Ditët e fundit ka një presion në rritje nga ish- zyrtarë të PD-së në poste publike, por dhe anëtarë të thjeshtë të saj të punësuar në administratë, për tu shkëputur nga Partia Demokratike. Rruga më e shkurtër është LSI. Unë vetë kam pasur presion prej dhjetëra, për të mos thënë qindra të njohurish, që kanë qenë pjesë e pushtetit të PD-së, që duan të largohen seriozisht me LSI, jo vetëm për të siguruar një vend pune, por dhe si faktor elektoral për të.
Platforma politike e Lulzim Bashës kur u zgjodh kryetar i PD-së, që lë të hapur urat e bashkëpunimit me LSI, dhe mbi të gjitha shpresa e vetme që i jep elektoratit opozitar ende në pushtet se ata do rikthehen përmes LSI në pushtet, ka krijuar tek baza e opozitës një mekanizëm të thjeshtë mbijetese, që është qarku i shkurtër me LSI. Në logjikën e tyre të thjeshtë, amoraliteti i dëshmuar nga Berisha në fushatën elektorale, për të futur në listë Islamin, Dogjanin, Kadelin, Idrizin, Mediun etj, vetëm për të mbetur në pushtet, ua ka hequr turpin atyre ta bëjnë vetë këtë pazar me strukturat lokale të LSI po për të mbetur në pushtet. Opozita e re që ka ndërtuar Basha pas 23 qershorit e forcon këtë bindje për demokratët, të cilët nuk shikojnë më shpresë tek partia e tyre, që mund të kthehet në pushtet e vetme. I vetmi që ka pasur një përmbajtje politike në opozitë dikur, Sali Berisha, sot është kthyer në një simbol diarreje politike, me broçkullat e përditshme që lëshon dhe i bën demokratët me pesimistë seç janë për të ardhmen e tyre. Pasuesi i emëruar prej tij, i qartë që nuk ia del dot vetëm, e ka instaluar si strategji të tij faktin që në pushtet do rikthehet me LSI dhe aleanca të tjera fluide. Në këto rrethana, kur imoraliteti është instaluar nga ekipi drejtues i opozitës dhe rrugëzgjidhja kalon përmes një aleancë në kohë me LSI, epidemia e vërshimit drejt LSI-së nga anëtarët e PD-së është kthyer në një lumë që nuk ndalet.
Gabimi i dytë i madh i Lulzim Bashës ishte qëndrimi ndaj kundërshtarëve të djathtë të Berishës. Ardhja e një lideri të ri në krye të PD-së, nënkupton një erë të re, e cila i ka të nevojshme ripozicionimet ndaj historisë së PD-së. Me pushtetin e tij autoritar dhe të korruptuar, Sali Berisha krijoi kundërshtarë politikë, por dhe personalë brenda së djathtës, që kanë pasur kontribute të mëdha në historinë e asaj partie dhe janë flakur prej tij për shkak të interesave që lidhen kryesisht me Familjen e tij në pushtet. Dikush i ka prishur punë djalit, dikush vajzës, dikush gruas, dikush vetë Berishës dhe për këtë arsye ata janë sot kundërshtarë të tij të vendosur.
Lulëzim Basha duhej ta thyente këtë handikap të së djathtës. Ai duhej ti shtrinte dorën e bashkëpunimit gjithkujt që ka një histori në të djathtën shqiptare, para se të ëndërrojë kthimin në pushtet përmes Ilir Metës. Ilir Meta ka planet e tij për të mbijetuar në politikën shqiptare dhe në to nuk përfshihet ndoshta fare Lulzim Basha. Ky i fundit duhet të kishte një plan për Bamir Topin, shkaktarin kryesor që dërrmoi të djathtën e Berishës në zgjedhjet e fundit, për individë si Mustafaj apo Ngjela, për frymën konservatore të ish- pronarëve të dërrmuar nga kleptokracia e Familjes Berisha, etj. Lulzim Basha as ka guxuar ta mendojë këtë. Ai në këtë pikë është njësoj si ish- komunistët shqiptarë, bile dhe ata të ndershmit, që për hir të Enver Hoxhës, gjithë kundërshtarët e tij i quajnë armiq ende dhe nuk i rehabilitojnë as në mendjen e tyre, edhe pse Enveri ka vdekur.
Ndërsa Sali Berisha u mundua ta kompleksojë Bamir Topin gjatë fushatës se po bashkëpunon me ish- opozitën dhe ia arriti ta lërë jashtë koalicionit për këtë shkak, sot kur amoraliteti i PD-së ka arritur kulmin dhe gjithçka sillet rrotull mbrojtjes së Familjes, Basha nuk ka fuqi dhe as tagër të shikojë në sy Bamir Topin. Ai u bë palë me Sali Berishën duke ia përjashtuar kandidaten nga zgjedhjet në Korçë, në vend që ta ftonte të ishin aleatë. Kjo bëri që vetë Topi të bëjë një gjest të duhur për ti treguar vendin një lideri frikacak dhe pa vizion, që mendon se është zgjedhur në krye të PD-së, ti ruajë nderin Familjes Berisha dhe të plotësojë tekat e Zenit dhe Gitës.
Lulzim Basha mendon se demokratët e thjeshtë janë gati të pranojnë se amoraliteti është një aset që mund ta përdorë vetëm Familja Berisha për të qëndruar në pushtet, apo për të ardhur në pushtet, dhe u ndalohet të tjerëve. Këtu është treguar miop. Duke e orientuar PD-në në rrugën e amoralitetit, dhe duke mos guxuar të bëjë opozitë parimore dhe morale, ai po shikon sot se si PD po kthehet në një masë amorfe pa formë, që po rrjedh drejt pushtetit të ri për të mbijetuar personalisht. Vdekja klinike e saj është e qartë. Në atë parti nuk mendon më askush politikisht. Të gjithë mendojnë si të kapin ndonjë vend pune dhe si të përdorin aleancat e partitë e pushtetit për të mbijetuar. Vizioni politik i Lulzim Bashës në këtë pikë është shkatërrues. Ai reflekton mungesën e thellë të përmbajtjes politike dhe servilizmin e padenjë ndaj Berishës, duke shpartalluar të djathtën shqiptare, e cila ka vetëm një ofertë, sipas Bashës, rigjunjëzimin para Berishës.
Me këtë strategji ajo parti nuk ringrihet kurrë. Lulzim Basha ka humbur shansin të bashkojë kundërshtarët e djathtë të Berishës në PD ose rrotull saj, dhe ti hapë rrugë legalisht antiberishizmit në të djathtën shqiptare, dhe po ashtu ka gabuar strategjikisht duke mbajtur shpresat e ndezura tek PD vetëm nëse bën aleancë me Ilir Metën. Me këtë të fundit e bëjnë vetë aleancën demokratët, duke e lënë Lulin me gisht në gojë.