Autori i Lajmit: Romir Saraci


Deputetja e Partisë Demokratike, njëkohësisht anëtare e delegacionit shqiptar në Këshillin e Evropës dhe zëvendëspresidente e Partive Popullore Evropiane, Lajla Përnaska, e ka cilësuar si një deklaratë personale atë të shefit të OSBE-së në vendin tonë, Robert Bosch. Sipas saj, deklarata e ambasadorit nuk është zyrtare dhe nuk ka të bëjë me rekomandimet e bëra në vazhdimësi nga institucionet kryesore si Këshilli i Evropës, Asambleja e OSBE, Parlamenti Evropian dhe Komisioni Evropian. Gjatë intervistës së dhënë për gazetën “Ballkan”, zëvendëspresidentja e PPE-së ka folur edhe për situatën politike në vend dhe integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ajo ka pohuar se protestat e Partisë Socialiste po e dëmtojnë rëndë imazhin e Shqipërisë, por nuk do të pengojnë në rrugën e nisur.





Pak kohë më parë u zgjodhët zëvendëspresidente e Grupit Parlamentar te PPE ne Këshillin e Evropës, çdo të thotë kjo për ju dhe për vendin tonë?



Grupi Parlamentar i PPE në Këshillin e Evropës, është grupi më i madh politik në këtë Asamble. Është njëherazi dhe familja politike e djathtë evropiane, pjesë e së cilës është edhe PD. Aktiviteti politik dhe parlamentar i grupit është intensiv dhe mjaft interesant. Që prej vitit 2006, si anëtare e delegacionit shqiptar në Asamble, jam angazhuar me grupin e PPE, duke krijuar një eksperiencë pune të mrekullueshme me kolegë e miq, pothuaj nga delegacionet e 47 vendeve anëtare të Këshillit të Evropës. Në vitin 2007, u zgjodha nga grupi dhe me një detyrë mjaft të rëndësishme, si Kryetare e Komisionit të Shëndetësisë dhe Çështjeve sociale të Këshillit të Evropës. Mbështetja e kandidaturës sime si zv.presidente dhe anëtare e Byrosë së Grupit, është patjetër një vlerësim nga kolegët, duke më dhënë besimin e tyre. Kjo më ngarkon njëkohësisht me më shumë përgjegjësi. Por, sigurisht, është dhe një status besoj mjaft pozitiv për PD dhe, së pari, për vendin, pasi është emri i Shqipërisë, që qëndron krahas përfaqësuesve të vendeve të tjera, në pozicione drejtuese.





Cili është qëndrimi i Këshillit të Evropës për protestat e opozitës, pasi kemi parë që pas çdo deklarate nga ana e tyre, ka pasur gjithmonë dy interpretime të ndryshme?



Qëndrimi i Këshillit të Evropës, ndaj situatës politike në Shqipëri, mbetet i qartë e i prerë, kundër çdo lloj forme bojkoti, për respektimin e padiskutueshëm të Kushtetutës dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, për forcimin e shtetit ligjor dhe të pavarësisë së sistemit gjyqësor. Edhe në sezonin më të fundit, të muajit prill, Byroja e Asamblesë Parlamentare, rikonfirmoi dhe theksoi edhe një herë të njëjtin qëndrim të këtij institucioni të rëndësishëm evropian.





Sa kanë ndikuar protestat e opozitës dhe greva në imazhin e Shqipërisë në sytë e ndërkombëtarëve?



Protesta e opozitës e ka pozicionuar, më së pari, vetë opozitën, në një situatë absurde, duke kërkuar, pa ditur se çkërkon. Edhe forma me ekstreme e saj, greva, është në vazhdën e akteve dhe qëndrimeve të pajustifikueshme të Kryetarit Rama. Radikalizmi i zgjedhur prej tij nuk i shërben asnjë lloj kauze. Sigurisht, këto situata ndikojnë në një imazh jopozitiv të vendit, për më tepër kur kemi arritur një sërë ecurish dhe progres të ndjeshëm në rrugën tonë të integrimit, kur jemi në prag të realizimit të lëvizjes së lirë edhe për shtetasit shqiptarë. Por unë kam bindjen se Rama, as kushdo tjetër, nuk mund të pengojë realizimin e ëndrrave tona në breza.





A do të jetë kjo me pasojë për integrimin e vendit tonë në BE dhe liberalizimin e vizave?



Sigurisht që qëndrimet radikale dhe antiinstitucionale të Ramës, nuk i shërbejnë aspak as imazhit pozitiv që ka arritur vendi, sidomos në vitet e fundit, as procesit të integrimit. Siç po shohim dhe reagimet tashmë, imazhi ekstremist dhe antiligjor që po përcjell Rama me aktet dhe sjelljen e tij politike, rrezikon edhe fushën e turizmit apo atë të investimeve të huaja. Integrimi i vendit është në një rrugë të pakthyeshme tashmë dhe nuk besoj se mund të ngërthehet nga interesat e një individi, qoftë dhe Kryetar i PS. Si qytetare e Tiranës dhe jo thjesht si deputete e këtij qarku, dua të shpreh solidaritetin tim të palëkundur me qindra, mijëra qytetarë, banorë të Tiranës, për ti rikthyer këtij metropoli të rëndësishëm, ku jetojmë të gjithë bashkë, jetën normale, frymëmarrjen, qarkullimin e lirë, për ti rikthyer bulevardin e sheshet të uzurpuara prej disa javësh tashmë nga një njeri i zhytur në qerthullin e autokrizës së zotit Edi Rama. Mendoj se Rama duhet përfundimisht të kuptojë se të jesh kryebashkiaku i një qyteti, nuk do të thotë të jesh pronari i tij, por është përgjegjësi madhore. Të jesh në krye të një force politike, nuk do të thotë të luash me fatet e vendit tënd. Për më tepër, kriza e z.Rama, nuk është krizë e shqiptarëve. Ajo që është skandaloze, duke bllokuar zemrën e Tiranës, Zoti Rama po luan me qytetarinë tiranase, me dinjitetin me fisnikërinë e çdo banori të kryeqytetit, duke shkaktuar dhe kosto të mëdha për kryeqytetin. Për më tepër, edhe me absurdin e bllokimit të aksevë të ndryshme të qarkullimit, duke cenuar rëndë të drejtat dhe lirinë e individit. Z.Rama duhet të kuptojë se Tirana, ashtu si gjithë Shqipëria, është e qytetarëve, e çdo banori të saj, të vjetër e të rinj, vendali apo të vendosur në kohë të ndryshme, gra, burra, të moshuar, të rinj apo fëmijë.



A ka ndikuar përkatësia fetare e shqiptarëve në liberalizimin e vizave, duke parë që Bosnja dhe Shqipëria do të jenë të fundit e rajonit?



Përkatësia fetare ska të bëjë me procesin tonë të integrimit. Rasti i harmonisë dhe bashkëjetesës fetare në Shqipëri është një model i mrekullueshëm dhe për mjaft vende të tjera. Ajo përbën një element pozitiv dhe në procesin e vlerësimit të vendit tonë.





Çmendoni për deklaratën më të fundit për zgjidhjen e krizës, të ambasadorit të OSBE, zotit Bosch.



Mbetet një deklaratë jozyrtare dhe joinstitucionale, por thjesht personale, që qartazi nuk ka të bëjë me rekomandimet e bëra në vazhdimësi nga institucionet kryesore si Këshilli i Evropës, Asambleja e OSBE, Parlamenti Evropian dhe Komisioni Evropian. Të gjitha institucionet që na asistojnë dhe monitorojnë në rrugën tonë të integrimit, në formë të prerë kanë përcaktuar qëndrimin e tyre për krizën politike dhe sjelljen e opozitës, për realizimin e transparencës në baza institucionale dhe kushtetuese. Kjo mbetet rruga e vetme e respektimit dhe forcimit të shtetit ligjor dhe institucioneve demokratike në vendin tonë, duke plotësuar kështu edhe kriteret përkatëse në procesin tonë të integrimit.







Ky lajm është publikuar: 16/05/2010