“Përhumbje diku..” është titulli i ekspozitës së dytë vetjake pas kthimit në atdhe të piktorit Lian Lutfija. Në harkun kohor të një viti, artisti shqiptar që vjen nga Stambolli, sjell rreth 20 punime të reja në pikturë, të cilat i përkasin stilit impresionist. Ekspozita do të çelet sot ora 18:00 në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar dhe do të qëndrojë e hapur deri në datën 15 maj. Vitin e kaluar ekspozita e parë e autorit në Tiranë me titull “Fllad impresionist” u çel në mjediset e Ministrisë së Kulturës, duke tërhequr vëmendjen e qarqeve të larta artistike kryeqytetase dhe duke rrokur prej tyre vlerësime entuziaste për ‘këndvështrime të reja pasuruese’, që autori sjell në stilin impresionist. “Më tërheq impresionizmi, ndjehem me afër tij, sepse mendoj që artistët e kësaj periudhe janë kuptuar më mirë. Sinqeriteti ka impresionuar veprat e tyre. Dhe në punimet e mia përpiqem të përdor sinqeritet, dritë, harmoni, reaksionet ngrohtë-ftohtë’, shprehet Lian Lutfija. Artisti 32 vjeçar Lian Lutfija ka 15 vjet karrierë jashtë vendit me 10 ekspozita vetjake, të hapura sidomos në Stamboll dhe tepër i vlerësuar nga mediat turke. Ai ka nisur të pikturojë që i vogël në rrethet e pikturës në Pallatin e Pionierëve apo në Pallatin e Kulturës në Tiranë. Nga viti 1992-1996 kryen Liceun Artistik ‘I.A.A. Guzel Sanatlar Lisesi’ në degën pikturës në Stamboll. Në 1997 fiton konkursin në ‘USA Milwaukee Institute of Art & Design’, ku u mbështet edhe me burse, dhe në vitet 1997-2004 kryen Universitetin e Arteve ‘Arkitekt Sinani’, dega pikturë po në Stamboll, ku kualifikohet ‘I Pari’. Më pas karrierën e tij e ka zhvilluar kryesisht në Stamboll me ekspozita vetjake dhe kolektive, ku një prej të cilave është edhe pjesëmarrja në Bienalen e Stambollit. “Me kthimin tim në atdhe, dua t’u bëj thirrje artistëve të rinj me sloganin: Që të jesh krenaria e një kombi, duhet në fillim t’i shërbesh atij”, u shpreh Liani një vit më parë dhe pas një viti duket se i ka qëndruar besnik kësaj thënieje.





“Officina Popolare” me një koncert në Tiranë



Në kuadër të aktiviteteve të shumta të organizuara nga Instituti Italian i Kulturës për stinën “Italia dhe Shqipëria 2010: dy Popuj, një Det, një Miqësi”, nesër në orën 19.00, pranë Teatrit të Operas dhe Baletit në Tiranë, do të shfaqet, për herë të parë në Evropë, një koncert i Officina Popolare – Grande Orchestra del Sud Italia. Orkestra e përbërë nga Giovanni Mauriello, themeluesi historik i “Nuova Compagnia di Canto Popolare”, nga një seksion tamburesh me kornizë me Arnaldo Vaça solist, nga një seksion organosh të vogla me Alessandro Parente solist, nga një seksion ritmik kitarash, harqesh, fizarmonikash dhe flautesh, nga zëra solistësh dhe nga dy valltare. 22 elementët e Orkestrës janë të drejtuar nga Antongiulio Galeandro. Zëri pa kohë i Giovanni Mauriello do të na shpjerë në hapat e para të Nuova Compagnia di Canto Popolare e famshme në botë për hyjnoren Gatta Cenerentola të Roberto De Simone. Me Nuova Compagnia di Canto Popolare ka kryer një aktivitet koncertor intensiv që e ka shoqëruar në gjithë botën , nga Opera House i Sidney në Festival të Berlinit, të Karacasit, Parisit, Buenos Aires. Në fushën e teatrit ka mbuluar rolet e para në riprodhime prestigjoze si La Gatta Cenerentola, La cantata di Masaniello, Carmina Vivianea.





12 Maj 2010