Një autobus i nisur nga Prizreni është përplasur me dy kamionë në Vjenë. Burimet jo zyrtare konfirmuan se gjashtë kosovarë kanë mbetur viktimë e aksidentit








Një aksident automobilistik në kryeqytetin austriak i ka marrë jetën 6 shtetasve të Kosovës (nuk dihet ende sa prej tyre janë shqiptarë e sa serb) ndërsa janë plagosur dhjetëra të tjerë. Sipas të përditshmes kosovare “Express”, Ministria e Punëve të jashtme të Kosovës ka ndërhyrë menjëherë për të kuptuar se çfarë ka ndodhur në aksidentin e Vjenës, ndërsa ambasadori i Kosovës në Austri është vënë në kontakt me autoritetet atje. Albana Beqiri, këshilltare e lartë për media në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës tha për gazetën se ajo çka është konfirmuar është se bëhet fjalë për gjashtë viktima, emrat e të cilëve janë konfirmuar nëpërmjet ambasadorit Sabri Kiçmari dhe 31 të plagosur, ndërsa priten informacione zyrtare nga Ministria e Punëve të Jashtme të Austrisë. Beqiri, tha se të lënduar janë 31 persona dhe ata janë shpërndarë në tre spitale të ndryshme. “Ambasadori Kiqmari ka vizituar dy spitale ndërsa është rrugës për në spitalin e tretë. Nga ata që ka takuar ambasadori, vetëm një ka qenë i lënduar rëndë. Ne kemi një listë që e kanë dhënë policia austriake, me personat e lënduar, por akoma nuk e kemi kuptuar se kush janë të vdekurit”, tha Beqiri për Express.“Të lënduar janë 31 persona, nga të cilët dy janë të huaj, dy të tjerë nuk e kanë dhënë identitetin e tyre”.-shtoi ajo. Ishte Osman Hoti pronar i kompanisë “Polluzha” që deklaroi për “Express” se njëri nga autobusët e firmës së tij kishte pësuar aksident të rëndë në Vjenë të Austrisë. Por ai tha se nuk ka arritur të ketë asnjë informacion në lidhje me gjendjen e pasagjerëve. “Nuk kanë qenë vetëm udhëtarët tanë. Ka qenë edhe një firmë tjetër me të cilët i kemi pasur udhëtarët e përbashkët.”-tha ai. Sipas Hotit, autobusi ishte nisur nga Prizreni, në drejtim të Austrisë. Policia austriake me herët kishte thënë se autobusi, i cili kishte targa të Mynihut, kishte në bord disa udhëtarë nga Kosova. Dy kamionët me të cilët u përplas autobusi thuhet se janë nga Rumania dhe Sllovakia. Sipas policisë, aksidenti ndodhi kur autobusi, që barte 38 njerëz, dhe dy kamionët janë ndeshur me njëri tjetrin. Shoferi i autobusit dhe pesë njerëz të tjerë të ulur në karriget e para kanë vdekur në vend. Shoferi sllovak thuhet se ka shpëtuar – edhe pse është lënduar, ndërsa ai rumun ka pësuar lëndime të lehta. Ende nuk janë dhënë detale të qarta për aksidentin. Raportet se rrugët kanë qenë të akullta janë hedhur poshtë të hënën. Zëdhënësi i autostradës ka thënë se të gjitha rrugët kanë qenë pa akull në mëngjes. Por, ende është e paqartë se si tri mjetet janë ndeshur me njëra-tjetrën. Dy kamionët ishin njëri pas tjetrit para se të ndeshet autobusi më ta, por autobusi mund ta këtë shkaktuar ndeshjen, ka thënë Willy Konrath, shef i departamentit të transportit në Austri.







Strategjia për veriun



Ende asnjë afat kohor për zgjedhjet në Veri





Autoritetet vendore e ndërkombëtare në Kosovë duket se i kanë hequr limitet kohore për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve në pjesën veriore të vendit. Strategjia për shtrirjen e autoritetit në veri e hartuar nga Zyra Civile Ndërkombëtare dhe Qeveria e Kosovës fillimisht parashihte që në pranverën e këtij viti, procesi elektoral të zhvillohej në Zveçan, Zubin-Potok, Leposaviq dhe në komunën e re në veri të Mitrovicës, që do të formohej paralelisht me këtë proces. Kjo pasqyrë kohore kishte pësuar pastaj një ndryshim, duke i shtyrë për gjashtë muaj planet për mbajtjen e zgjedhjeve në veri, ndërsa tani thuhet se dokumenti për veriun është liruar tërësisht nga afati kohor për këto zgjedhje. Ministri për Administrimin e Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, thotë se nevojitet fillimisht një vlerësim i progresit për atë pjesë të vendit, para se të caktohet ndonjë afat kohor për zhvillimin e zgjedhjeve. “Versioni i fundit i strategjisë nuk ka datë. Kemi diskutuar për shumë muaj por as në dokument nuk ekziston ndonjë datë”, shprehet Ferati. Eksperti për decentralizim, Arben Gashi, thotë se manipulimet me data, siç i quajti ai, në lidhje me zhvillimin e zgjedhjeve në veri, ndodhin për shkak të presionit dhe kundërshtimit të Beogradit, qasjes joadekuate të institucioneve vendore e ndërkombëtare për këtë çështje dhe mungesës së parakushteve për zhvillimin e këtyre zgjedhjeve. “Kjo shtyrje e afatit kohor, kjo lëvizje dhe ky manipulim me data bëhet për të matur pulsin e Bashkësisë Ndërkombëtare, për të matur pulsin e Serbisë dhe po ashtu, përbën një element për konsumin e politikës së brendshme kosovare. Por, nuk është një qasje e studiuar mirë dhe një qasje pragmatike, e cila do të duhej të jepte rezultate konkrete”, thekson Gashi. Përfaqësues të serbëve të veriut të Kosovës, të mbështetur edhe nga Beogradi zyrtar, kishin kundërshtuar zhvillimin e zgjedhjeve të shtetit të Kosovës në atë pjesë të vendit. Megjithatë, Ferati thekson vendosmërinë e qeverisë së Kosovës për zbatimin e planeve që kanë të bëjnë me pjesën veriore. “Deri më tani ne nuk kemi marrë ndonjë sinjal nga Beogradi se ai do t’i arsyetojë dhe do t’i mbështesë zgjedhjet, por ne i kemi dokumentet tona dhe i kemi vendimet tona”-thotë Ferati. Kohë më parë, shefi i ICO-së, Piter Feith, mandatoi ekipin përgatitor për krijimin e komunës së re në veri të Mitrovicës, të përbërë nga katërmbëdhjetë anëtarë, të cilëve parashikohet t’u bashkohen edhe nga një përfaqësues i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, një përfaqësues nga komuna jugore dhe një përfaqësues nga Zyra Ndërkombëtare Civile. Në lidhje me tri komunat e tjera në veri thuhet se nevojitet një qasje më e kujdesshme, për shkak të qëndrimeve më të theksuara të serbëve të atyre lokacioneve kundër institucioneve kosovare.