Nga Express më 25 maj 2011 në ora 20:30

Në Tërnoc të Madh të Bujanocit është mbajtur sot manifestimi qendror kushtuar 10 vjetorit të rënies së komandantit të UÇPMB-së, Ridvan Qazimit-alias Komandant Lleshit.



Në praninë e qytetarëve, familjarëve të dëshmorëve, veteranëve të luftës së UÇPMB-së, personaliteteve nga jeta politike dhe publike të Luginës së Preshevës sot në Tërnoc të Madh të Bujanocit, është mbajtur manifestimi qendror kushtuar 10 vjetorit të rënies së Ridvan Qazimit-alias Komandant Lleshit.



Në tubim është ngritur lartë vepra e komandantit si dhe e dëshmorëve tjerë të UÇPMB-së. Manifestimin Qëndror me një elaborat për jetën dhe veprën e “Komandant Lleshit” e hapi shoku dhe bashkëluftëtari i komandantit Lulzim Ismaili, i cili përkujtoi se amanetin e komandantit duhet të çohet deri në fund.



Kryetar i OVL-së të UÇPMB-së, Nagip Aliu i ka ftuar të gjithë, si përfaqësuesit politik dhe mbarë popullatën shqiptare të mos i harrojnë ata që e flijuan jetën për liri.



Të pranishmit i përshëndeti edhe kryetari i kryetari i komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi dhe ai i Kuvendit Komunal Jonuz Mulsiu.



Manifestimi kushtuar 10 vjetorit të rënies së dëshmorit të kombit, Ridvan Qazimit, “Ditët e Komandant Lleshit” ka filluar me hapjen solemne të Turneu mbarëkombëtarë, në të cilin kanë marrë pjesë klube futbollistike nga Durrësi, Tetova dhe Peja, si dhe Tërnoci si nikoqirë, ka shënuar një eveniment tejet të rëndësishëm sportiv për hir të Manifestimit “Ditët e Komandant Lleshit”.



Duke vazhduar më pas me homazhe pranë vendit të rënies së Ridvan Qazimi tek vendi i quajtur Gurat e Bujve mbi Tërnoc. Ndërkohë po ashtu gjatë ditës së sotme për nderë të 10 vjetorit të rënies së dëshmorit të kombit, Ridvan Qazimit, është mbajtur Akademinë Përkujtimore në Teatrin Kombëtarë në Prishtinë.



Ridvan Qazimi, i njohur si komandant “Lleshi” ishte komandant i brigadës “112” të UÇPMB-së, e cila vepronte kryesisht në Tërnoc të Madh të Bujanocit. Komandant LLESHI dhe brigada e tij ishin të parët që ngritën flamurin kombëtar shqiptar,ai tërë jetën ia kushtoi aspiratave të tij për liri.Në cilësinë e shefit të grupit negociator të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, ai ishte bashkë-nënshkrues i Deklaratës së Demilitarizimit e njohur në opinion si “Marrëveshja e Konçulit” – e cila i dha fund konfliktit të armatosur në Luginën e Preshevës. Ridvan Qazimi u vra në rrethana misterioze nga forcat serbe më 24 maj të vitit 2001, tre ditë pas nënshkrimit të Deklaratës së Demilitarizimit dhe ende pa përfunduar demobilizimi dhe shpërbërja e UÇPMB-së. (INA)