistemi pëson ndryshime, të cilat duhet të pasqyrohen, ndryshime në volum apo lloj të specieve të ndryshme. Maksimumi i afatit kohor nga një plan mbarështimi në një tjetër të hartuar është 10 vjet, e në fakt kanë kaluar afro 30 vjet, ku duhej bërë jo një, por tri plane të tilla. Ja pra çfarë do të thotë të mos inventarizosh pyjet dhe kullotat, të mos pasqyrosh ndryshimet që ndodhin, pa dyshim që do të thotë shkatërrim të pasurisë kombëtare, mosnjohje e realitetit, duke u bërë dashur pa dashur shkatërrues i ekosistemit pyjor.
Iu dhanë NJQV sipërfaqe të tëra pyjore/kullosore, ishte nismë e mirë, po përse me aksion, si në kohën e kooperativave dhe krijimit të tufëzave, pa krikuar dhe atë që është më e rëndësishme pa infrastrukturën e duhur, pa ngritjen e kapaciteteve të duhura pranë NJQV, me qëllim që të kishin të gjitha mundësitë e menaxhimit të kësaj pasurie kombëtare. Çdo komunë apo bashki që kanë marrë në pronësi apo përdorim sipërfaqe pyjore nuk kanë kapacitetin e duhur për një ruajtje dhe administrim të qëndrueshëm të kësaj pasurie të madhe kombëtare. Nuk kanë një ide të qartë se deri ku janë shtrirë këto pyje që ka në territorin e vet komuna, nuk ka një ndarje të qartë administrative ndërmjet njësive të qeverisjes vendore, mungojnë hartat me kufi të qartë administrativ ndërmjet NJQV e më tej nuk ka një plan strategjik zhvillimi të këtyre resurseve.
Disa nga sfidat ku kërkohet të ndërhyhet urgjentisht janë:
1- Zbatimi i ligjit të pyjeve të vitit 2005 në lidhje me:
- Mënyrën e organizimit të shërbimit pyjor në 3 nivele: lokal, rajonal dhe kombëtar.
- Respektimin e statusit të nëpunësit civil për specialistët e pyjeve.
Në ligj, pavarësisht se është theksuar që në këtë shërbim duhet të punojnë specialistë me formim nga fusha e pyjeve, ky nen nuk respektohet.
- Rivendosja e autoritetit të shtetit dhe shërbimit pyjor në kontrollin e territorit.
2- Rishikimi i tarifave të dëmeve në pyje. Ato janë shumë të larta dhe nuk vilen fare. Në këtë mënyrë ato duhen rikonceptuar dhe duhet anuar më shumë tek dënimi ligjor dhe jo tek ai administrativ.
3- Të përcaktohet qartë në ligj dhe të futet në Kodin Penal që personat që djegin pyjet dhe kullotat të dënohen minimumi 10 vjet.
4- Për asnjë arsye sipërfaqja pyjore që digjet të mos ndryshojë destinacionin dhe të rikthehet në gjendjen që ishte, duke ndërhyrë me pyllëzime (rasti i Turqisë).
5- Organizimi strukturor i shërbimit pyjor.
Nga pikëpamja e organizimit duhet të jetë një Drejtori e Përgjithshme, pasi përvoja para vitit 2005 ka treguar që kjo strukturë ka qenë më eficiente dhe me autoritet në kryerjen e detyrës.
Një pjesë e ndërmarrjeve të pyjeve në rrethe duhet të shkrihen, një pjesë duhet të kthehen në zyra lokale dhe organizimi në nivel drejtorie të jetë në nivel rajonal. Këto drejtori duhet të jenë më të fuqishme dhe me mbështetje më të madhe logjistike e financiare.
6- Ndërmarrjet e pyjeve duhet të udhëhiqen nga konceptet e eficiencës ekonomike. Duke qenë se pyjet janë një pasuri kombëtare, duhet që shoqëria të paguajë për të mirat që ato sigurojnë jo vetëm në drejtim të lëndës drusore, por edhe të bimëve mjekësore, kullotjes, druve të zjarrit, rekreacionit, sekuestrimit të karbonit, mbrojtjes nga erozioni etj. Por nga ana tjetër, këto ndërmarrje duhet të zgjerojnë gamën e aktivitetit, duke shtuar të ardhurat, të cilat duhet që t’i administrojnë vetë në masën 80% dhe një pjesë të kthehet në buxhetin e shtetit. Këto aktivitete kanë të bëjnë me:
- ngritjen e fidanishteve pyjore
- ngritjen e brigadave të punëtorëve në pyje
- mbjelljen e bimëve mjekësore dhe vjeljen e atyre të egra
- bletarinë
- kryerjen e rrallimeve në pyje dhe shitjen e lëndës drusore nga vetë ndërmarrja.
Ngritja e fidanishteve do bëjë të mundur që ndërmarrjet të prodhojnë vetë fidanët pyjorë dhe çdo vit të planifikojnë pyllëzime, duke shtuar sipërfaqet pyjore.
7- Stafit të specialistëve që punon në këtë sektor të rëndësishëm duhet që:
- T’i rritet rroga. Para viteve ‘90 një inxhinier pyjesh paguhej me një rrogë prej 7500-8000 lekësh të vjetra, duke qenë ndër profesionet e vlerësuara nga shteti dhe po kështu ka qenë deri në vitin 1993. Aktualisht paga e një specialisti pyjesh shkon mesatarisht në 28000 lekë në muaj (më pak se një mësues shkolle). Kjo është një pagesë qesharake dhe mendoj se duhet ndërhyrë urgjentisht.
- Një ndër arsyet e dëmtimit të pyjeve është se një pjesë e teknikëve që banonin afër zonave pyjore në fshatra janë transferuar në qytet. Në këtë mënyrë, kjo pasuri mbetet vazhdimisht e pakontrolluar dhe pre e njerëzve të uritur për fitime.
- Duhet që të futet sistemi i karrierës edhe në shërbimin pyjor, në mënyrë që një specialist i ri, i cili sapo ka mbaruar shkollën, të dijë se çfarë kualifikimi duhet të arrijë dhe çfarë duhet të bëjë për të ngjitur shkallët e karrierës. Kjo do bëjë që ata vazhdimisht të jenë në gjendje të rrisin nivelin e njohurive, duke marrë pjesë në trajnime të ndryshme dhe duke u testuar nga struktura të posaçme.
Vazhdimisht specialistët duhet të trajnohen dhe të rimerren në provim, pas një periudhe 3-5 vjeçare, për të kontrolluar nivelin e njohurive. Nëse ky specialist nuk ka njohuritë e duhura dhe nuk ka përmirësim të performancës në punë, atëherë ai ulet në nivel kualifikimi dhe nëse kjo vazhdon përsëri në provimin tjetër, mund edhe të largohet nga detyra. Në këtë çështje, Fakulteti i Shkencave Pyjore, që është pjesë e Universitetit Bujqësor të Tiranës, duhet të luajë rolin kryesor.
- Për të shmangur dëmtimet nga zjarret, duhet që gjatë muajve të verës të punësohen vrojtues sezonalë. Punësimi i tyre është mjaft i leverdisshëm ekonomikisht, pasi nëse me rrogën aktuale do të punësohet 1 specialist vrojtues për një periudhë 4-5 mujore, shteti duhet t’i paguajë atij një pagë prej (5 muaj x 30000 lekë =150000 lekë. Nëse pylli do të digjet, vetëm për 1 ha pyll të djegur që të ripyllëzohet kostoja shkon nga 2500-3000 $, pra shumë herë më pak se pagesa e këtij specialisti.
8- Të vihet nën fre shkatërrimi i fondit pyjor nga karrierat e minierave dhe nga ato të guroreve. Duhet që këto subjekte të mos punojnë në sipërfaqe, por vetëm në thellësi, duke shkaktuar sa më pak ndikime negative në ambient. Mjafton të shikoni masakrën në Krastë të Krujës, në Veternik të Beratit, në parkun kombëtar “Mali i Dajtit” nga firma të ndryshme, apo edhe në vende të tjera.
9- Të hartohet një program kombëtar për pyllëzimin e sipërfaqeve pyjore, duke shtuar fondin pyjor me të paktën 3000 ha në vit.
10- Të ndryshohet mënyra e menaxhimit të parqeve, duke u dhënë më shumë pavarësi financiare dhe menaxhuese të fondeve.
11- Të ndryshohet mënyra e përdorimit të lëndës drusore për ngrohje, e cila zë një peshë kryesore të materialit drusor që vilet nga pylli. Mjafton të kujtojmë që numri i familjeve në fshat është afërsisht 340000 dhe po të bëjmë një llogari se ata konsumojnë mesatarisht 7 m3 në vit, atëherë sasia e përgjithshme e materialit drusor shkon në 2.3 milionë m3. Duhet të tentohet drejt përdorimit të çipsave, peleteve dhe briketeve.
Pyjet në Shqipëri janë një pasuri e madhe që pa dyshim në aspektin ekonomik ndikon pozitivisht. Kemi në konsideratë të ardhurat që krijohen nga menaxhimi i qëndrueshëm nga prodhimet pyjore e jopyjore, të ardhurat nga prodhimet e dyta që sot nuk vilen. Mendoj se një e ardhur shumë e rëndësishme është dhe përdorimi i biomasës për djegie, prodhim energjie për ngrohje, si përdorimi i çipsave, peleteve dhe briketeve.
Këta të fundit mund të përdoren shumë mirë në kopshte, shkolla, për ngrohje.
Duke qenë dhe kërkesë e Bashkimit Europian që 12% e energjisë të prodhohet nga biomasa, duke plotësuar 15-16% të nevojave për energji (kryesisht për ngrohje, për rregullimin e ngrohjes në banesa), krijohet mundësia e punësimit, kryesisht në zonat rurale. Mendoj se duke u stimuluar kjo teknologji e prodhimit të energjisë nga biomasa pyjore, energjia nga biomasa pyjore ka të bëjë me burimet dhe kapacitetin prodhues të lëndëve djegëse dhe nevojat energjetike nga druri, sasia e materialit drusor që shfrytëzohet tani dhe përdoret për ngrohje është disa herë më e vogël nëse do të përdoret një sistem qendror me kaldaja për shkollat, kopshtet, spitalet dhe qendrat e tjera të grupuara, si dhe banesat.
Pra është e kuptueshme që po të stimulohet prodhimi i energjisë nga biomasa pyjore, nga pikëpamja social-ekonomike, është me shumë interes. Ndaj kjo është një e ardhur mjaft e mirë, duke investuar në këtë drejtim, si një investim që ndikon në minimizimin e CO2 në natyrë, pasi energjia e prodhuar nga biomasa pyjore nuk ka % e ndotjes së ajrit, si në prodhimin e energjisë nga fosilet.
12-Të rishikohet sistemi i taksave në drejtim të lëndës drusore që del dhe hyn nga Shqipëria. Duhet që të ulen taksat e lëndës drusore që hyn nga jashtë, në mënyrë që të blihet lënda nga vende si Bosnja, Serbia dhe të ruhen rezervat tona.
Probleme të tjera:
Shkaqet natyrore por dhe njerëzore kanë bërë që pyjet të shkatërrohen. Kur theksoj “natyrore”, kam në konsideratë zjarret e rëna për çdo vit, dhe me “shkaqe njerëzore”, prerjet e paligjshme të pyjeve.
Po përse të mos merren masat e duhura që këto sipërfaqe të degraduara të rigjenerohen duke ndërmarrë politika përmirësuese në drejtim të pyllëzimeve, përmirësimeve apo punimeve të tjera pyjore?
Gjetja e sponsoreve për ripyllëzimin e sipërfaqeve të paripërtërira brenda pyjeve të larta, me qëllim përdorimin e gjithë sipërfaqes nga pylli prodhues.
Gjetja e sponsoreve dhe pyllëzimi i sipërfaqeve të zhveshura me lloje pioniere për të rritur kapacitetin e sekuestrimit të karbonit nga sipërfaqja e territorit të Republikës.
Rehabilitimi i kullotave me mbjellje foragjere e drusore sipas shkallës së pjellorisë në të cilën gjenden.
Është shumë e rëndësishme që të merren masa parandaluese për zjarret në pyje, si element shkatërrues jo vetëm për sipërfaqet pyjore, por dhe për strukturën e tokës apo gjallesat që ndodhen në të. E për këtë duhet ndërhyrë në mënyrë të menjëhershme, kryesisht në pyjet e virgjëra të parqeve kombëtare, duke i bërë pritë këtij rreziku të madh me investime në drejtim të hapjes së korridoreve mbrojtëse kundër zjarrit.
Marrja e masave për mjetet logjistike që mungojnë, për pajisje kundra zjarrit, blerja e një helikopteri si shumë i domosdoshëm, pasi në momentet e para fillestare të zjarrit efikasiteti i tij është shumë i lartë në mbrojtjen nga ky fenomen shkatërrues.
Rigjenerimi i sipërfaqeve të shkatërruara nga guroret, të shkatërruara ndër vite.
Në sipërfaqet pyjore mungojnë infrastrukturat e duhura, si rrugët autopyjore, rrugët pyjore, shtigjet apo kullat e vrojtimit.
Është mjaft e rëndësishme rigjenerimi i të gjithë kësaj infrastrukture, i pritshmërisë pyjore, për t’i bërë sa më funksionale për t’i paraprirë rrezikut më të madh në pyje, atij të zjarreve.
Shfrytëzimet vazhdojnë të kryhen vetëm në ata grumbuj pyjorë që kanë të nevojshëm trajtimin me prerje për sigurimin e ripërtëritjes natyrore, dhe jo në grumbuj të tjerë.
Duhet t’i shikojmë si shumë të rëndësishme, ruajtjen, mbrojtjen dhe përmirësimin e diversitetit biologjik në ekosistemet pyjore dhe kullosore.
Duhet një Inventarizim Kombëtar i Pyjeve, azhornimi i kadastrës pyjore me të dhënat sipas Inventarizimit Kombëtar të Pyjeve dhe Kullotave, si një ndër masat e menjëhershme që duhet të merren për këtë sektor. Akoma ju them me bindje se nuk kemi të dhëna të sakta se sa është fondi pyjor/kullosor në Shqipëri, me të dhëna të sakta në volume e lloje; kjo është puna e parë që duhet të bëhet në mënyrë urgjente. Duhet të përgatitet e miratohet një vendim për riorganizimin e kadastrës pyjore mbi baza bashkëkohore; duke qenë një aktivitet i përhershëm, kadastra pyjore të kryhet nga një njësi e specializuar e DSHP dhe specialisti i Kadastrës të ketë status lidhur me pozicionimin e punës që kryen.
Personelit të shërbimit pyjor i mungon uniforma e duhur që nga viti 2000, si mjaft e rëndësishme për t’i dhënë seriozitetin e duhur këtij shërbimi.
Shërbimit pyjor i mungon logjistika (mjete komunikimi, mjete transporti dhe mjete emergjente) e duhur për të menaxhuar detyrat për zbatim. Nuk mund të konceptohet që një punonjës i shërbimit pyjor të banojë në Tiranë dhe të mbrojë pyjet e zonës së mbrojtur Bizë, apo të banojë në Tiranë dhe të menaxhojë pyjet në zonën e Veriut apo Jugut të Shqipërisë.
Në zonat e mbrojtura, mendoj se është i nevojshëm konservimi.
Ekziston një konflikt i paevitueshëm ndërmjet presioneve për të plotësuar kërkesat globale të shoqërisë njerëzore që shfrytëzon ekosistemet dhe më pak të dukshmet e më të paprekshmet, përfitime të konservimit.
Konservimi përkufizohet si mbrojtja dhe ruajtja e burimeve natyrore dhe të mjedisit. Ai është një proces dinamik dhe sigurohet nëpërmjet ndërhyrjeve aktive dhe menaxhimit, më tepër sesa ruajtja pasive.
Arsyet për konservim dhe principet që qëndrojnë pas strategjive të konservimit janë:
Ndryshimi i përdorimit të tokës mund të çojë në humbjen e biodiversitetit të habitateve dhe llojeve të veçanta.
Historikisht veprimtaria njerëzore ka influencuar në kënetat dhe pyjet.
Menaxhimi i konservimit kërkon ndërhyrje aktive, për të ruajtur llojshmërinë nëpërmjet krijimit të një sërë habitatesh.
5. Interesi shkencor qëndron në shkallen e komuniteteve, llojet e bimëve dhe kafshëve të rralla.
6. Rezervatet natyrore sigurojnë mundësi për kërkime, studime shkencore dhe njohje për nxënësit dhe studentët.
7. Përfitime argëtimi.
8. Konservimi synon mbrojtjen e ekosistemeve ekzistuese për të ruajtur fondin gjenetik.
Pyjet në Shqipëri janë një pasuri e madhe, që pa dyshim, në aspektin ekonomik ndikon pozitivisht. Kemi në konsideratë të ardhurat që krijohen nga menaxhimi i qëndrueshëm nga prodhimet pyjore e jopyjore, të ardhurat nga prodhimet e dyta që sot nuk vilen. Mendoj se një e ardhur shumë e rëndësishme është dhe përdorimi i biomasës për djegie, prodhim energjie për ngrohje.
Duke qenë dhe kërkesë e Bashkimit Europian që 12% e energjisë të prodhohet nga biomasa, duke plotësuar 15-16% të nevojave për energji (kryesisht për ngrohje, për rregullimin e ngrohjes në banesa), krijohet mundësia e punësimit, kryesisht në zonat rurale. Mendoj se duke u stimuluar kjo teknologji e prodhimit të energjisë nga biomasa pyjore, energjia nga biomasa pyjore ka të bëjë me burimet dhe kapacitetin prodhues të lëndëve djegëse dhe nevojat energjetike nga druri, ashklat, briketa dhe peletës, sasia e materialit drusor që shfrytëzohet tani dhe përdoret për ngrohje është disa herë më e vogël, nëse do të përdoret një sistem qendror me kaldaja për shkollat, kopshtet, spitalet dhe qendrat e tjera të grupuara, si dhe banesat. Nuk po bëjmë ilustrime me përfitimet nga prodhimi i energjisë për ngrohje nga biomasa, pasi ne i disponojmë dhe nëse është e nevojshme i vëmë në dispozicion.
* Shefi i Seksionit të Policisë Pyjore, Tiranë