“Luftë” mediatike


 


Bajo Topulli nuk mund të harronte gjëmën që Papa Foti, Dhespoti i Korçës bëri në Negovan, ku masakroi Papa Kriston (Negovanin), i cili i kishte kthyer librat fetarë në shqip, gjë që binte ndesh me politikën e Kishës greke. Kjo ishte arsyeja pse në 9 shtator të vitit 1906, çeta e Bajo Topullit i zë pusi “karvanit” të dhespotit dhe me një plumb të vetëm e shtriu përdhe. Vrasja e klerikut grek, bëri bujë të madhe në shtypin e kohës. Një seri shkrimesh që përkrahnin këtë akt u botuan në gazetën “Drita” të Sofjes. Fan Noli nën pseudonimin Ali Baba Cytexa shkroi disa syresh në gazetën “Kombi” të Bostonit. Nga mesi i nëntorit, do të ishte vetë Bajo Topulli, që do shkruante në faqet e gazetës “Drita”, të drejtuar nga Shahin Kolonja, një artikull me titullin “E vërteta”, ku shpjegonte arsyet pse “Komiteti” vendosi eleminimin e Dhespotit. Tërësisht kundër rrymës, një vit m’ vonë, në gazetën “Albania”, Faik Konica do të shkruante një shkrim qesënditës për Bajo Topullin dhe vrasjen e Fotit me titullin “Bajo Topulli dhe politika assasinatëve”.


“Bajo Topulli është emri i një shqiptari, i cili, i fshehur me gjithë shokë e me ndihmën e tyre, vrau një plak të paarmatosur… si të ish një armik grek.


Disa shqiptarë u çuditën se “Albania” s’bën fjalë për kalorsin tonë. Shkaku i heshtjes sime: unë jam një shqiptar aq i ftohtë dhe aq i humbur dhe një njeri me ndjenja aq të poshtra, saqë nuk kam qenë i zoti të kuptoj madhërinë e Bajo Topullit…”


Më tej ai shton se gjatë qëndrimit të Bajo Topullit në Amerikë, kishte shpresuar të dëgjonte prej tij “platformën” që do të ndiqej, madje duket pak qefmbetur se nuk ishte takuar me të dhe vijon se” Bajo Topulli, po të ishte pjekur me mua do t’i kisha treguar mendimet e mija”. Veprimin e çetës së Topullit ai e konsideron ala bullgarçe e grekçe.


“rehen ata shqiptarë që besojnë se do të na përparojnë punët në zënçim udhën e bullgarëve dhe grekëve… Bota shohin se Bullgari, greku, serbi, turku janë të gjithë njerëz që të shkelin kur je i dobët, të goditin nga prapa kur je i fortë… e pos këtyre vihet re si shkëmb i vetëm në mes të detit ndodhet një komb i vogël, kombi shqiptar, i cili ka mbajtur disa nga më të mirat vetija…besën, të prapsurit nga dinakërija, etj… ne vemi dhe imitojmë bullgarët dhe grekërit”. Nga fundi Konica i zbut tonet, madje bëhet kontradiktor duke e quajtur Bajon një “patriot të mençëm e të flaktë”. “S’dua t’i lë këndonjësit të mendojnë se unë jam një kundërshtar i verbër i Bajo Topullit. Një besim i tillë do të jetë shumë i lajthitur…”.


Shkrimi i Konicës do të ndiqej nga një mori shkrimesh të tjera të gazeta të tjera, ku i kundërviheshin qëndrimit të Faik Konicës. Autori thotë se për reagimin e vetë Bajo Topullit, ku doli shkrimi i Konicës nuk dihet shumë. Vetëm në një fjalë të mbajtur në një shoqëri atdhetarësh emigrantë (nuk është e qartë se ku) ai përmend edhe emrin e Konicës, ku thotë se “Për të keqen e Shqipërisë disa shqiptarë flasin angllëç dhe qajnë Fotin… Ka edhe nga ata që jetojnë jashtë, që nuk largohen nga rehati, qejvet dhe kuplaratë. Nuk di ç’kërkon beu i Konicës tani që puna e shqiptarizmës është vënë në brazdë? Dhe ay me këto veprime nuk i del krah shqiptarizmës, por grekut dhe përçarjes”.