Në Shqipëri, ngjarje qesharake që ilustrohen nëpër televizione kombëtare a lokale me seriozitet grotesk, ka pafund! Sot që po shkruaj këtë “mrokllën k’tu”,  shpenzova pothuajse pjesën më të madhe të ditës në shtëpizën time të bukur, por të lënë pas dore, (sot e kuptova që ia kisha var fare bidonët shtëpisë), e teksa bëja punët mbaja në sfond televizorin, i cili në shtëpinë time hapet vetëm tri herë në vit!

Arsyeja pse unë nuk shoh pothuajse fare televizor është vetëm një: nuk kam ç’shoh! Një buuum telenovelash, ku flitet për ca muhabete ordinere, horoskopë nga mëngjesi deri në darkë, tallavaja po tallava dhe ai që nuk mungon kurrë është KRYEMINISTRI, i cili në çdo mbledhje qeverie flet vetë, përgjigjet vetë dhe shfaqet vetëm ai. Unë nuk e kuptoj sesi nuk ia vret sytë shqiptarëve portreti i kryeministrit 24 orë ONEIR?! Ai është qeveria! Ai është partia! Ai është, po, po ai dhe vetëm ai është GJITHÇKAJA VETË! 

Kur flet ai nuk pipëtin askush tjetër. Dhe unë natyrshëm kam gjashtëqind mijë pikëpyetje tani, lidhur me funksionimin e këtij palo Guvernamenti!

Fërst of oll: Çfarë pune bëjnë ministrat? Përderisa ata vetëm marrin urdhra nga ai në çdo mbledhje qeverie e nuk pasqyrojnë asnjë rezultat të punëve të tyre, asnjë projekt konkret, asnjë shqetësim, asnjë hall, asnjë kënaqësi. Madje nuk u del as fytyra, aq sa, po të mos kishte qenë për shfaqjet e tyre të vazhdueshme nëpër vaki e tragjedi popullore apo nëpër inaugurime qorrsokakësh, sipas të gjithë Standardeve, unë nuk do t’u mbaja mend as fytyrën e jo më emrin!

Sekënd: Përderisa ai di gjithçka, sipas atyre që shoh tek mbledhjet e qeverisë oneir, dhe nuk dëgjon askënd të flasë, por vetëm urdhëron e merr vendime me prepotencë të lartë, pse atëherë pretendon të shpallë përgjegjës për fatkeqësitë e ATDHEUT TIM TË SHKRETË ata të cilët nuk ua dëgjon kurrë zërin!? Kur do t’ia raportonte ish-ministri i Mbrojtjes situatën kryeministrit?! Apo pas mbledhjes së qeverisë, tek bari i kryeministrisë, teksa ai njomte fytin e tij të tharë nga monologët prej udhëheqësi?! Mbase ky do të mund të ishte një moment i mirë për ministrat, ku do të mund të gjenin një cikë hapësirë për raportim?! Kushdo të ishte ministër i kësaj qeverie, mezi do të kishte pritur përfundimin e “Koncertit në fund të mandatit”, për t’u larguar më pas me të katra nëpër zyra, për të liruar kollaren nga sëkëlldia që të shkakton MUMIFIKIMI!

Thërd: Njerëz pa pikë dinjiteti! Cili është kontributi i ministrave në këtë qeverisje? Apo është vetëm ai i të përfituarit nga pushteti, i të bërit me detyrën e tyre ç’i do qejfi kryeministrit e nja dy tre miqve e shokëve?! Nuk u neveritet vetja atyre që trajtohen si çapaçulë nga ai, që përpara se t’i shpallë ministra, i ngre nëpër piedestale të lavdishme, ndërsa më pas nuk u hedh as sytë e jo më t’u dëgjojë zërin?!

Forth (dhe kjo është më absurdja nga të gjitha): Mazhoranca që duhej të jepte shembullin e lirisë dhe demokracisë, i përngjet në mënyrën më të shëmtuar një sistemi diktatorial, të cilin….NUK E DUA MË!

Por le t’u rikthehemi karagjozllëqeve të televizioneve shqiptarë! Pasi bashkë me Gërdecin, shpërthyen edhe horrllëqet e diktaturës moderne shqiptare, sikur të mos kishte ndodhur asgjë; shoh të shfaqet një mesazh promocional i Ministrisë së Mbrojtjes (por që me siguri është ide e kryeministrit, për të gjitha ato arsye që ju thashë pak më lart, por edhe për shumë të tjera), ku flitet as më shumë e as më pak, për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO!

“More po, - thashë me vete, - janë në terezi këta apo….!?”

Mirëpo ata sigurisht nuk janë aspak në terezi, pasi janë të bindur që Shqipëria e ka vendin në NATO! Sepse NATO-ja, sipas tyre, është aq shpirtgjerë, saqë të harrojë çdo kalbësirë të mollës shqiptare, lyer me ar dhe e krimbur prej vitesh nga çdo pushtetar. Hidhuni, hidhuni hi syve shqiptarëve të shkretë, që as nuk e kanë idenë çdo të thotë të jesh anëtar i NATO-s!  Kujtojnë të shkretët se shumë shpejt do të bëhen dinjitozë. Se vetëm NATO-ja do t’ua kthente shqiptarëve dinjitetin! Ndërkohë që ky vend ka marrë fund! Fare, fare, fare (për dy milionë arsye dhe për ato që kam shkruar pak më lart).

Befas pas Gërdecit, shfaqet ministrja e Jashtme greke, e cila del në konferencë për shtyp e thotë: “Shqipëria i plotëson të gjitha kushtet për t’u anëtarësuar në NATO”!

Skandaloze! Sidomos kur thuhet nga ministrja e një shteti, ku ushtarët e kufijve stërvitin grushtet e kalojnë kohën e lirë prej rojtari pylli me grada, me trupa refugjatësh shqiptarë. E një shteti që mban peng pronat e çerekut të shqiptarëve. E një shteti që thur himne kundër shqiptarëve. Një shteti që i trajton shqiptarët si lecka! Apo ata nuk janë shqiptarë për NATO-n?!

Përkthe e mirato ligje! Përkthe e mirato ligje! E kanë bërë Shqipërinë nëpër letra Francë, Itali, Gjermani.... etj!

Ndërsa me vepra…………………..SHPËRTHEC!