Ballafaqimi i Emiljano Shullazit me dëshmitarin e mbrojtur Ylvi Beqja dhe debatet mes tyre, nxjerrin emrat e zyrtarëve dhe politikanëve me të cilët janë takuar. Ata treguan për takimet me ministra, gjyqtarë, drejtues hipoteke apo zyrtarë të lartë të administratës e deri te persona me precedentë penalë


ABC News


Përballja në sallën e gjyqit mes Emiljano Shullazit dhe biznesmenit me statusin e dëshmitarit të mbrojtur, Ylvi Beqja, nxorri në pah edhe lidhjet e dy protagonistëve të këtij procesi me emrat e shumë politikanëve, zyrtarëve të lartë, gjyqtarve e punonjës të administratës.


Ishte vetë Emiljano Shullazi, i cili gjatë pyetjeve që i drejtoi dëshmitarit të mbrojtur Beqja, nxori emrat e shumë personazheve të njohur, disa prej të cilëve edhe i kishin takuar së bashku. Kështu Shullazi, tregoi indirekt për bisedat që ka bërë me Ylvi Beqjan, si për ngritjen e një kompanie së bashku për riciklimin e mbetjeve spitalore, ashtu edhe për takimin me ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqja, nga i cili do të fitonin tenderin.


Shullazi i kujtoi dëshmitarit të mbrojtur edhe për bisedat mes tyre për pushimet që Ylvi Beqja ia kishte paguar ish-kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli në Arabinë Saudite.


Gjatë debatit mes tyre, Shullazi tregoi edhe një moment kur Ylvi Beqja i kishte dhënë numrin e telefonit të gjyqtares Fatmira Hajdari, me të cilën të fliste Shullazi për gjyqin e ish-hotel Vollgës në Apelin e Tiranës.


Ata treguan edhe momentet e takimit së bashku me drejtorin e përgjithshëm të Hipotekës, Ilirjan Muho për regjistrimin e ish-hotel Vollgës në emër të kompanisë që Ylvi Beqja përfaqësonte.  Pjesë e pyetje-përgjigjeve mes tyre, në sallën e gjyqit ishin edhe disa biznesmenë të njohur në vend, me të cilët Shullazi dhe Beqja ishin takuar për problemet financiare të dëshmitarit të mbrojtur.


Nga ana tjetër, Beqja nuk kurseu edhe disa avokatë të njohur në vend, duke i akuzuar se i kanë bërë presion së bashku me disa persona me precedentë penalë, si rasti i Elvis Martinit, i cili i kishte kërkuar të hiqte dorë nga kallëzimi ndaj Shullazit kundrejt 7 milionë eurove.


Ndërkohë pritet që të martën e ardhshme, kur Ylvi Beqja do të vazhdojë dëshminë e tij, të pandehurit e avokatët mbrojtës ti drejtojnë edhe pyetje të tjera për takime e ngjarje të caktuara mes Shullazit dhe dëshmitarit të mbrojtur.