Opozita dhe disa nga partitë aleate të PD-së të cilat kanë shprehur qëndrimin e tyre pro dekreteve mund të bëjnë që shifra e votave pro dekreteve ti afrohet numrit magjik 71. Fati i dekreteve duket se varet nga deputetët në PD që njihet si mbështetësit e Topit



Dekretet e presidentit Bamir Topi për anëtarët e Gjykatës së Lartë duket se do të tregojnë edhe “peshën” që ai ka aktualisht në Partinë Demokratike. Miratimi i dekreteve apo rrëzimi i tyre, logjikisht varet vetëm nga vota e deputetëve që njihen si mbështetës të tij. Duke bërë një përllogaritje të thjeshtë votash, bazuar edhe në qëndrimet dhe deklarimet e forcave politike në parlament, dekretet arrijnë të marrin përafërsisht 66 vota pro, ndërkohë që për rrëzimin e dekreteve duhen 71 vota nga 140 që ka parlamenti. Janë pikërisht 5 vota pro që lypsen të ofrohen nga ana e deputetëve mbështetës të ish-nënkryetarit të PD-së, Bamir Topi, ato që do të fundosin apo do të shpëtojnë nderin e Presidentit të Republikës në betejën e tij të parë independentiste, për të thyer vargonjtë partiakë. Opozita e ka deklaruar tashmë qëndrimin e saj pro dekreteve, ndërsa kandidaturat e përzgjedhura nga presidenti Topi për opozitën i plotësojnë të gjithë kriteret. Aktualisht, opozita ka 53 vota që mund të shkojnë pro dekreteve. Ndërkohë, edhe në mazhorancë duket se është krijuar një përçarje për këtë çështje. Dy ditë më parë në parlament demokristianët deklaruan se janë pro dekreteve të propozuara nga parlamenti dhe në rast se ata votojnë pro dekreteve, atëhere votat pro tyre bëhen 61. Ndërkohë, qëndrim pro dekreteve duket se kanë edhe 3 deputetët e PBDNJ-së të cilët në rast se votojnë pro tyre, atëherë bëjnë që numri i votave pro të shkojë në 64. Ndërkaq, edhe deputeti i pavarur, Spartak Ngjela dhe deputeti i LDK-së, Nikollë Lesi, të cilët e kanë kundërshtuar mazhorancën për qëndrimin e saj për dekretet, po të votojë pro tyre, e rrit numrin e votave në 66. Nga një përllogaritje e thjeshtë, dekreteve të presidentit u duhen edhe 5 vota pro që të mund të marrin miratimin përfundimtar por edhe që të pengojnë mazhorancën ti rrëzojë ato. Në këtë moment, “fati” i dekreteve duket se mbetet vetëm në dorë të atyre deputetëve që njihen si mbështetës të tij, të cilët nuk janë të paktë në numër brenda Partisë Demokratike. Nga ana tjetër, në rast se Partia Demokratike propozon që votimi i dekreteve të bëhet me votim të hapur, rrezikon edhe ndryshimin e ngjyrës së kartonave në mazhorancë. Aktualisht rregullorja e përcakton që dekretet të votohen me votim të fshehtë, sipas nenit 60/1, kur votimi ka të bëjë me personat, siç është edhe rasti i 5 anëtarëve të propozuar për Gjykatën e Lartë. Megjithatë, nuk përjashtohet edhe mundësia që mazhoranca të “shfrytëzojë” ndonjë hapësirë ligjore që dekretet të votohen në mënyrë të hapur.