Nga Express më 13 shtator 2011 në ora 19:10

Stacioni i Policisë në Ferizaj të martën është bërë me Qendrën për mbajtje, e cila deri më tani i ka munguar këtij stacioni. Mungesa e kësaj qendre deri tani ka shkaktuar vështirësi për personelin, ngase janë shfrytëzuar qendrat tjera të rajonit.



Në aktin e inaugurimit është thënë se tani e tutje kjo qendër do të sjellë mjaft lehtësira, duke ditur se më herët të personat nën arrest është dashur të transferohen për mbajtje në qendrat të paraburgimit në Kaçanik,Viti dhe komuna tjera.



“Konsideroj se kjo qendër e ndalimit do ta na lehtësojë shumë punën, qoftë, policisë, prokurorisë apo gjykatës, për shkak se deri më tani personat e ndaluar ka qenë dashur që të mbahen në qendrat tjera si në Kaqanik, Viti, Gjilan, eyj. Kjo do ta na lehtësojë dhe do të na ndihmojë edhe në kohën e procedurës së kryerjes së rasteve”, ka thënë drejtori rajonal i Policisë, koloneli Izet Azizi.



Mësohet se kjo qendër mund të krahasohet me qendra simotra të vendeve më të zhvilluara dhe këtë e konfirmon edhe kolonel Azizi.



Sipas tij, rregullimi i kësaj qendre do të ulë edhe koston e shpenzimeve, ngase veç mundit të policëve, shpenzimet për dërgimin në qendrat tjera kanë kushtuar.



“Mendoj se drejtoria rajonale e policës së Ferizajt, i ka arritur dy qëllime, e ka arrit të ardhmen që policëve të këtij stacioni do t’ju lehtësohet puna shumë më shumë për shkak se nuk do të kenë nevojë që të shkojnë nëpër rajonet tjera siç ka ndodhur deri më tani dhe qëllimi dytë është që qytetarët të cilët do të trajtohen në këtë stacion policor do t’i kenë shërbimet më cilësore të mundshme besoj që edhe në Evropë, duke pasur parasysh edhe standardet e këtyre dhomave”, tha Azizi.



Nga ana tjetër edhe drejtues të organeve të Drejtësisë në Ferizaj e kanë vlerësuar lart hapjen e qendrës së paraburgimit në Ferizaj.



“Qendra e ndalimit këtu në Ferizaj ka një rëndësi të madhe për shkak se kemi qenë të detyruar që me autorizim tonë personat e ndryshëm t’i dërgojnë në Gjilan, Kaçanik, Viti, dhe kjo tashmë është një lehtësim shumë më i madh. Sot e tutje do të ndalen këtu në Ferizaj”, është shprehur Shukri Jashari, ushtrues detyre i prokurorit komunal të Ferizajt.



Qendra e Mbajtjes në Ferizaj posedon kushte të standardeve të larta, ajo ka 6 dhoma dhe është financuar nga UNOPS-i amerikan.