Seanca e sotme parlamentare ka nisur e qetë me një raportim të kreut të AMA-s, Gentian Sala, por ishte fjala e ish-kryeministrit Sali Berisha menjëherë pas tij që e tensioni situatën.


Pavarësisht tensionit dhe një përplasje Berisha-Balla, fjalën e mori kreu i Grupit të PD, Edmond Spaho i cili tha se vendi është futur në një qerthull për shkak të emërimit të njëpasnjëshëm të ministrave të lidhur me krimin.


Për shkak se vendi ndodhet në situatë kritike, Spaho kërkoi që ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj dhe kryeministri Edi Rama të paraqiten në seancë.


Siguroni pjesëmarrjen e ministrit të Brendshëm dhe Kryeministrit në seancë për situatën ku ndodhet vendi, kërkoi Spaho.


Pas tij fjalën e mori kryedemokrati Lulzim Basha, i cili përsëriti të njëjtën kërkesë ndaj kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi.


Zoti kryetar pezullo seancën dhe thirr këtu Edi Ramën dhe Fatmir Xhafajn, tha Basha.


Në këtë seancë gjeni shprehjen më të qartë të kapitullimit të qeverisë së krimit dhe drogës, ku mungojnë dy nga kokat e krimit, Edi Rama dhe Fatmir Xhafa. Kërkesa e kreut të Grupit të PD është e qartë. Kjo seancë nuk duhet të vijojë pa pjesëmarrjen e tyre, që është detyrim moral dhe politik si llogaridhënies për qytetarët. Nëse kanë vendosur të mos vinë këtu, të largohen sot nga aleanca e pushtetit dhe krimit, ose të largohen njëherë e mirë, shtoi kreu i opozitës.


Në vijim ai tha se është i informuar hollësisht për qëndrimet e Bundestagut dhe kancelarive të tjera evropiane.


Ka katër javë që skandali i vëllezërve Xhafaj, njëri kokë e krimit të organizuar dhe tjetri ministri që e mbron dhe i mundëson vijimin e aktivitetit kriminal, ka pushtuar opinionin publik. Ka katër javë që Rama- Shafaj i fshihen të vërtetës. Institucioni i Kuvendit dhe kjo parti politike (PS) mbahen peng për të mbrojtur dy vëllezërit Xhafaj. Po kam qenë në Berlin, jo në vizitë klandestine, as të paguar me milionat e drogës, por i ftuar nga autoritet më të larta gjermane për të më komunikuar shqetësimin e tyre se situata politike në vend është përkeqësuar. Më njoftuan se Tahiri u lirua sipas skemës me Ramën dhe njësoj do veprojnë me vëllezërit Xhafaj. Është e pabesueshme që Bundestagu të thotë po për hapjen e negociatave, deklaroi Basha.


Por kryeparlamentari Ruçi tha se Basha i ka informacionet e gabuara, pasi dje qeveria gjermane ka vendosur ta mbështesë hapjen e negociatave me Shqipërinë.


Në këtë moment përfundoi edhe koha që Bashës iu dha për procedurë, duke bërë që Ruçi ti mbyllë mikrofonin, por deputetët e opozitës nisën të protestonin dhe Basha ka vijuar të flasë duke mos e lëshuar foltoren.


Nga vendi ka folur edhe ish-kryeministri Berisha që i ka kërkuar të lejojë Bashën të flasë, por kryeparlamentari i është kthyer duke thënë se nëse ka dëshirë PD mund të paraqesë mocion mosbesimi për qeverinë, apo kërkesë për debat me ministrin Xhafaj dhe kryeministrin Rama, por jo të ndërpresë në këtë mënyrë seancën.


Kreu i Kuvendit gjithashtu i kërkoi opozitës të kontribuojë për hapjen e negociatave.


Kontribuoni për hapjen e negociatave. Mos flisni në emër të kancelarive të huaja. Duhet zbatuar rregullorja e Kuvendit që të ketë normalitet. Nëse ti do të japësh mesazhin se nuk ka normalitet, ata më gjykojnë dhe mua dhe ju. Ju po privoni të drejtën e zbatimit të Kushtetutës nga ana e sallës së Kuvendit. Jeni në shkelje të rregullores. Bëj mocion për ti shkarkuar zoti Berisha. Zoti Basha të lutem, tha Ruçi.


7 qershor 2018 (gazeta-Shqip.com)