Policia e Kosovës ka kthyer në punë, zyrtarët e saj të suspenduar me rastin e vjedhjes në dhomën e provave.



Duke mos u degraduar, të njëjtit janë kthyer në pozita të të njëjtit nivel, por janë vendosur në vende të ndryshme të punës.



Në këtë rast, nënkolonel Fatos Haziri, tashmë është vendosur në pozitën e zëvendësdrejtorit rajonal për administratë, në rajonin e Prishtinës.



Edhe të tjerët si Haxhi Krasniqi dhe Senad Kelmendi, të cilët me grada janë majorë, janë vendosur në detyra të tjera, por asnjëri nuk është vendosur më ulët sesa gradat që kanë.



Ata nuk janë degraduar, prandaj detyrat e tyre i takojnë të njëjtit nivel në përputhshmëri me gradat që kanë, thotë Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës për Express.



Pavarësisht kësaj, zyrtarë të lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme sqarojnë se kthimi i këtyre zyrtarëve në punë nuk nënkupton se çështja është mbyllur.

I pyetur nga Expressi nëse policia ka dështuar të arrestojë personat përgjegjës për këtë vjedhje dhe tash heshturazi tenton ta mbyllë atë, Fisnik Rexhepi, këshilltar i lartë politik i ministrit të Punëve të Brendshme, e mohon një gjë të tillë.



Ai sqaron se heqja e masës së suspendimit për këta persona dhe kthimi i tyre në punë është bërë duke u bazuar në vendimin e prokurorit të çështjes.

Prokurori i EULEX-it që merret me këtë çështje ka treguar se të njëjtit nuk janë duke u hetuar për vepër penale, prandaj Policia e Kosovës i ka kthyer ata në punë, thotë Rexhepi për Express.



Sipas tij, kjo nuk do të thotë se të njëjtit nuk mund të hetohen dhe se një gjë e tillë është duke u kryer edhe nga Inspektorati Policor i Kosovës.



Rasti ka kaluar në kompetencë të EULEX-it. Inspektorati i Policisë së Kosovës është duke vazhduar hetimet për shkeljet disiplinore për këta zyrtarë dhe në bazë të rekomandimeve që do të japë pas hetimeve, Komisioni për Emërime të Larta dhe Disiplinë do të marrë masa përkatëse, shpjegon këshilltari Rexhepi.

Ai shprehet të jetë i bindur se kthimi i këtyre zyrtarëve në punë, nuk e paragjykon rezultatin e procesit hetimor.



Mund të them se ka edhe dinamizëm të krejt procesit hetimor, thotë Fisnik Rexhepi, duke treguar se marrja e rastit nga EULEX-i, tregon se kjo çështje nuk ka vetëm karakter nacional.



Meqë me këtë rast po merret edhe EULEX-i, ky rast ka një dimension më të madh. Dyshohet se kjo vjedhje është bërë nga një rrjet i organizuar mirë ndërkombëtar, shpjegon zyrtari i lartë i MPB-së.



Sipas tij, duke qenë se institucionet e vendit kanë probleme në komunikim edhe me vendet e rajonit, meqë rasti është marrë nga EULEX-i, atëherë ata besojnë se do të ketë më lehtë shkëmbime të informacioneve.



Vjedhja në dhomën e provave në Policinë e Kosovës ka ndodhur në muajin qershor të këtij viti.



Nga aty janë marrë 47 kilogramë e 627 gramë substanca narkotike të llojit heroinë, 7 bimë kanabis; 3 mijë e 828 euro para të gatshme, 520 rupi indian, 6.5 milionë lira turke, 5 mijë lej rumunë, 950 lekë shqiptarë dhe një çantë e zezë sportive.



Deri më tash, në lidhje me këtë rast të rëndë, edhe pse thuhet se janë duke u bërë hetime, nuk ka asnjë të arrestuar apo të ndaluar.