Përfaqësuesit e serbëve të Zveçanit dhe Mitrovicës, kanë marrë vendim që të mbajnë referendum më 14 dhe 15 shkurt të vitit të ardhshëm për t’u deklaruar “për” apo “kundër” institucioneve të Kosovës. Ministri Bajram Rexhepi thotë se kjo është një përpëlitje kundërligjore. E Oliver Ivanovic, ndërkaq thekson, se kjo mund t’iu kthehet serbëve të veriut si bumerang.

Serbët e Veriut po e përmbyllin këtë vit edhe me një aksion, por kësaj radhe pa barrikada.

Përfaqësuesit e komunave paralele në Zveçan dhe Mitrovicë kanë marrë të mërkurën vendim që të mbajnë referendumin e paralajmëruar, më 14 dhe 15 shkurt të vitit të ardhshëm.

Në bazë të këtij referendumi do të përcaktohet nëse serbët e Veriut do të pranojnë instalimin e institucioneve të Republikës së Kosovës në atë pjesë apo jo.

Vendimi për këtë iniciativë është marrë në mbledhjen e Kuvendit të këtyre dy komunave paralele. I ashtuquajturi Kryetar i Kuvendit të Zveçanit, Dobrosav Dobric, ka theksuar se referendumi është shprehje më e lirë e vullnetit të popullit.

Mirëpo, ende nuk dihet nëse këtë vendim do ta mbështesë edhe përfaqësuesi i Komunës së Leposaviqit, kryetari paralel, Branko Ninic.

Ky i fundit pati mbështetur qëndrimin e të ashtuquajturit ministër për Kosovën, Goran Bogdanovic, për mosmbajtje të referendumit, të cilin e kanë cilësuar të panevojshëm.

Ndërkaq, kryetari paralel i Zubin-Potokut, Slavisa Ristic ka thënë se përfaqësuesit e serbëve të kësaj komune do të takohen e do ta sjellin vendimin nëse e mbështesin apo jo referendumin.

Ndërkohë nuk kanë munguar as reagimet e zyrtarëve vendës rreth kësaj çështjeje.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi ka pohuar se përfaqësuesit e serbëve ilegalë të Veriut po e bëjnë këtë për t’u faktorizuar në opinion.

“Ata kanë pasur shumë nisma të tilla, të ngjashme për me u faktorizu, edhe pse nuk kanë legalitet. Faktikisht ata kohëve të fundit kanë rënë në kundërshtim me vetë qëndrimet e Qeverisë serbe. Realisht, ky referendum që organizohet, paraprakisht mundet me u ditë rezultati, sepse ai është i manipuluar jo vetëm me vota, por vetë organizimi i referendumit si i tillë bëhet që dihet rezultati paraprakisht”, ka thënë Rexhepi për Express, të mërkurën

Për Ministrin e Brendshëm, referendumi i paralajmëruar nuk mund të ketë kurrfarë pasoje, as politike, e as ligjore.

Sipas tij, gjithçka është fushatë paraelektorale e serbëve para zgjedhjeve në Serbi.

“Natyrisht se shumica e udhëheqësve serbë atje janë përkrahës të Kostunicës, të Nikolicit e Sheshelit, e më së paku ka të DS’së të Boris Tadicit. Kjo është një matje e fuqisë së tyre politike. Pra, janë edhe konflikte të brendshme që po mundohen me u faktorizu sa i përket popullatës, por edhe karshi Serbisë dhe opinionit ndërkombëtar”, ka thënë Rexhepi.

“Këto janë përpëlitje të tyre që dalin kohë pas kohe dhe të cilat nuk kanë kurrfarë vlere dhe janë të paarsyeshme. Neve s`na bën përshtypje rezultati i tyre. Nuk është mirë që të merremi me çështje të tilla. Për ne nuk paraqesin kurrfarë efekti, as politik, e as juridik”, ka thënë ai.

Arbër Vllahiu nga Zyra e Presidentes, ka thënë se strukturat, të cilat kanë marrë nismën për mbajtjen e këtij referendumi, janë ilegale.

“Askush në Kosovë, asnjë komunë apo grupim komunash dhe as edhe një grup etnik, fetar apo politik nuk mund të organizojë referendum për t’u deklaruar se a e pranon shtetin e Kosovës”, ka deklaruar Vllahiu.

Sekretari i Ministrisë për Kosovën në Qeverinë serbe, Oliver Ivanovic ka deklaruar se nisma e dy Kryetarëve të komunave paralele në Veri duket e kotë.

Ai ka thënë për Express se referendumi nuk duhet të mbahet dhe se nëse mbahet, shkon në dëm të vetë serbëve të Veriut, ngase ata po bien ndesh me vendimin e Qeverisë serbe.

“Është e qartë se serbët e Veriut dhe Qeveria e Serbisë nuk i pranojnë institucionet e Kosovës, kur është e qartë pse ti prapë po insiston me pasë atë vendim. Me atë referendum, ata po hupin veç edhe ka me pasë antireaksione edhe mes kryetarëve të komunave me Qeverinë e Serbisë”, ka thënë Ivanovic.

Ai iu ka bërë thirrje serbëve të mos e mbajnë atë referendum, ngase po hyn në përleshje me Qeverinë e Serbisë.

“Nuk ka dobi, veç dëm për vetë ata”, tha ai.

Ndryshe, referendumi për pranimin apo jo të institucioneve të Republikës së Kosovës në pjesën veriore të Mitrovicës është paralajmëruar edhe më herët.

Kjo iniciativë ishte kundërshtuar nga zyrtarët e Beogradit.

Borko Stefanovic dhe Ministri serb për Kosovën, Goran Bogdanovic janë ngritur kundër nismës së serbëve të Veriut për mbajtjen e një referendumi kundër institucioneve kosovare.

Bogdanovic ka thënë se ky referendum është plotësisht i panevojshëm, ndërsa e ka cilësuar si vendim të pastër politik të opozitës.

Madje pati thënë se me kësi hapi, opozita vetëm sa po synon ta bllokojë rrugën europiane të Serbisë.