Përleshje të dhunshme janë regjistruar në Turqi, ndërmjet protestuesve dhe policisë, pas vdekjes së një protestuesi, gjatë kohës që turma njerëzish manifestonin kundër kryeministrit turk Rexhep Taip Erdogan. Protesta janë zhvilluar në Ankara dhe në Stamboll. Një pensionist, ish mësues humbi jetën pasi pësoi infarkt në zemër ndërsa policia përballej me protestuesit.


Gjithashtu është lënduar edhe një nga truprojat e kryeministrit turk, Recep Tayyip Erdogan, pas përleshjeve që ndodhën gjatë një tubimi elektoral, më pak se një javë para zgjedhjeve parlamentare në vend. Dhuna nisi në qytetin e Detit të Zi, Hopa, ku kryeministri pritej t`i drejtohej njerëzve me një fjalim.


Një televizion turk shfaqi imazhet e protestuesve që po hidhnin gurë dhe i kalonin barrikadat e policisë, teksa forcat e sigurisë hidhnin gaz lotsjellës dhe ujë për ta shpërndarë turmën. Burime spitalore kanë thënë CNN se një prej demonstruesve, i quajtur Metin Lokumcu, vdiq gjatë kohës po dërgohej me urgjencë në Spitalin Shtetëror të Hopa.


Megjithatë, partia opozitare, Partia Liri dhe Solidaritet (ODP), përmes një komunikate për media, ka akuzuar partin e kryeministrit Erdogan për vrasjen e protestuesit. Ndërkaq, gjatë një tubimi elektoral në qytetin tjetër të Detit të Zi, Trabzon, Erdogan i quajti protestuesit “banditë”.