Përfliten shumë emra për të veshur fanellën e Tiranës dhe në prag merkatoje këto janë gjëra normale. Por ish-mbrojtësi kroat i Tiranës, Toni Pezo, ka realisht shanse të rivishet bardheblu. Kjo pasi 22-vjeçari është një lojtar që e njeh ambientin, ka lënë gjurmë të mira dhe dëshirohet dhe nga stafi për cilësitë e tij. Megjithatë, gjithçka mund të marrë udhë nëse stafi i Tiranës kërkon që ai të bëhet pjesë e grupit. Trajneri Alban Tafaj për momentin ka deklaruar se e ka grupin e plotë, duke nënkuptuar se nuk dëshiron lëvizje. Kjo edhe për faktin se dëshiron të aktivizojë lojtarët që ka aktualisht në dispozicion dhe të mos u krijojë atyre konkurrencë të tepërt, çka mund të sillte pakënaqësi në radhët e grupit aktual. Vetë Pezo ka theksuar së fundmi se e priste një ftesë nga Tirana, duke shfaqur dëshirën të rikthehet te kampionët. Gjithsesi, fjala e fundit është e presidentit Refik Halili. Njëshi i klubit bardheblu tentoi edhe gjatë verës për ta rrimarrë Pezon por ngërçi mes tij dhe menaxherit të lojtarit, Sokol Haxhia solli edhe prishjen e tratativës. Fakt është se jo vetëm Tirana u dëmtua duke mos marrë dot shërbimet e një lojtari cilësor por edhe vetë Pezo gjatë gjithë kësaj kohe ka qenë i detyruar veçse të qëndrojë në pankinë pasi nuk ka qenë në planet e Rijekës (skuadra kroate) për këtë sezon.