Zhurma e madhe që është bërë deri më tani rreth Ligjit të Sportit, shumë shpejt pritet të marrë fund.



Në fakt, ky ligj është miratuar në vitin 2003. Por, prej asaj kohe secilën herë janë krijuar rrethana të reja në vend, të cilat e kanë detyruar komunitetin sportiv të Kosovës ta kërkojë ndryshim-plotësimin e këtij ligji.



Më në fund, Ministria e Kulturës, Rinisë e Sportit (MKRS) të shtunën organizoi një debat në Prishtinë, që është udhëhequr nga drejtori i Departamentit të Sportit të MKRS-së, Ibër Alaj, në të cilin kanë marrë pjesë edhe drejtues të Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), udhëheqësit e federatave sportive, etj.



Në këtë debat, Ibër Alaj shpalosi propozimet e Departamentit të Sportit, se cilat nene të këtij ligji duhet të ndryshohen. Departamenti i Sportit ka paraparë që në Ligjin e Sportit të ndryshohen nenet 21, 22, 23, 24, 25 dhe 26 – nene këto që kanë të bëjnë me KOK-un, institucion ky më i larti sportiv në Kosovë.



Po ashtu, Departamenti i Sportit ka paraparë që të ndryshohet edhe neni 65 i këtij ligji, që ka të bëjë me financa, nenin 66 dhe 67 rreth reklamave dhe sponsorimeve dhe së fundmi nenin 68, që lidhet me të drejtat e transmetimeve televizive.



Këto propozime u mbështetën nga debatuesit, të cilët megjithatë patën disa vërejtje që kishin të bëjnë kryesisht me KOK-un.



Sipas debatuesve, neni 25 i këtij ligji duhet ta obligojë Qeverinë e Kosovës ta ndajë një buxhet me përqindje enkas për KOK-un e jo siç ka propozuar Departamenti i Sportit, sipas të cilit Qeveria e Kosovës, në pajtueshmëri me mundësitë buxhetore, do t’i përkrahë aktivitetet e KOK-ut.



Po ashtu, debatuesit i kanë dhënë edhe disa propozime të tjera që duhet të përfshihen në ligj, para se ai të fuqizohet si i plotësuar.



Propozimet e Departamentit të Sportit dhe komunitetit sportiv për ndryshim-plotësimin e këtij ligji do të merren parasysh nga një grup punues ministror, i cili të gjitha propozimet e qëlluara do t’i futë në këtë ligj.



Pasi grupi punues ministror ta përfundojë punën e vet, ndryshim-plotësimi i këtij ligji do të kalojë në grupin punues qeveritar dhe më pas do të procedohet për miratim në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës. Kjo pritet të ndodhë më 31 gusht.



Ndryshim-plotësimi i Ligjit të Sportit dhe miratimi i tij në qeveri pritet të ndikojë pozitivisht në funksionimin dhe zbatimin e këtij ligji siç është më së miri në praktikë.



Ndërsa, Departamenti i Sportit edhe të dielën do ta mbajë një debat tjetër me komunitetin sportiv, ku do të diskutohet rreth strategjisë për zhvillimin e sportit kosovar.