Bilal KolaNga Bilal Kola*

I dashur Z. Kripa!

Meqënëse në shkrimin tuaj të dt. 27/06/2016 ne Gazetën "Telegraf" më luteni (dhe kete lutje ma keni bërë edhe herë të tjera) t'iu kthej përgjigje disa pyetjeve që vetë ju me anë të insinuative aspak te holla i jeni vetë-përgjgijur, në respekt të moshës se thyer dhe origjinës tuaj familjare me modesti po ju a plotësoj deshiren dhe po u jap disa përgjigje faktike. Por së pari më lejo t'iu ri-kujtoj një premtimin tim publik të para rreth dy vjetësh (sapo pranova ta marr detyrën aktuale) kur kam deklaruar se: "Nuk ka forcë tokësore që më vendos mua përballë të përndjekurve. Unë qëkurse jam kthyer nga studimet në vitin 2000, jam dhe do mbetem në krah të komunitetit tim si një aktivist i kauzës së të përndjekurve politikë". Desha t'iu ri-kujtoj këtë premtim publik, pasi ju siguroj se nuk ka insinuatë, shpifje, fyerje a cdo lloj forme tjetër komunikimi privat ose publik që më bën mua të devijoj nga qëndrimi im.

Është fakt që çështja e Memorialit është diskutuar prej vitesh nga komuniteti i të përndjekurve. As më ka shkuar ndonjeherë në mendje të mendoj, jo më të them se këtë cështje e "shpika" unë. Por është po ashtu fakt se me të ardhur unë ne krye të Institutit e kam vënë këtë cështje në katër prioritetet e punës time. Në këtë kontekst, kam bërë bisedime me Drejtorin e mëparshëm të Fondacionit Konrad Adenauer si dhe Drejtorin aktual z. Ëalter Gloss. Më pas kemi zhvilluar një takim më rreth 20 përfaqësues nga komuniteti i të përndjekurve në zyrat e Konrad Adenauer, ku i pranishëm ishte Kryetari juaj dhe njëkohësisht miku im i dashur, Simon Miraka (me të cilin kam një bashkëpunim të shkëlqyer sikurse e kam me të gjithë kryetarët e shoqatave të ish-përndjekurve). Është fakt se Konferencën Ndërkombëtare për Memorialin e kam inicuar unë (në cilësinë e pozicionit që kam) dhe kjo konferencë është bashkë-organizuar nga Instituti dhe Fondacioni Konrad Adenauer. Është fakt se në këtë konference kemi ftuar Presidentin e Republikës, Kryeministrin, Ministrin e Mirëqënies Sociale, Kryetarin e Bashkisë, Avokatin e Popullit, rreth 20 deputete te PD-se, kryetarin e Ballit dhe Legalitetit si dhe te gjithë kryetarët e shoqatave kombëtare, etj, duke përfshirë natyrisht Krytarin tuaj Z. Simon Miraka (por jo ju - se nuk je ende i tillë, kurdo që të bëhesh lutem më njofto që ta mbaj shënim).

I dashur z. Kripa, ju më pyesni mua ku ndodhen ata që kanë kryer krime ndaj kësaj shtrese dhe po vetë i përgjigjeni pyetjes që ngrini duke thënë që ndodhen në pozicione të larta... Është fakt që unë nuk kam qenë ndonjëherë Kryetar Shteti, Kryeministër, Ministër, anëtar KLD-je apo deputet. Përgjegjësinë kush i ka emëruar dhe promovuar kriminelët kërkoja atyre qe kanë qenë në këto pozicione. Është fakt se në pozicionin ku jam, unë kam kontribuar me pasion në përgatitjen e ligjit të dosjeve, i cili ka një nen eksplicit sipas të cilit institucionet janë te detyruara të bëjnë kallzim dhe cojnë për ndjekje penale cilindo person që ka kryer krime kundër të përndjekurve gjatë diktaturës. Është fakt se unë kam mbajtur publikisht gjithmonë qëndrimin tim të palëkundur që ky ligj pa lustracion nuk është perfekt, por së paku nxjerr në pah përçudninë dhe terrorin e ushtruar nga Sigurimi Shtetit dhe krijon mundësinë për dënimin e kriminelëve. Është fakt se që prej 9 muajsh unë kam denoncuar publikisht shpërfilljen e hapur që i bëhet zbatimit të këtij ligji nga parlamenti (mqs ju njihni google, lutem vijoni kërkimin për mua dhe u siguroj që do gjeni dhjetra prononcime të miat në median e shkruar dhe atë vizive në lidhje me këto denoncime). E pra unë e kam bërë energjikisht këtë gjë duke qenë pjesë integrale e draftimit të ligjit që krijon mundësinë e dënimit të krimineleve, të njëtjëen gjë pres ta bëni edhe ju - dhe nëse nuk ia di adresat këtyre personave që në 25 vjet nuk kanë dashur dhe ende nuk duan ta bëjnë, me kënaqësi iu jap unë.

Është fakt se prej 25 vitesh ka vazhduar demagogjia me gjetjen e eshtrave të martirëve të lirisë dhe viktimave të komunizmit (ju dhe shumëkush e di që unë kam 12 familjarë të mi të pushkatuar pa gjyq nga komunizmi). Por gjithashtu është fakt se duke e patur një prioritet të punës time, unë kam dhënë kontributin tim maksimal në afrimin e organizatës ndërkombëtare më prestigjoze në botë, Komisionit Ndërkombëtar Për Gjetjen të Zhdukurve (ICMP) për ta nisur këtë proces dhe si Institut kemi mbëshetur ICMP për thithjen e fondeve nga BE (ju bëj me dije se BE është shumë pranë akordimit të një fondi të tillë për ICMP). Është fakt që unë kam ngritur zërin kundër qeverisë aktuale duke kërkuar që ajo të kontribuojë me fonde, por deri më sot asnjë qeveri nuk e ka bërë një gjë të tillë (lutem vijoni me google...). Ju besoj nuk keni qenë gjithë kohën nëe gjumë gjatë këtyre 25 vjetëve pasi qaratazi zgjuar atë pjesë respektive të dites, keni refuzuar t'i kerkoni llogari atyre që e dështuan në mënyrëe spektakolare me dashje këtë proçes fisnik.

Është fakt se gjatë këtyre dy vjetëve që jam në këtë detyrë, me mundësi financiare tejet modeste por duke bashkëpunuar me donatorë institucionalë kemi kontribuar në promovimin e një numri të lartë të librave të ish-burgosurve politike, projekte të kujtesës kolektive, ngritjen e memorialit në kampin famëkeq të Tepelenës, vendosjen e pllakës memoriale në ish-Burgun e Spacit, aktivitete të ndryshme përkujtimore duke përfshirë edhe mbështetjen e nevojshme financiare për këtë të fundit në Shkodër (lutem interesohuni dhe verifikoni këto fakte).

Është fakt se ligji i Statusit nuk është zbatuar qëkurse është miratuar, por është gjithashtu fakt se unë përballem cdo ditë me instucione shtëtërore në kërkim të mbrojtjes së të drejtave të komunitetit që përfaqësoj. Çudi e madhe që ju si aktivist i "flaktë" i çështjes së të përndjekurve keni mbyllur sytë dhe duke bërë sikur nuk shikoni që partia ku ju militoni e ka shpërfillur plotësisht de facto por pa e abroguar de jure këtë ligj. Por unë ndryshe nga ju nuk falem dhe as kam milituar ndonjëherë në ndonjë parti të majtë (refuzoj të përdor termin "parti e djathtë" se në Shqipëri partitë që kanë dominuar skenën politike këto 25 vjet janë të gjitha të majta) e për rrjedhojë falë Zotit nuk jam peng i askujt, partia ime e vetme është komuniteti që unë përfaqësoj.

Ju nga padija ose nga keqdashja (për hir të moshës dhe origjinës që keni uroj me zemër të jetë e para) më thoni që unë nuk kam kërkuar dënimin dhe heqjen e dekoratave të diktatorit gjakatar, Enver Hoxha?! Iu sugjeroj të vijoni kërkimet në google dhe mbasi ta keni bërë kërkimin dhe të shihni prononcimet e mia pafund, ju ftoj të kërkoni ndjesë publikisht, pasi nësë nuk e bëni do konfirmoni që këtë akuzë e keni bërë me keqdashje (unë keqdashje pres nga shumë syresh që kanë ende teserën e "partise mëmë ose mëmës parti" në partinë ku ju militoni, por kurrsesi prej jush)!

Më kërkoni t'iu përgjigjem se me cilin subjekt do kandidoj për t'u bërë deputet, duke e dhënë vetë përgjigjen në mënyre krejt të trashë dhe tërësisht pa kripë se "jam hedhur në krahët e të majtës...".

I dashur Z. Kripa, kjo përgjigje nuk është vetëm për ju por është për gjithë komunitetin tim, i cili përfaqëson rreth 35% të popullit Shqiptar por nuk përfaqësohet as edhe 1% në parlament, administratë qëndrore, vendore, diplomaci apo çdo hallkë tjetër të vendim-marrjes në Republikën e Shqipërisë. Kjo provon faktin e pakontestueshem që partitë që kanë dominuar skenën politike në Shqipëri janë thellësisht të majta - nëse nuk je i "bindur" (megjithëse unë e di fort mirë që ti e di, por thjesht "bën" sikur nuk e di) pyet ndonjë syresh që të përfaqëson ty me "devotshmeri" si psh Kastriot Islami).

Përpara se ta jap këtë përgjigje më lejoni të ndaj me ju një fakt tjetër të lashtë sa vetë njerzimi:

"Përvec empirikes asgjë tjetër nuk është dije, por është thjesht një hipotezë ose spekullim". Për këtë arsye më lejoni të ndaj me ju disa DIJE:

  1. Stërgjyshi i gjyshit tim, Nezir Kola përpara rreth 200 vjetësh u ka prirë matjanëve në luftë kundër garnizonit turk te Dervish Pashës. Gjyshi i gjyshit tim, Ahmet Kola ka marrë pjese me delegacionin e Matit në Lidhjen e Prizrenit. Babai i gjyshit tim, Islam Kola ka shoqëruar Ahmet Zogun në Shpalljen e Pavarsisë. Gjyshi im, Bilal Kola ka qenë krahu i djathtë i Abaz Kupit, i cili i kishte besuar gjithë organizimin e mbrojtjes përgjatë zhvillimeve të Konferencës së Mukjes. Im ate, Kurt Kola ka qenë disident i palëkundur i diktaturës dhe një nga simbolet e qëndrëses në bugjet komuniste. 22 famijarët të mi, e kanë filluar kalvarin e internimeve në Maj 1945-Shtator 1991 (disa prej tyre të lindur në internim duke përfshirë edhe mua);
  2. Një herë të vetme kam kandiduar për deputet deri më sot. Në vitim 2005 kandidova me Lëvizjen Për Zhvillim Kombetar - Leka Zogu I-rë, një koalicion i përbërë nga subjekte tradicionalisht të djathta (dhe nëse nuk e di elektorati më dha më shumë vota se çdo kandidati tjetër në këtë subjekt elektoral dhe po të mos ishte për grabitjen e votave që është pjella e të gjithë të këqijave në këto 25 vjet, me siguri do isha duke përfaqësuar dhe mbrojtur kauzën komunitetit tim në Kuvend).

Ndava me ju këto fakte empirike për të konfirmuar se me mua është vështirë të spekullohet (iu sugjeroj të vijoni kërkimet në google për të vërtetuar këto fakte)!

Po, unë aspiroj të kandidoj për deputet dhe do konkurroj për deputet me një subjekt realisht të djathtë, pasi vetë jam gjenetikisht dhe ideologjikisht i djathtë dhe do kërkoj votën e gjithë shtresës që përfaqësoj, duke përfshirë edhe votën tënde (nëse tani në moshë tejet të thyer do të lësh zemrën dhe idealin e të parëve ta marrë vendimin)! Pa paragjykuar askënd, ju do keni mundësinë e zgjedhjes për t'u përfaqsuar në Kuvend midis një djali të këtij komuniteti dhe le të themi Kastriot Islamit a dikujt të ngjashëm (që jam i sigurt që thirrjen për thyerje kafkash ta thotë ty përsëeri nëse i do t'i paraqitej konteksi i duhur)..., zgjedhja ka për të qenë ekskluzivisht në ndërgjegjen tuaj personale, pasi shtresa që unë përfaqësoj as që e diskuton këtë gjë!

Tani që iu dhashë përgjigjen më lejoni t'iu them arsyen pse aspiroj të jem në Kuvend! Unë aspiroj të jem atje pasi komuniteti që përfaqësoj ma kërkon me insistim këtë gjë - për të përfaqësuar kauzën e papërfaqësuar të së djathtës në Shqipëri dhe për të kontribuar enegjikisht, intelektualisht në adresimin e të gjithë çështjeve që ju parashtroni si të pazgjidhura, por që komuniteti im i di fort mirë që politika e 25 vjetëve (të cilës fatkeqësisht me ose pa ndërgjegje i shërben edhe ti) nuk ka dashur t'i zgjidhë!

Meqenese jeni në moshë tejet të thyer dhe meqenese keni shprehur vlerësim për mua si individ dhe origjinen time familjare (për origjinën tuaj familjare ju siguroj se kam respekt dhe nderim të thellë) me zemër dëshiroj t'u konstatoj një fakt dhe t'u ofroj, nëse me lejoni, një këshillë:

Fakt: Maskaradat i kane bërë dhe i bëjnë maskarenjtë që kanë denigruar shtresën me fisnike të kombit shqiptar, atë shtresë që fitoi paqen, demokracinë, shtetin e së drejtës dhe aspiratën tonë kombëtare për integrim euro-atlantik. Unë i përkas kësaj shtrese dhe jam munduar me të gjithë energjinë time fizike dhe mendore të jem në shërbim të shtresës që përfaqësoj dhe të askujt tjetër! Unë e kam shume të qartë (druaj dhe me vjen keq të konstatoj që këtu ndryshojmë bashkë) përkatësinë time familjare dhe KURRË nuk kompromentoj me gjakun e të parëve të mi!

Këshillë: Jeni shumë i vjetër për t'u përdorur, lutem për hir të origjinës tuaj familjare mos gaboni duke bërë insinuata kundër shtresës suaj se nuk do keni kohë më ta shlyeni gabimin!

* Kreu i Institutit të Integrimit të të Përndjekurve Politikë