Ideja e drejtuesve të Prishtinës, për ta formuar Shoqatën e Klubeve, po merr përkrahje. Edhe drejtuesit e skuadrave tjera të Superligës janë të gatshëm ta mbështesin këtë nismë me kusht që shoqata të mos jetë kundër Federatës së Futbollit të Kosovës, por të bashkëpunojë me të për të mirën e futbollit.


Nga Valon Konushevci më 19 janar 2011 në ora 12:41

Ideja e udhëheqësve të liderit të Superligës, FC Prishtinës, për ta formuar Shoqatën e Klubeve të futbollit po merr përkrahje.



Shumica e zyrtarëve të klubeve të Superligës janë të gatshëm ta mbështesin këtë nismë të klubit bardh e kaltër, por me kusht që kjo ide të jetë e pastër dhe mos të ketë ndonjë prapavijë që do të mund ta fuste futbollin kosovar në krizë akoma më të madhe.



“Ne jemi të hapur për çdo iniciativë që ka për qëllim avancimin e futbollit dhe m’i shty përpara proceset që janë në favor të zhvillimit të futbollit”, deklaroi për Express kryetari i Besës së Pejës, Agim Elshani.



Njëjtë sikurse Elshani është shprehur edhe kryetari i Vëllaznimit, Agim Koci, dhe ai i Trepçës ’89, Abedin Zeka.



“Ende nuk jam i informuar zyrtarisht rreth kësaj iniciative. Por, kryesia e klubit tim është e hapur të diskutoj rreth kësaj çështjeje. Ne do ta mbështesim fuqishëm çdo iniciativë, pavarësisht se nga kush vjen, që ka për qëllim t’i shërbejë për të mirë futbollit tonë. Njëjtë duhet vepruar të gjitha klubet”, tha Zeka.



Kurse, drejtori ekzekutiv i Flamurtarit, Agim Hasani, theksoi se klubi i tij do ta mbështeste këtë iniciativë të FC Prishtinës, por me kusht që shoqata të bashkëpunojë me Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) e jo të tentojë që t’i rrëzojë nga postet udhëheqësit aktualë të shtëpisë së futbollit kosovar.



“Jam për formimin e shoqatës, por me kusht që shoqata të bashkëpunojë me federatë për t’i çuar bashkërisht proceset përpara. Pra, duhet të bëhet një bashkëpunim i mirëfilltë dhe i drejtë. Por, nuk jam për me formuar një shoqatë që m’i udhëheq vetë garat. Garat duhet të vazhdojë t’i udhëheqë federata”, theksoi Hasani. Ai potencoi se avancimi i futbollit varet shumë edhe nga vetë puna e zyrtarëve të klubeve të Superligës.



Njëjtë është shprehur edhe kryetari i klubit kampion, Trepçës, Nexhmedin Haxhiu. “Unë mendoj se FFK-ja ka punuar bukur shumë deri më tani. Andaj, jam pro formimit të shoqatës, por me kusht që shoqata ta mbështesë federatën për t’i çuar proceset përpara, e jo për ta kritikuar apo për të punuar kundër saj”, tha Haxhiu.



Disa nga udhëheqësit e klubeve mendojnë se futbolli kosovar nuk ka nevojë për formimin e një shoqate të tillë. Njëri ndër ta është edhe drejtori i Lirisë, Hatmi Gashi.



“Nuk jam për të formuar shoqata jashtë federatës. Jemi vend i vogël dhe nuk mund të emërojmë kryetar federate, kryetar shoqate, pra kryetar pas kryetari. Por, jam për atë që ne si klube t’i bëjmë presion federatës, që kjo e fundit, me federatat tjera sportive, të bëjnë trysni më të madhe nëpër institucione që të paktën të rregullohet infrastruktura ligjore”, pohoi Gashi.



Në një intervistë për Express, nënkryetari i FC Prishtinës, Afrim Muçiqi, ka treguar se e ka iniciuar formimin e Shoqatës së Klubeve me qëllim që të bëhet revolucion në futbollin kosovar, i cili nuk ka bërë asnjë hap para që 12 vjet.



Muçiqi kishte shprehur bindjen se kjo iniciativë do të mbështetet nga të gjitha klubet, duke besuar se kjo shoqatë do të formohet brenda këtij stinori.