LEZHë- Situata emergjente e krijuar një ditë më parë në Tale të Lezhës pas hapjes së portave të HEC-it të Ulzës dhe Shkopetit, është normalizuar. Kështu ka deklaruar drejtori i Emergjencave Civile Alfred Olli, pas inspektimit të zonës ku u shkaktuan përmbytje pas vërshimit të ujit. Uji i vërshuar me shpejtësi drejt tokave, duke përmbytur sipërfaqe të tëra prej dhjetra hektarësh , nuk ka kursyer as shtëpitë duke depërtuar brenda tyre. Gjatë gjithë ditës së hënë, si dhe gjatë paradites së të martës ka vazhduar operacioni për stabilizimin e situatës në zonën e prekur nga përmbytjet. “Pas operacionit të filluar që në orët e vona të natës së djeshme deri në momentin që po flasim situata është përmirësuar ndjeshëm. Operacioni i kryer besoj se ka mundur të pengojë vërshimin e ujrave drejt zonave të banuara. Hidrovori i Tales është plotësisht në punë me të gjashtë pompat e veta dhe besoj se shumë shpejt situata do të ketë një përmirësim akoma më të madh. Edhe në Shkodër situata është përmirësuar ndjeshëm ” shpjegon Olli. Puna e pandërprerë nga ana e Emergjencave Civile por të ndihmuara mjaft dhe nga një firmë private kanë bërë të mundur ndërtimin e argjinaturës së hidrovorit të shembur një ditë më parë. Përmbytjet e krijuara në zonën e Tales tashmë nuk përbëjnëmë asnjë rrezik dhe situata duket e normalizuar. (e.n/News24/BalkanWeb)