Personat me nevoja specifike dhe ata që trajtohen me ndihmë ekonomike nga shteti po përballen prej më shumë se dy muajsh me vonesa në marrjen e pagesës.



Ngërçi financiar prek 165 mijë persona me nevoja specifike, të cilët nuk kanë ende një përgjigje të saktë se kur do të marrin paratë. Por, ndërkohë zyrtarisht atyre u është komunikuar se kujdestarët, pra personat që kujdesen për ta, do të rimbursohen nga mesi i janarit të vitit 2014. Një invalid apo person me nevoja specifike merr një kuotë të caktuar e cila njihet si pagesë bazë, një tjetër shumë për paketën, si dhe kuotën e kujdestarit. Pak ditë më parë, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erjon Veliaj, deklaroi se për plotësimin e të gjitha detyrimeve, sipas numrit aktual të personave të regjistruar për vitin 2013, do të nevojitet një fond shtesë prej 5.2 miliardë lekësh për shlyerjen e plotë të rimbursimeve. Zyrtarë të institucioneve përkatëse thanë gjithashtu se ky fenomen ka ardhur si pasojë e rritjes abuzive të skemës së ndihmës ekonomike dhe të pagesës për këtë kategori personash. Duke filluar nga viti i ardhshëm, pritet të ndërmerret një reformë me qëllim shmangien e këtyre abuzimeve. I ftuar në studion e emisionit “Pasdite në Top Channel’, një person me aftësi të kufizuara u shpreh: “Familja më ka ndihmuar gjatë kësaj kohe. Im atë është kujdesur për mua dhe falë Zotit është në formë. Gjithashtu kam një shoqëri të mirë që më është gjendur pranë.” Ndërsa Sinan Tafaj, avokat dhe kreu i Shoqatës së të Verbërve, theksoi se personat me aftësi të kufizuara po përjetojnë një periudhë shumë të vështirë: “Po jetojmë një realitet të hidhur sepse njerëzit me këto lloj kufizimesh, në mungesë të parave, i bëhet më i egër kufizimi. Jetojnë në një regjim urie dhe varfërie. Kur mungon paraja, krijohet edhe stres. Problemi në Shqipëri është që asnjë nga qeveritë nuk ka përcaktuar një minimum jetik, ku të llogariten shpenzimet minimale të domosdoshme për ushqim, ujë, ilaçe etj. Rasti i personave me aftësi të kufizuara është rast ekstrem pasi nuk mund të bëjnë asnjë lloj pune, as të merren me bagëti bie fjala. Këta persona janë tërësisht të varur nga pensionet.” / Top Channel