403x302118122deklarata_e_kryetarit_t_parlamentit__z._ilir_meta_n_nderim_t_liderit_t_lvizjes_s_dhjetorit_90-__azem_hajdari


Nga Elton METAJ


Ilir Meta u shpall fitues i anketës Njeriu i Vitit, organizuar si çdo vit nga gazeta Tirana Observer. Për kreun e Kuvendit kishte një konsensus të gjerë të votuesve, duke e përcaktuar atë si politikanin e vitit. Në fakt 2013-ta ka qenë një vit jo i zakontë dhe i vështirë për Ilir Metën dhe njerëzit e tij. Që 2013-ta do të ishte i pazakontë, sigurisht që e dinte mirë edhe vetë kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, kur në fillim të prillit u ul përballë kryeministrit të plotëfuqishëm të Partisë Demokratike, Sali Berisha, për ti komunikuar divorcin politik. Si një politikan me eksperiencë dhe i dashuruar me informacionet formale e informale, Berisha duket se e kishte nuhatur hapin befasues të njeriut, i cili i garantoi për 4 vjet një qeverisje përgjithësisht të qetë. Megjithatë, nëse Berisha bëri pak ose aspak të ndalte një martesë Rama-Meta, kjo ndoshta është ende herët të kuptohet. Edi Rama dhe Ilir Meta u gjendën sërish në të njëjtën anije, që busullën e saj e kishte fiksuar drejt 23 qershorit. Ngjitja e Metës në këtë anije u dha opozitarëve të atëkohshëm të Edi Ramës, një shpresë dhe gjallëri të madhe. Ndonëse mes tyre pati qejfmbetur dhe moralistë, ata zgjodhën ti besonin nuhatjes dhe pragmatizmit politik të ish-kryetarit të FRESSH-it.


I ardhur në Partinë Socialiste fare i ri, Meta do të zaptonte gradualisht hapësirën e tij, deri kur në vjeshtën e vitit 1999 do të merrte drejtimin e qeverisë. Pak më tepër se 30-vjeçar dhe me një peshë të madhe mbi supe, Meta fitoi profilin e një politikani e qeveritari praktik. Për rrjedhojë, shumë shprejt brenda Partisë Socialiste, ku gëlonin tekat e Nanos, kapriçiot e Majkos, ashpërsia e Ruçit, antikonformizmi i Ramës dhe teoritë e Pëllumbit, do të formohej një grup i fortë rreth Ilir Metës. Ai grup do ta mbështeste në betejat politike dhe ndoshta në vendimet më të vështira të jetës së tij: Krijimi i LSI-së më 6 shtator 2004 dhe koalicioni me Berishën më 4 korrik 2009. Kjo e fundit do të ishte ndoshta dhurata më e keqe që Edi Rama kishte marrë në ditëlindjen e tij, për të cilin ish-kryeministri duket se nuk është penduar asnjëherë. Ilir Meta ka dhënë arsyet e tij politike për krijimin e Qeverisë së Integrimit dhe u ka qendruar besnik marrëveshjeve me Berishën. Besnikëri që mori fund me përfundimin e mandatit të atij ekzekutivi dhe vendimin e fortë të Metës për të firmosur një pakt afatgjatë me Ramën.


Optimizmi i kreut të LSI-së për rezultatin e 23 qershorit ishte në doza të larta dhe kur fliste për fitimin e 80 mandateve, dukej se më tepër përpiqej tu jepte shpresë të majtëve. Në fakt Ilir Meta i kishte bërë mirë llogaritë. Ai mori një rezultat spektakolar në zgjedhje, duke dyfishuar votat dhe katërfishuar mandatet. Mbi të gjitha Ilir Meta, jo vetëm doli pa kosto nga bashkëqeverisja me Berishën, por ktheu në vota për LSI-në të gjithë koston e pushtetit të Berishës. Socialistët u frenuan aty ku ishin në qershor 2009, me një rritje të lehtë dhe të pamjaftueshme tu garantonte qeverisjen e vendit, të vetëm. Edhe 4 vjet pas 4 korrikut tragjik të Edi Ramës, sërish sytë ishin drejtuar te Ilir Meta. I regjur ndër vitet e shumtë mes opozitës e qeverisjes, politikani nga Skrapari e kishte kuptuar që operacioni i tij kishte dalë me sukses. Jo vetëm koalicioni i majtë fitoi zgjedhjet, por votat e LSI-së do të vazhdonin të ishin të arta për mazhorancën e re. Mbi të gjitha, Edi Rama do të mund të plotësonte ëndrrën e tij të 10 viteve të fundit në politikë, vetëm me pëlqimin e ish-armikut, tashmë mik. Shumëkush kujton ditët e para pas 23 qershorit, kur Ilir Meta me një taktikë të kujdesshme evitonte të thoshte publikisht dhe prerë se, Edi Rama do të ishte kryeministër. Pakti mes tij dhe Ramës ishte firmosur prej kohësh, por kreu i LSI-së ishte tashmë disa hapa përpara kryesocialistit të etur për pushtet. Dhe në fakt nga pakti asgjë nuk u cënua: Edi Rama mori drejtimin e qeverisë, ndërsa LSI shtoi postet ministrore që kishte lënë pak muaj më parë në duart e Berishës.


Prej shtatorit 2013, Ilir Meta do të ulej në postin më të lartë të Kuvendit, duke premtuar dhe realizuar një stil drejtimi krejt tjetër. Hapësirat e garantuara për ish-kryeministrin Berisha, dëshira publike për kompromis mes palëve dhe evitimi i fjalorit ofendues, janë arritjet e para të legjislaturës ende të re. Ndërkohë në aspektin politik, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim nuk ngurroi të ruajë profilin e tij, duke synuar mbi të gjitha të mos marrë kosto nga qeverisja. Ngërci i armëve kimike për Edi Ramën ishte momenti më i mirë për Ilir Metën të këmbëngulte te dëgjimi i zërit të qytetarëve. Dhe në rast se duhet ti besojmë Baton Haxhiut, faktori kryesor i mospranimit të ofertës amerikane nga Rama ishte pikërisht pasiguria për votimin në Kuvend. Ndaj ndonëse shfaqet i martuar lumturisht, Ilir Meta e di shumë mirë  se bashkëjetesa politike imponon vigjilencë. Pikërisht këtë, LSI nuk e harron.


I  vetëdijshëm se largimi i Nanos nga qeveria dhe dëshirat e zjarrta të Berishës dhe Ramës për tu ulur në karrigen e kryeministrit kanë marrë bekimin e tij në tre zgjedhjet e fundit parlamentare, Ilir Meta vijon të vendosë të tjera tulla në projektin e nisur vite më parë, kur zgjodhi të dalë nga selia e Partisë Socialiste. Operacioni politik i vitit 2013 është ndoshta shembulli më i qartë se Meta do të vazhdojë të ecë drejt zgjedhjeve vendore apo atyre parlamentare me synime të qartë. Mbi të gjitha i qartë se kompromisi politik nuk është dashuri pa kushte dhe kushtet në dashuri nuk të çojnë në altar. Nga ai altar, Meta ka zbritur Nanon dhe ka ngjitur Berishën, për të zbritur më pas Berishën dhe ngjitur Ramën. Ndoshta për ndonjërën prej këtyre arsyeve, Ilir Meta është politikani i vitit 2013.