Kukës


Ka përfunduar dje në mesditë sezoni i provimeve, njëherësh edhe viti akademik në Fakultetin Ekonomik të Kukësit, i çelur një vit më parë. "I gjithë sezoni i provimeve të studentëve të vitit të parë ka vijuar normalisht, pavarësisht rezultateve të arritura që realisht lënë për të dëshiruar", - thotë dekani i Fakultetit, dr. Mexhit Hajdari. Sipas tij, edhe pse ky vit shkollor nisi me vonesë, në muajin dhjetor të vitit të kaluar, programi mësimor është realizuar plotësisht. Po ashtu, janë kryer të gjitha leksionet dhe seminaret, ndërsa të gjitha provimet janë kryer nën mbikëqyrjen e pedagogëve të Fakultetit Ekonomik të UT-së, ndërsa korrigjimi bëhet në Tiranë. Gjatë këtij sezoni provimesh studentët e këtij fakulteti kanë dhëne provim lëndën e anglishtes me kalueshmëria të lartë, lëndën e menaxhimit, lëndën e mikroekonomisë dhe atë te bazave të financave. Vitin e ardhshëm akademik, në këtë universitet parashikohet të hapen edhe dy degë të reja, Fakulteti i Infermierisë dhe Fakulteti i Gjuhës Angleze.


Këtë vit akademik, në Fakultetin Ekonomik të këtij qyteti u regjistruan 76 studentë, ndërsa vijuan mësimet 65 studentë gjithsej. Studentët e vitit të parë janë kryesisht nga rrethet e zonës verilindore si Hasi, Dibra dhe Puka, por ka edhe nga Tirana e Durrësi. Gjatë këtij viti studentët nga rrethet e tjera e kanë zgjidhur privatisht problemin e strehimit dhe të ushqimit, ndërsa për vitin e ardhshëm parashikohet hapja e një konvikti për studentët.