rrugaKoncesioni për Rrugën e Kombit po provokon një konflikt të fortë brenda qeverisë. Vizion Plus raporton se edhe konsorciumi shqiptar nuk e ka eksperiencën e nevojshme, ndaj tenderi mund të shkojë drejt anulimit

Koncesioni i Rrugës se Kombit përplas Ministrinë e Transporteve dhe Komisionin e Prokurimit Publik.

Në një shkresë zyrtare qe ministria i ka dërguar komisionit dy ditë më parë, kërkohet anulimi i vendimit të tij dhe lënia në fuqi e fituesit të shpallur nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, pra konsorciumi turk.

Në argumentin e saj, ministria thotë se ankesa e paraqitur pranë komisionit nga konsorciumi shqiptar është jashtë afateve.

"Ankimimi në Komisionin e Prokurimit Publik nga bashkimi i operatoreve "Catalyst Viva Das General Contracting Co. Llc", "Salillari", "Violap Ateve" dhe "Kastrati" është depozituar në datën 1 gusht, pra pesë ditë pas mbarimit të afatit të përcaktuar. Afati 5 ditor mbaronte në datën 27 korrik. Pra ankimi i bashkimit të operatorëve është jashtë afatit dhe si i tillë, nuk duhej marrë fare në shqyrtim nga Komisioni i Prokurimit Publik".

Ministria vijon më tej argumentimin se interpretimi që ka bërë Komisioni i Prokurimit Publik është i gabuar, ndërsa thekson se në vendimin e tij, nuk janë marrë në konsideratë edhe argumentet teknik, të cilat janë miratuar nga konsulenti "IFC".

"Për sa i përket vendimit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave për procedurën konkurruese për dhënin me koncesion, mirëmbajtjen e autostradës Milot-Morine, ju bëjmë me dije se kjo vendimmarrje është bazuar edhe në rekomandimet e "IFC", e cila ka shërbyer si gur themeli në marrjen e këtij vendimi. Sa më sipër, ju kërkojmë të rishikoni vendimin tuaj dhe të lini në fuqi vendimin e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, duke mos pranuar ankimimin".

Vizion Plus u interesua pranë "IFC" për të mësuar qëndrimin e këtij institucioni, por ky i fundit thote se është në fazen e verifikimit të rrethanave dhe situatës, për të proceduar më tej. Ndaj "IFC" nuk ka ende një vendim lidhur me fituesin.

Burime për Vizion Plus thonë se konsorciumi shqiptar i mbetur në garë, nuk ka eksperiencën e duhur për të marrë mirëmbajtjen e rrugës më të rëndësishme në vend.

Ndaj ky tender, duket se po shkon drejt anulimit.