Ky 21 janar shënon përvjetorin e shtatë të protestës të opozitës së drejtuar nga Partia Socialiste asokohe, ku mbetën të vdekur 4 persona.


Në ambientet e kryeministrisë janë mbledhur familjarët e viktimave në një ceremoni përkujtimore të organizuar nga kreu i qeverisë Edi Rama.


Gjatë fjalës së tij para të pranishmëve, Rama tha se katër vitkimat e 21-janarit i rivrau drejtësia e munguar.


“Ziveri, Faiku, Hekurani dhe Aleksi nuk janë më në jetë prej 7 vitesh. Fëmijët e tyre 7 vite më të rritur, plaga e padrejtësisë në shpirtin e familjarëve, 7-fish më e madhe. Ka ikur dhe një vit tjetër, dhe drejtësia ka vonuar sërish. Të vrarët në Bulevard u rivranë në gjykatë por drejtësia nuk vonon. Vigjilja e 21 janarit e bëjnë lënguese spazmën, e shpërthen mllëfi i padurimit, që i adresohet politikës, qeverisë, mua pa dyshim”, u shpreh Rama.


Kreu i qeverisë nënvizoi se ka ardhur koha që drejtësia të vendoset në vend.


21 janari është kthyer në dëshmitar kombëtar i pafuqisë çerekshekullore të njeriut të zakonshëm të këtij vendi përballë murit qorr dhe shurdh të drejtësisë së tredhur nga krimi, shëmbëlltyrë kombëtare të nevojë ulëritëse të njeriut të zakonshëm për drejtësi dhe padurimit popullor teksa koha ikën dhe drejtësia vonon, tha Rama.


Më tej kryeministri shtoi se 21 janari pasqyron nevojën lebetitëse për forcimin e sistemit të drejtësisë dhe pëballjes së autorëve të kësaj ngjarje të rëndë me ligjin.


Një pasqyrë kombëtare të përpjetës së lartë të betejës së shpallur në tre vitet e fundit për një reformim drastik të sistemit të drejtësisë, ku në çdo hap ndeshemi me forcën e dëshpërimit të organizatave, klaneve, celulave antireformë në Parlament, në pallatin e drejtësisë, në kazanin mediatik e kështu me radhë, theksoi kreu i ekzekutivit.


Në këtë takim fjalën e mori edhe vajza e njërit prej viktimave në Bulevardin Dëshmorët e Kombit.


Ajo shprehu besimin se Reforma në Drejtësi do të japë edhe drejtësinë e merituar për 4 viktimat e 21 janarit.


Historia ka mësuar se popujt në vite besojnë tek drejtësia. Nuk kisha mundësi të shkruaja një letër më herët, por them se besoj tek drejtësia për vdekjen e babait tim. Besojmë tek reforma në drejtësi, tha ajo.


21 janar 2018 (gazeta-Shqip.com)