Socio-kronika e zezë



Nuk ka pse merret si shpikje e një termi të ri në punëtorinë e gazetarisë, por togfjalëshin "socio-kronikë" e kam dëgjuar për herë të parë fare rastësisht nga një ish-kolonel i huaj, rezident në Tiranë, i cili aktualisht paguhet goxha me euro, për të këshilluar policinë shqiptare. Ideja është… sa afër është policia dhe prokuroria jonë me hallet "e vogla" të komunitetit që shkaktohen nga krime të cilat turbullojnë mbarëvajtjen normale të jetës. Në fakt, vetëm kohët e fundit policia shqiptare ka vendosur fokus për atë që quhet "krim i vogël", apo "krim i rrugës". Besoj se ka plot lexues të cilëve u ka rastisur të jenë dëshmitarë, kur në autobus një pensionist konstaton se i është vjedhur nga xhepi pensioni, të cilin e ka tërhequr vetëm pak minuta më parë. Stresi, ulërimat dhe mallkimet si viktimë e një hajduti, që policia rrallë e çon në gjykatë, nuk kanë të krahasuara me ato të një milioneri që i vjedhin në dyqan, apo shtëpi një shumë parash 1000-fish më të madhe. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për ngacmimet seksuale në rrugë, autobus, apo përpara shkollës. Kush mund të mendojë për paratë, apo bizhuteritë, kur në shtëpi të futen maskat, që në fakt duan ato dhe vetëm ato, por lënë nga prapa terror e frikë që nuk e rikuperon dot askush?!



Krimi i "vogël"



Jo shumë ditë më parë, reporteri i kronikës, Bledi Gilaj, nëpërmjet një specialeje në gazetën "Shqip", trajtonte krimin e "rrugës", duke e cilësuar (sipas burimeve zyrtare policore) si "ende problematik për kryeqytetin shqiptar". Në analizën vjetore të policisë për vitin 2008, nuk u vu shumë në dukje ky fenomen gjithmonë e në rritje. Në krye të "Përtej Lajmit", thamë se të huajt që trajnojnë dhe monitorojnë policinë shqiptare, e dinë shumë mirë se çfarë është "socio-krimi". Nga vendet që vijnë ata, më shumë "rëndësi" (ndoshta kam keqlexuar) sesa vjedhjes së një banke i jepet sigurisë së fëmijëve në shkolla, apo sigurisë së nënshtetasit në publik e familje. Edhe vetë policia e ka pranuar gjithmonë se "krimet e vogla", ose më troç, vjedhjet, rrahjet, kërcënimet, presionet, apo edhe dhuna psikologjike në familje, ose punë etj., kanë shifra shqetësuese gjithmonë e në rritje. Të mos harrojmë se policia "flet" vetëm nëpërmjet denoncimeve. Ndërkohë, tashmë, dihet që për mentalitet "alla shqiptarë", pra për traditën, por edhe të kulturës demokratike të mësuar gjysmakëshe, për këto lloj krimesh "të vogla" njerëzit nuk shkojnë në polici, apo prokurori. Megjithatë, sipas reporterit Gilaj, "ndryshimi ka ardhur sivjet". Janë dyfishuar shërbimet policore. Edhe një lajm që s‘ka dalë në asnjë televizion apo gazetë... Është njoftim i keq për kriminelët e "krimit të vogël" dhe i mirë për shtetasit shqiptarë e jo shqiptarë: policia ka infiltruar agjentë civilë nëpër autobusë të shërbimeve në kryeqytet, nëpër supermarkete dhe kudo që ka "dyndje" të komunitetit. Ia vlen apo jo dhe në fakt informacionet thonë se është ulur "krimi i vogël". Mesatarisht çdo ditë në Tiranë ndodhin 5-6 vjedhje, ndërkohë që shënohen edhe 13-18 denoncime në ditë. Të gjithë e dinë dhe veçanërisht policia, se kjo është "maja e ajsbergut". Por policia po "punon". Ka krijuar edhe një hartë ku shënohen zonat më problematike të Tiranës. Dhe ato janë në zonat më të frekuentuara dhe të populluara të kryeqytetit. Pra te Blloku, "Myslym Shyri", "Shallvaret", "Tirana e Re" etj., etj. Aty ku ka njerëz, aty ku ka mundësi "prishje terezie", aty ku komuniteti vepron…



"Edhe ne e kemi fajin"



Bëhet fjalë për sensibilizimin e vetvetes, pra komunitetit. Nëse bëhet një sondazh, nga kompani prestigjioze ndërkombëtare (jo vetëm për politikë dhe jo thjesht, kush është lideri më i mirë), për të kthjelluar se sa vetë qytetari shqiptar është i ndjeshëm për të denoncuar rrezikun që i kanoset fqinjit, kurba është e sigurt që do të jetë kokëposhtë. Policia thotë: gjatë vitit 2008, si rezultat i futjes së metodologjive e procedurave të reja të evidentimit të standardizuar të shkeljeve, janë raportuar 13426 vepra penale, nga të cilat janë zbuluar 10858. Bukur… Por nuk thonë sa është numri i këtyre "krimeve të vogla" të denoncuara nga komuniteti në numrin 129, që në fakt nuk e reklamojnë nëpër televizione e gazeta. Nëse i rikthehemi dhe u bëjmë një analizë krimeve të bujshme, na rezulton që shumë prej tyre në thelb kanë një "krim të vogël". Janë shumë lajme kur gruaja ka vrarë burrin dhe anasjelltas, sepse nuk kanë duruar dot njëri-tjetrin dhe janë keqtrajtuar mes vetit për njëmijë e një arsye. Po kështu, është krim "i vogël" kur dy kushërinj të parë zihen me grushte, apo hunj për një vijë uji. Por krimi bëhet "i madh" kur arrin puna që njëri nga ata, apo të dy përnjëherësh marrin kallashnikovin dhe vrasin njëri-tjetrin, apo edhe këdo nga familjet. Komunikata e uniformave blu dhe gazeta shkruan: u vranë për një vijë uji… për një gardh… për ca pula… për një copë tokë…. Askush nuk ka telefonuar paraprakisht te numri 129 (zyrtar i policisë), kur "i madhi" ishte në "djep". Nuk e di sa është e vërtetë, por e besoj atë që kam dëgjuar nga një mik që ka jetuar gjatë në një lagje të Gjenevës: Aty të gjithë janë spiunë, kur vjen puna për të ruajtur njëri-tjetrin…