Europa League
Ndeshjet çerekfinale të Europa League do të dhurojnë disa përballje shumë interesante. Prania në këtë fazë të turneut të ekipeve që kanë histori suksesesh në Europë, ka bërë që ky edicion të ndiqet me mjaft interes në rrugën drejt finales së 14 majit që do të zhvillohet në qytetin e Torinos. Fakti se mes tyre janë edhe torinezët e Juventusit, ishte gjithashtu një prej arsyeve të rritjes së shikueshmërisë së aktivitetit, duke pasur parasysh se kampionët në fuqi të Italisë, janë favoritë për të fituar Kupën. Shorti ka caktuar si pengesë të radhës për ta ekipin francez të Olimpik Lionit, një përballje që nuk është regjistruar asnjëherë më parë në historinë e Kupave të Europës, ndonëse dy klubet janë protagonistë të rregullt. Dëshira për të bërë të tyrin trofeun në finalen që luhet në shtëpinë e tyre, padyshim që i bën juventinët favoritë, por asnjëherë nuk mund të nënvlerësohet një ekip si ai i Lionit, që ka në përbërjen e vet futbollistë si Gurkuf, Gonalons, Lakazet apo Gomis, të njohur edhe për paraqitjet e tyre me fanellën e kombëtares së Francës.
Një sfidë shumë interesante është edhe ajo që ka vënë përballë Porton me Seviljen, ekipe të cilat e kanë fituar secila nga dy herë këtë trofe. Sevilja, e drejtuar nga Unai Emeri, arriti të realizonte një përmbysje spektakolare në derbin përballë Betis, duke u kualifikuar më pas falë penalltive, një rrethanë që mund të përsëritet edhe në çerekfinale ndaj portugezëve, pasi dy ekipet vlerësohen si të barabarta. Tri sezone më parë, kur klubet u vunë kundër njëri-tjetrit në fazën e 1/32, Porto kaloi vetëm falë rregullit të golit jashtë fushe, por skuadra spanjolle ka në anën e vet statistikën e veçantë, se në të dyja rastet kur ka arritur të kalojë në çerekfinale, ka arritur të bëjë të vetin këtë trofe.
Zviceranët e Bazelit shpresojnë që të përsëritin mrekullinë e sezonit të kaluar, kur arritën deri në gjysmëfinalet e turneut. Përballë do të kenë një tjetër skuadër që renditet mes pretendenteve të këtij edicioni, Valencian. Fituesit e trofeut në vitin 2004, kanë humbur ndeshjen e parë në grup ndaj Suonsit në këtë edicion, por që atëherë, pavarësisht se kanë zhvilluar 9 takime të tjera, nuk e kanë njohur më shijen e humbjes.
E vetmja sfidë që nuk ka në radhët e vet një ish-fitues të trofeut është përballja mes AZ Alkmar dhe Benfikës. Holandezët kanë në favorin e tyre praninë në stol të trajnerit Dik Advokat, që ka fituar këtë trofe me Zenitin në vitin 2008. Ndërsa skuadra portugeze është kthyer në një eksperte të turneut, pasi është kualifikuar për herën e katërt në pesë vitet e fundit në çerekfinalet e Europa League.
Europa League
Çerekfinalet
03-10.04.2014
AZ Alkmar-Benfika
O. Lion-Juventus
Bazel-Valencia
Porto-Sevilja
Ky shkrim Përplasje spektakolare në rrugën drejt Torinos u publikua me pare te Gazeta SHQIP.