TIRANE - Mungesa e investimeve për mirëmbajtjen e sistemit të kullimeve, por edhe sasia e madhe e reshjeve dhe rënia e tyre me intensitet për një kohë të shkurtër janë ndër shkaktarët e përmbytjeve të ditëve të fundit.

Drejtori i administrimit të ujërave dhe tokës në Ministrinë e Bujqësisë, Irfan Tarelli deklaroi se ujë në zonat e përmbytura ka tendencë për rënie dhe pritet që brenda 2-3 ditëve kjo situatë të normalizohet. Megjithëse plani i masave është hartuar gati dy muaj më parë, për përballimin e kësaj situate duket se pamjaftueshmëria e fondeve për ndërhyrje ka shkaktuar këtë situatë.

“Reshje më të mëdha ka patur në zonën e Zadrimës. Për 24 orët e fundit ka mbi 120 milimetër shi, ndërsa në 48 orë sasia ka kaluar 200 milimetër. Janë reshje shumë të mëdha, ta pazakonta. Problem është jo vetëm sasia e madhe por dhe intensiteti i tyre për kohë të shkurtër. Që do të thotë sistemeve tona u duhet një kohë relativisht e gjatë për ta sjellë gjendjen në normalitet. Këtu kam parasysh një kohë prej 2-3 ditësh. ”- u shpreh Tarelli.

Tarelli deklaroi se nevoja për investime në fushën e sistemeve të kullimit është mjaft e madhe dhe për të vetëm mirëmbajtja e këtij rrjeti plotësohet në masën 40% të nevojës.

“Nevojat për investime, në raport me gjendjen që ka sistemi në përgjithësi janë shumë herë më të mëdha, se sa ne kemi mundësi të paktën që të adresojmë në mënyrë emergjente. Nëse flasim thjesht mirëmbajtjen e rrjetit kullues, investimet që bëjnë bordet e kullimit nuk mbulojnë më shumë se 40% të nevojës.”- deklaroi Tarelli.

Megjithëse duket se masat nuk janë marrë më drastike për përballimin e situatës së përmbytjeve për shkak të buxhetit të pamjaftueshëm për vitin 2013. Irfan Tarelli deklaroi se me buxhetin e 2014-ës janë përcaktuar objektet ku do të ndërhyet për të lehtësuar situatën dhe pastruar kolektorët dhe hidrovoret të cilët këtë vit punojnë me kapacitet më të madh se një vit më parë.

(er.nu/news24/BalkanWeb)