Nga Olsi Jazexhi


Shkrimin e Mustafa Nanos me titull Myslimanët nuk janë shumicë; por edhe sikur të ishin. e lexova dje ndërsa isha në Sul të Devollit te disa të afërm të mi. Përpara se të shkoja në Sul mu desh të kaloja nga Zvezda, Cangonji, Bilishti, Vishotica, Hoçishti, Poloska, Dobraj, Braçani e më pas të arrija në Sul. Ndërsa po kaloja gjithë këto fshatra, më binte ndër mend një bisedë që pata me një mikun tim në telefon i cili, pasi kishte keqkuptuar shkrimin tim të pardjeshëm mbi Skënderbeun, kishte krijuar mendimin se unë thosha që shqiptarët janë arabë. Mikut i shpjegova që ndërsa shqiptarët nuk janë arabë, ata nuk janë as popull perenial, apo i lashtë dhe unik. Nuk janë një fis i vetëm katolik që rrjedh nga ilirët dhe sipas përrallës së Kishës Katolike është evangjelizuar nga Shën Pali për tu lidhur më pas me Papët e Romës dhe prodhuar supermenin e Krishterimit, Skënderbeun. Shqiptarët janë një popull i krijuar nga miksja me shumë fise dhe etni përgjatë historisë.


Në Devoll, ku vizitova kushërinjtë e mi të gjallë dhe të vdekur, ku shumica e tyre janë biondë dhe sylarushë, emrat sllavo-bullgarë të fshatrave të Devollit vërtetonin edhe një herë atë që shkrova pardje, që shqiptarët u krijuan si popull falë miksjeve të etnive dhe feve të ndryshme përgjatë historisë. Faktor me rëndësi që ka çuar në krijimin e etnisë shqiptare, nuk ka qenë lugati i Skënderbeut të cilin e shpikën fuqitë imperialiste të Adriatikut në fillim të shekullit të XX dhe sot e reklamojnë skënderbegistët-katolikë si babanë e kombit, por Islami dhe Turqia. Sikur turqit të mos kishin fituar betejën e tyre në Fushë Kosovë kundër Car Llazarit, dhe sikur bejlerët myslimanë shqiptarë të mos kishin mundur pushtimin austriak të Pjetër Bogdanit dhe Pikoliminit, sot Kosova nuk do të ishte e populluar me kaq shumë shqiptarë myslimanë sa është sot. Fitorja e Perandorisë Osmane mbi mbretëritë e krishtera të Ballkanit, u mundësoi fiseve shqiptare që jo vetëm të islamizohen, por edhe të vërshojnë që drejt jugut të Shqipërisë në More, dhe që nga malet e Prizrenit e deri në Nish.


Mbi rëndësinë e Islamit në përhapjen e etnisë shqiptare, mikut tim i përmenda, për shembull, sesi në fshatin Plasë, Voskopojë, Kapshticë, Zvezdë dhe kështu me radhë banorët myslimanë janë shqipfolës ndërsa në fillimet e shekullit të 20-të, kur kombi shqiptar nuk ishte formësuar ende, shumë të krishterë kanë qenë vllahisht, apo bullgarishtfolës. Toponomia sllavo-bullgare e zonave të Korçës pe nga unë vi, tregojnë katërcipërisht bindshëm rëndësinë që ka pasur Islami në krijimin e etnisë shqiptare. Sesi, e qysh e tek arritën fiset shqiptare myslimane të përfundojnë në fshatra me emra sllavë sikur Braçani, Dobraj, Poloska, Cangonji e kështu me radhë unë nuk mundem ta shpjegoj në detaj pasi faktet e shkruara nuk na ndihmojnë shumë këtu. Nuk mund të them me siguri nëse banorët e këtyre zonave janë sllavo-bullgarë të shqiptarizuar, apo shqiptarë që kanë populluar vendbanime që më parë kishin banorë sllavishtfolës. Çfarë di të them është që shumica e shqiptarëve sot janë myslimanë, dhe kur Turqia u largua nga Ballkani, shqiptarët myslimanë ishin grupi etniko-fetar që u masakrua dhe dëbua më shumë në Ballkan nga shtetet fitimtare të krishtera. Pse shqiptarët ishin në shumicë myslimanë, kur Fuqitë e Evropës e krijuan Shqipërinë si shtet kërkuan që në këtë shtet myslimanët të mos lejoheshin që ta kthenin këtë vend në një Turqi të vogël, apo në një Brunei, apo Malajzi, por myslimanët të ishin gjithnjë të shtypur dhe përbuzur. Për këtë arsye Fuqitë e Evropës e patën halë në sy jo vetëm lëvizjen e Haxhi Qamilit dhe Esat Pashën, por e panë me dyshim edhe Ahmet Zogun, mbretin e vetëm mysliman të Evropës. Vetëm Stalini, i cili instaloi në pushtet Enver Hoxhën dhe Mehmet Shehun, (lexo librin e Enver Hoxhës, Me Stalinin) është treguar dashamirës me myslimanët shqiptarë në shekullin e XX-të.


Tani duke ju kthyer shkrimit të Mustafa Nanos, i cili më quan militant mysliman (militant në cilin sens? Me pushkë, apo me penë?) dhe më thotë Mjaft tani, mjaft, me këtë spekulim!, kur unë them në shkrimin tim të mëparshëm shqiptarët, [që] nga Kosova [e deri] në Konispol, janë dërrmueshëm myslimanë, mua më duhet të them që nuk kam sesi të hesht. Ashtu sikur Mustafai nuk pranoi të heshtë kur Moikom Zeqo i kërkoi që të mos shkruaj më për Skënderbeun, edhe unë si historian, por edhe mysliman që jam (dhe besoj se Mustafai do më falë në këtë pikë, domethënë që jam mysliman) nuk mund të hesht së theksuari që shqiptarët janë me shumicë myslimanë, dhe si pasojë edhe Shqipëria është një vend me shumicë myslimane ashtu sikur Pakistani, Malajzia, Indonezia, Egjipti etj.


Edhe pse ky fakt, domethënë që Shqipëria është një vend me shumicë myslimane dhe në statistikat fetare botërore, por edhe nga vetë Papa renditet me Pakistanin, Malajzinë, Egjiptin etj., acaron shumë anti-myslimanë shqiptarë me në krye kryeministrin Edi Rama, unë mendoj se shkencërisht dhe statistikisht është i vërtetë. Islamofobët shqiptarë nuk duhet të mërziten nga ky fakt. Ndërsa kryeministri Rama nuk e lejoi Papën ta theksojë këtë fakt gjatë vizitës së tij në vitin 2014 dhe i tha që jemi vend evropian, sërish faktet janë fakte. Shqipëria, ashtu sikur edhe Kosova, janë dy vendet e vetme myslimane të Evropës (pasi Bosnja nuk ka aq myslimanë sa ne) dhe ne duhet të jemi krenarë për këtë fakt dhe të mos kemi komplekse inferioriteti.


Sipas censusit të vitit 2011, edhe pse Nano e vë atë në dyshim, njerëzit që u deklaruan myslimanë në Shqipëri janë mbi 58% e popullsisë. Kuptohet që nga koha e Zogut, kur shqiptarët ishin 75% myslimanë, censusi i vitit 2011 tregoi se që prej rënies së komunizmit (i cili e ngriu identitetin fetar) myslimanët shqiptarë kanë humbur rreth 17% të numrit të tyre. Domethënë, pak a shumë rreth 350.000 myslimanë shqiptarë nuk janë më myslimanë. E ndoshta edhe më shumë se kaq. Ky është një realitet i dhimbshëm dhe i frikshëm për ne myslimanët shqiptarë, por i vërtetë. Ne myslimanët jemi specie në zhdukje. Po zhdukemi dhe po tkurremi në Evropë, por shyqyr Allahut, sot nuk po na dëbojnë sikur na dëbuan pas Kongresit të Berlinit e deri në Luftën e Parë Botërore kur rreth 5.000.000 myslimanë u dëbuan dhe u vranë në Ballkan dhe Kaukaz. Sot jetojmë në kohë paqeje dhe që pas luftës së Kosovës nuk po na vrasin më sikur na vranë në Srebrenicë dhe gjetkë. Perëndimi i madh që i qofshim falë, po na zhduk në mënyrë të butë. Duke na asimiluar nëpërmjet emigrimit, duke na pakësuar nëpërmjet planifikimit familjar, varfërisë dhe izolimit, duke na konvertuar në katolikë, orthodhoksë, dëshmitarë të Jehovait, mormonë, protestantë, ateistë dhe kështu me radhë, duke na sharë dhe etiketuar si terroristë, ekstremistë, barbarë, talebanë, duke shpikur xhihade dhe duke na hedhur nëpër zjarre dhe konflikte, e kështu me radhë, duke bërë sytë qorr kur qeveritë tona në Tiranë dhe në Prishtinë, braktisin laicizmin dhe kthehen në qeveri teokratike katolike dhe mësojnë fëmijët tanë nëpër shkolla që ne nuk jemi myslimanë, por katolikë dhe që simbolet tona kombëtare janë katolikët, Skënderbeu dhe Nënë Tereza etj. Por kjo është një zhdukje e butë dhe e pranueshme, apo jo?


Që shqiptarët myslimanë po zhduken në mënyrë graduale, këtë e di edhe bufi. Unë vetë kam parë priftërinj katolikë shqiptarë në Kanada me emrin Qerim. Erion Veliaj, kryetari i Bashkisë së Tiranës, nga mysliman është konvertuar në protestant dhe kur erdhi Papa në vitin 2014 ne pamë me sytë tanë përpara kamerave sesi shumë myslimanë shkonin te mesha e Papës për të ngrënë bukën e Krishtit nga duart e priftërinjve duke shpalosur konvertimin e tyre në katolikë dhe duke lënë kështu fenë e familjeve të tyre. Në anën tjetër, në fillimvitet 90 me mijëra shqiptarë fukarenj që emigruan drejt Greqisë, Italisë dhe krejt Perëndimit, për të përfituar leje qëndrimi ndërronin emrat dhe fetë e tyre dhe nga Luan bëheshin Kostandin, nga Mustafa bëheshin Massimo. Në Kanada unë kam parë myslimanë me emra Mero dhe Hasan që kur regjistroheshin si azilkërkues, gënjenin e thoshin jemi katolikë (kohët e fundit pretendojnë se janë homoseksualë, asi e kuptuan që katoliku nuk ha bukë në Kanada) me shpresë se duke u deklaruar katolikë, ateistët dhe protestantët kanadezë do besonin më kollaj rrenat e tyre për të marrë leje qëndrimi.


Shumë nga këta ish-myslimanë sot janë bërë për njëmend katolikë dhe ortodoksë, ndërsa një shumicë edhe më e madhe janë fare të pafe dhe nuk e kanë idenë as të Allahut dhe as të Jezu Krishtit.


Por edhe pse ne myslimanët jemi tkurrur dhe jemi specie në zhdukje, unë nuk mund të bie dakord me shkrimin e Nanos i cili këmbëngulte që në Shqipëri nuk ka as 57% myslimanë, pasi sipas tij një mysliman i vërtetë është ai që rreh gratë, kërkon të sundohet nga sheriati, apo do të shkojë dhe luftojë për ISIS-in. Kur lexova këto pasazhe të Nanos fillova të qesh me të madhe. Nuk e di nëse jam gabim apo jo, por mendoj se Nanoja është shumë i influencuar nga gogoli i terrorizmit islamik të krijuar nga Perëndimi, i cili Islamin e trajton si një fe kokë-prerësish idiotë të cilët rrinë gjithë ditën me syhapur duke pritur që të shkojnë në bordello me hyrrijet e xhenetit. Këto fantazi që shpiken nëpër studiot e Hollivudit dhe nga spindoktorët amerikanë të xhihadizmit islamik, nuk janë konstantet që e bëjnë dikë mysliman. Mysliman është çdo njeri që thotë jam mysliman. Secili individ që në censusin e vitit 2011 e ka deklaruar veten e tij mysliman është mysliman. Nga këta afro 2 milion e kusur shqiptarë të deklaruar si myslimanë shumica dërrmuese nuk di asnjë sure Kurani, nuk ka shkuar asnjëherë në xhami, pi raki dhe ndoshta ha edhe mish derri. Ka nga ata që ndoshta nuk dinë as se kush është Allahu dhe Muhamedi, por dinë se kush është Majkëll Xheksoni dhe Skënderbeu. Por për sa kohë këta njerëz besojnë dhe deklarojnë se janë myslimanë, ata janë myslimanë, dhe ne nuk sillemi dot si xhihadistët e ISIS-it dhe ti deklarojmë qafirainfidelë dhe ti ekskomunikojmë nga Islami, meqë ata nuk përkojnë me skemat islamofobike perëndimore, të cilat myslimanët i tregojnë si njerëz të sëmurë mendorë dhe seksual, që duan vetëm gjak dhe seks, që besojnë një sheriat të cilin spindoktorët e Perëndimit e tregojnë sikur të jetë një ligj sikur Kanuni i Lekë Dukagjinit në fuqi të 20-të, dhe që pasi lexojnë Kuranin u erren sytë dhe duan të vrasin të gjithë qafirët e dynjasë.


Myslimanët nuk janë të këtillë dhe për më tepër shqiptarët myslimanë, i dashur Mustafa, janë të një lloji tjetër. Ata janë sikur të gjithë myslimanët, të krishterët dhe gjithfarë njerëzish të botës ku ne jetojmë. Janë njerëz. Hanë, pinë, mendojnë, lindin dhe vdesin. Falen dhe mëkatojnë mbi këtë planet që ka krijuar i madhi Allah. Qenësia e shqiptarëve me shumicë myslimane, dhe të qenit të Shqipërisë një vend me shumicë myslimane nuk përbën asnjë problem dhe unë të sugjeroj që ta pranosh këtë fakt pa frikë dhe bezdi. Ti nuk duhet të frikësohesh edhe kur myfti Muhamed Sytari e përmend këtë fakt. Ky fakt nuk është thirrje për luftë, por është statistikë dhe forcë potenciale votuesish në një demokraci parlamentare.


Myslimanët shqiptarë në përgjithësi, sikur edhe shqiptarët e tjerë janë njerëz të mirë dhe paqësorë. Myslimanët që janë shumicë, i japin ngjyrim të veçantë Shqipërisë dhe shqiptarëve, Kosovës dhe kosovarëve. Kuptohet që 58% myslimanët e Shqipërisë nuk janë njerëz me pushtet sikur janë 55% myslimanët e Malajzisë, të cilët kanë ndërtuar një shtet më modern, më të drejtë dhe shumë më të mirë sesa Shqipëria e cila sundohet nga hajdutë jo-myslimanë. Por faj për këtë nuk kanë myslimanët e Shqipërisë, por sundimtarët tanë euro-amerikanë./dritare.net