Është përuruar sot përmes një ceremonie të veçantë busti i Hasan Prishtinës. Në këtë ceremoni ishin të pranishëm personalitete të lartë të vendit dhe Kosovës. Në fjalën e mbajtur gjatë këtij përurimi, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe Kryeministri Berisha vlerësuan maksimalisht figurën e Hasan Prishtinës, duke e cilësuar atë si arkitektin e pavarësisë së vendit. 


Jahjaga: Hasan Prishtina punoi për një shtet të lirë 
Duke marë fjalën në këtë ceremoni, Presidentja e Kosovës Jahjaga vlerësoi rolin e patriotit Hasan Prishtinës për lirinë dhe pavarësinë e atdheut.
“Ne sot nderojmë veprën e Hasan Prishtinës, të  njeriut që gjithë jetën punoi për ta bërë Shqipërinë një shtet të lirë të Europës.  Ne po i nderojmë të gjithë veprimtarët që nuk kursyen asgjë nga vetja për ta bërë reale lirinë dhe pavarësinë e vendit”, vuri në dukje Jahjaga.



Berisha: Hasan Prishtina arkitekti i Shqipërisë etnike

Po kështu dhe kreu i qeverisë shqiptare dha vlerësimet e tij për këtë figurë të rëndësishme për historinë kombëtare. 
 “Sot për kryeqytetin e Shqipërisë është një ditë e shënuar pasi vendoset këtu apo kthehet  në Preshevën e Shqipërisë arkitekti i Shqipërisë etnike, arkitekti i pavarësisë së Shqipërisë, burri i madh që shkriu jetën e tij për bashkimin e trojeve shqiptare, për pavarësinë e Shqipërisë, për dinjitetin e shqiptarëve”, veçoi Berisha, gjatë fjalës së tij. 
Në po këtë linjë, shefi i ekzekutivit shtoi se “Hasan Prishtina në veprën e tij me të gjithë përkushtimin e tij u shndërrua në flakë mbajtësin e idealit të madh të Lidhjes së Prizrenit. Ai udhëhoqi lëvizjet më të mëdha që shqip kanë pasur në kohërat moderne. Përfaqësuesi i Shqipërisë në parlamentin e perandorisë osmane është zotuar se do bënte gjithçka për Shqipërinë etnike”.