Dy autobusë urbanë të linjës së transportit të pasagjerëve janë përplasur mëngjesin e sotëm në kryeqytet. Mësohet se ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në zonën e njohur si kthesa e Kamzës.


Nga përplasja 6 persona kanë marrë dëmtime të lehta dhe janë dërguar për mjekim në spital.


“Më datë 22.06.2018, rreth orës 08:10, tek kthesa e Kamzës janë përplasur dy autobuza të linjës Tiranë – Kamëz me targë AA628 GC, me drejtues shtetasin K. A., 43 vjeç dhe me targë AA 958 LN, me drejtues shtetasin S. R., 40 vjeç.


Si pasojë e përplasjes janë dëmtuar lehtë dhe janë dërguar për ndihmë mjekësore në SQU shtetasit, A. P., 22 vjeçe, S. R., 43 vjeç, V. H., 23 vjeç, S. K., 53 vjeç, K. G., 19 vjeçe dhe E. L.,  22 vjeçe ( të gjithë pasagjer në dy autobusat e linjës Kamëz-Tiranë )”, njofton policia e Tiranës.


Shërbimet e policisë dhe drejtuesit e autobusave ndodhen në vendngjarje, po kryhen veprimet e mëtejshme hetimore për zbardhjen e shkakut dhe rrethanave të përplasjes.


22 qershor 2018 (gazeta-Shqip.com)