Tiranë - Hamëz Demushi, polici që u kap me 3.6 kilogram heroinë pak javë më parë në Tiranë kishte paguar 4 mijë euro për të lëvizur nga Komisariati Nr3 për në Sektorin e Operacioneve Speciale.

I kishte paguar këto para tek shefi i kësaj njësie, Alban Ahmeti, që tashmë rezulton i pezulluar nga detyra me vendim gjykate.

Përgjimet e Prokurorisë, të nisura pas dyshimeve se Demushi merrej me trafik droge, zbuluan se skemën e korrupsionit të një prej drejtuesve kryesore të policisë së shtetit, shefit të njësisë elitë që lufton krimin e organizuar, trafiqet e korrupsionin. Duke paguar 4 mijë euro, Hamëz Demushi arrin të punësohet në Sektorin e Operacioneve Speciale.

Ai ka qenë punonjës i saj nga shtatori i vitit 2014 deri në janar të vitit 2015. Por për t'u tranferuar nga Komisariati Nr3 i është dashur t'i paguajë Alban Ahmetit 4 mijë euro. Përgjimet, një pjesë e të cilave u zbardhën nga gazeta Mapo, zbuluan se në një bisedë telefonike, Alban Ahmeti, që priste të takohnte Avni Shabën, ndërmjetësin e Demushit, e pyet: "A i more shegët?". Më vonë, Demushi, duke folur për pagesën që i ka dhënë Ahmetit, thotë: "Ia pata dhënë unë. M'i pat kthyer dy. Pati mbajtur dy dhe orën që kushtonte 1 mijë euro. Dhe një mijë ia pata dhënë në darkë. Katër mijë euro ia kam dhënë", citon Lapsi.

Alban Ahmeti është investuar jo vetëm në kalimin e Hamëz Demushit nga Komisariati Nr3 në Sektorin e Operacioneve Speciale, por e ka mbrojtur atë edhe kur ai kishte probleme në këtë komisariat, për shkak se nuk paraqitej në punë. Demushi i kërkon ndihmë Avni Shabës dhe ky flet me Alban Ahmetin. Nga hetimi i prokurorisë rezulton se Ahmeti është takuar me shefin e Komisariatit Nr3 dhe pas tkaimit i ka dërguar një mesazh me këtë përmbajtje Avni Shabës: "Sapo u ndava me shef Gëzimin, që të përqafon".

Që Alban Ahmeti po ndikonte që Hamëz Demushi të punësohej në Sektorin e Operacioneve Speciale duket se është njoftuar edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Ai nuk e ka firmosur kalimin e Demushit, i cili kishte marrë firmën e Alban Ahmetit dhe të njërit nga zv/drejtorët e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Më vonë Didi është njoftuar zyrtarisht se një prej drejtuesve më të besuar të tij në policinë e shtetit ishte nën hetim për korrupsion pasiv, (kishte marrë para për të emëruar në detyrë një polic) dhe se gjykata kishte vendosur pezullimin e tij nga detyra. Alban Ahmeti rezulton jo vetëm i besuar i Artan Didit, por edhe mik i tij.

Por Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka tentuar sërish ta mbajë të fshehur këtë skandal. Vendimi i gjykatës daton më 6 mars të këtij viti. Më 10 mars, Partia Demokratike, në një konferencë për shtyp denoncoi faktin se Alban Ahmeti po hetohej për korrupsion. Po më 10 mars, Ministria e Brendshme reagon duke i quajtur këto akuza si shpifje.


Por një ditë më vonë, Artan Didi detyrohet të hedhë firmën për pezullimin e Alban Ahmetit, sipas vendimit të Gjykatës. Kujtojmë se Ahmeti u denoncua pak ditë më parë edhe nga ish-kryeministri Sali Berisha. /Start/