Përhumbje diku.. është titulli i ekspozitës së dytë vetjake pas kthimit në atdhe të piktorit Lian Lutfija. Në harkun kohor të një viti, artisti shqiptar që vjen nga Stambolli, sjell rreth 20 punime të reja në pikturë, të cilat i përkasin stilit impresionist. Ekspozita do të çelet në 12 maj,





ora 18:00 në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar dhe do të qëndrojë e hapur deri në datën 15 maj. Vitin e kaluar ekspozita e parë e autorit në Tiranë me titull Fllad impresionist u çel në mjediset e Ministrisë së Kulturës, duke tërhequr vëmendjen e qarqeve të larta artistike kryeqytetase dhe duke rrokur prej tyre vlerësime entuziaste për këndvështrime të reja pasuruese, që autori sjell në stilin impresionist. Më tërheq impresionizmi, ndjehem me afër tij, sepse mendoj që artistët e kësaj periudhe janë kuptuar më mirë. Sinqeriteti ka impresionuar veprat e tyre. Dhe në punimet e mia përpiqem të përdor sinqeritet, dritë, harmoni, reaksionet ngrohtë-ftohtë, shprehet Lian Lutfija. Artisti 32 vjeçar Lian Lutfija ka 15 vjet karrierë jashtë vendit me 10 ekspozita vetjake, të hapura sidomos në Stamboll dhe tepër i vlerësuar nga mediat turke. Ai ka nisur të pikturojë që i vogël në rrethet e pikturës në Pallatin e Pionierëve apo në Pallatin e Kulturës në Tiranë. Nga viti 1992-1996 kryen Liceun Artistik I.A.A. Guzel Sanatlar Lisesi në degën  pikturës në Stamboll. Në 1997 fiton konkursin në USA Milwaukee Institute of Art & Design, ku u mbështet edhe me burse, dhe në vitet 1997-2004 kryen Universitetin e Arteve Arkitekt Sinani, dega pikturë po në Stamboll, ku kualifikohet I Pari. Më pas karrierën e tij e ka zhvilluar kryesisht në Stamboll me ekspozita vetjake dhe kolektive, ku një prej të cilave është edhe pjesëmarrja në Bienalen e Stambollit. Me kthimin tim në atdhe, dua tu bëj thirrje artistëve të rinj me sloganin: Që të jesh krenaria e një kombi, duhet në fillim ti shërbesh atij, u shpreh Liani një vit më parë dhe pas një viti duket se i ka qëndruar besnik kësaj thënieje.


 






Last Updated on Tuesday, 11 May 2010 10:32