Në mjediset e Bazës Ajrore Farkë, u zhvillua sot ceremonia e përkujtimit dhe nderimit të dy dëshmorëve të atdheut, kapiten Floran Delia dhe toger Donald Hoxha, të cilët ranë 1 vit më parë në krye të detyrës. Të pranishëm në ceremoni ishin ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi, zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura gjeneral brigade Dedë Prenga, komandantët e forcave, familjarë dhe të afërm të dëshmorëve.


Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, në fjalën e saj e cilësoi këtë si një ditë të dhimbshme për të gjithë: bashkëpunëtorët, shokët dhe kolegët, miqtë dhe dashamirësit e Floranit dhe Donaldit, por siç tha ajo, veçanërisht e vështirë sot është për familjarët, për prindërit, fëmijët, motrat,vëllezërit, bashkëshortet. Unë i bashkohem pikëllimit të dhimbjes së familjeve Delia dhe Hoxha. Nuk ka nderim dhe respekt, fjalë apo ceremoni të lehtësojë dhimbjen tuaj, por ne shpresojmë se zemrat tuaja mbushen me krenarinë për ta dhe mirënjohjen tonë për atë që ata përfaqësonin dhe përfaqësojnë, – u shpreh ajo.


Më tej, ministrja Kodheli vlerësoi profesionalizmin dhe sakrificat, jo vetem të dy dëshmorëve më të rinj, por të të gjithë aviacionit shqiptar. Kapiten Floran Delia dhe Toger Donald Hoxha shkëlqyen në profesionalizmin, devocionin dhe pasionin e tyre, për të cilat ata u respektuan, vlerësuan dhe promovuan edhe për të cilën do të kujtohen në të ardhmen. Historia e suksesit të Forcës Ajrore të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, është shkruar me sakrificat, përkushtimin dhe vetëmohimin e pilotëve dhe ushtarakëve të zotë. Pjesa më e madhe e juaja dhe këta dëshmorë, me sakrifica, aftësi dhe profesionalizëm kryen detyra të vështira, në shërbim të qytetarëve shqiptarë, në situata emergjente apo fatkeqësish, ditën apo natën, –  vijoi më tej ministrja Kodheli, e cila hodhi poshtë çdo dyshim për shpalljen dëshmorë të dy pilotëve. “Pavarësisht vlerësimeve të Prokurorisë lidhur me aksidentin e një viti më parë, në vlerësimin tim, të kolegëve të mi, të shokëve dhe të eprorëve të Floranit dhe Donaldit, jemi së bashku të palëkundur në atë që kemi menduar që në fillim të herës, se pilotët e meritojnë dhe e kanë merituar plotësisht titullin Dëshmor i Atdheut, të cilin e paguan me çmimin më të lartë, jetën e tyre, – tha ministrja Kodheli.


Në fund të fjalës së saj, zonja Kodheli siguroi edhe një herë se Ministria e Mbrojtjes dhe qeveria, përtej mirënjohjes dhe nderimit për përkushtimin, do të jetë gjithmonë e gatshme pranë familjarëve të tyre, për t’i mbështetur me të gjitha mundësitë që ministria ka.


Më pas të pranishmit vendosën kurora dhe buqeta me lule në memorialin kushtuar pilotëve të rënë në Bazën Ajrore të Farkës.


Në 1-vjetorin e rënies së kapiten Floran Delia dhe toger Donald Hoxha, salla kryesore e kësaj baze u pagëzua me emrin e dy dëshmorëve, ku ministrja Kodheli zhvilloi një bisedë me të afërmit e dëshmorëve.


Kapiten Floran Delia dhe toger Donald Hoxha, ranë në krye të detyrës në mesditën e 6 prillit të vitit 2016 gjatë një misioni stërvitor në liqenin e Shkodrës, duke e çuar në 41 numrin e dëshmorëve të aviacionit shqiptar.


6 prill 2017 (gazeta-Shqip.com)